Aktualitet

Arrestohet ekzekutori i Bajraktarit, si e vrau për pagesën pronarin e shtëpisë ku punonte në Tropojë

Arrestohet Nik Lulashi. Lulashi vrau Tahir Bajraktarin. 55-vjeçari kërkohëj prej një viti. Ai u arrestua në Shkodër në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin.
Përditësuar:

SHKODËR– Është arrestuar vrasësi i Tahir Bajraktarit. Dosja.al mëson se Nik Lulashi, u arrestua në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin, ku fshihej prej një viti, pasi ishte shpallur në kërkim.

Gjykata e Tropojës ka caktuar në shtator të vitit 2018 masën “Arrest në burg” në mungesë për 55-vjeçarin Lulashi për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ai do t’u dorëzohet shërbimeve të D. V. P. Kukës për veprime të mëtejshme

Lulashi një vit më parë vrau pronarin e shtëpisë ku punonte në Tropojë, Tahir Bajraktarin pasi u konfliktuan për një pagesë.

Si ndodhi vrasja e Tahir Bajraktarit

Viktima Tahir Bajraktari kishte punësuar Nik Lulashin në banesën e tij ku kalonte gjithmonë pushimet verore në Tropojë. Dyshja janë konfliktuar për pagesën që do të merrte i punësuari pasi Lulashi kishte kërkuar më shumë se sa i kishte ofruar viktima.

Në debat e sipër 55-vjeçari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi Bajraktarin duke e lënë të vdekur. Fillimisht ngjarja u raportua si vetëvrasje por hetimet e mëtejshme zbuluan se autori i krimit ishte Nik Lulashi, banues në Shkodër që u arrestua ditën e sotme.

(f.m/dosja.al)

  • 10:35

    Arrestimi i vrasësit të Tahir Bajraktarit, policia jep detaje

    Policia ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Nik Lulashit, vrasësit të Tahir Bajraktarit.

    Sipas njoftimit zyrtar Lulashi është arrestuar në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin pasi ishte shpallur në kërkim prej një viti për vrasjen e kryer. 

    Njoftimi i policisë Shkodër

    Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

    Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim për vrasje.

    Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në bazë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar, kapet dhe ndalohet në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin, shtetasi i shpallur në kërkim: N. L., 55 vjeç, banues në Tropojë.

    Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi është autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit T. B., ngjarje e ndodhur më datë 18.09.2018, në bjeshken e Doberdollit, Tropojë.

    Gjykata e Rrethit Tropojë me vendim nr. 35 datë 25.09.2018 ka caktuar masën sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .

    Ky shtetas do i dorëzohet shërbimeve të D. V. P. Kukës për veprime të mëtejshme.

Shto Koment