Aktualitet

Priti 9 vite për të marrë gjakun e prindërve, historia e dhimbshme e Lush Pjollajt, vrau vëllain e hasmit bashkë me të motrën (Video)

Priti 9 vite për të marrë gjakun e prindërve të vrarë, dhe arrestohet pas 7 viteve në arrati. Lush Pjollaj, 42 vjeç, është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Shkodrës. Pamjet e arrestimit tregojnë Pjollajn me kokën ulur teksa hyn në furgonin e Policisë
Përditësuar:

SHKODËR– Një 42-vjeçar, i identifikuar si Lush Pjollaj është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Shkodrës.

Në videon e publikuar nga policia e Shtetit, 42-vjeçari shihet me kokën e ulur dhe ecën mjaft i qetë krah efektivëve të policisë.

Pjollaj është i dënuar me 23 vite burg nga Gjykata e Shkodrës pasi në vitin 2013 ka vrarë një 56-vjeçar me emrin Marash Tonaj, për motive gjakmarrjeje.

Prej 7 vitesh ai ishte në arrati dhe së fundmi ishte fshehur në një banesë në Vuksanaj të Shkodrës.

Por kur nisi zanafilla e konflikteve mes dy familjeve?

Gjithçka filloi në muajin korrik të vitit 2003, kur vëllai i Marash Tonajt, Nik Tonaj vrau prindërit e Lush Pjollajt, Nik dhe Lule Pjollaj.

Nik dhe Lula Pjolli, përkatësisht 63 vjeç dhe 54 vjeç, prindër të 6fëmijëve u ekzekutuan në oborrin e shtëpisë së tyre pas një sherri banal me Nik Tonajn, për një vijë uji.

Autori i vrasjes së dyfishtë u shpall në kërkim nga policia e Shkodrës dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë.

Pas gati 9 vitesh pritje Lush Pjollaj ekzekutoi në bashkëpunim me të motrën Lena Pjollaj vëllain e vrasësit të prindërve të tyre, Marash Tonajn.

Më 12 shtator, banorë të fshatit Vuksanaj në Komunën Shalë të zonës së Dukagjinit gjetën në anë të rrugës trupin e pajetë të Marash Tonajt dhe lajmëruan policinë.

Në lidhje me këtë ngjarje u vetëdorëzua Lena Pjolli, e cila ndodhet ende në burg në rolin e bashkëpunëtores në vrasjen e Tonajt.  

Prita 9 vite që policia të arrestonte vrasësin e prindërve të mi. Vendosa të merrja vetë hakun. Përmbusha amanetin me armën e babait tim që e kisha ruajtur për 9 vite me radhë,”- shprehej Lena në atë kohë.

Por ekspertiza ka rrëzuar pretendimet e të vetëdorëzuarës, duke zbuluar se krimi është kryer nga i vëllai, Lush Pjollaj që u arrestua sot. Ndërkohë Nik Tonaj është ende në drejtim të paditur.

Gjithashtu policia e Shkodrës vuri në pranga një 40-vjeçar të idnetifikuar si Edmond Beqari. Beqari ishte shpallur në kërkim pasi është dënuar me 5 vjet e 6 gjashtë muaj burg për trafik droge.

Shkodër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dukagjini”, për kapjen e një personi të shumëkërkuar.

Operacioni në Dukagjin nga strukurat e DVP Shkodër zhvilluar në kushte të vështira të motit dhe terrenit.

Kapet dhe ndalohet i shumëkërkuari, i dënuar me 23 vite burg për “Vrasje”.

Gjithashtu në vijim të operacionit u kap në Shkodër edhe një shtetas tjetër i dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve‘’.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë edhe bashkëpunimit me komunitetin, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dukagjini”.

Në kushte të vështira të terrenit dhe të motit, Policia ka bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Lush Pjollaj 42 vjeç, i cili fshihej në një banesë në fshatin Vuksanaj të  Dukagjinit.

Ky shtetas është dënuar në vitin 2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 23 vjet burgim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, pasi me datën 12.09.2012 në lagjen Pjollaj të fshatit Vuksanaj, ka vrarë me armë zjarri shtetasin M. T. 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.

Gjithashtu u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Edmond Beqari, 40 vjeç, banues në Shkodër, pasi është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 5 vjet e 6 gjashtë muaj burg për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

(f.m/dosja.al)

  • 10:45

    Me kokën ulur dhe i prangosur, dalin pamjet/ Si u arrestua i shumëkërkuari për vrasje në Shkodër

    Janë publikuar pamjet e arrestimit të 42-vjeçarit, Lush Pjollaj, i cili është dënuar nga Gjykata e Shkodrës me 23 vite burg për vrasje.

    Në videon e publikuar nga Policia e Shtetit, Pjollaj shihet mjaft i qetë dhe ecën me kokën ulur krahas efektivëve të policisë. Më pranga në duar, 42-vjeçari shihet që drejtohet për në furgonin e policisë.

Shto Koment