Politike

Vrasjet në vend, Lleshaj kritika të ashpra shefave të policisë: Janë rritur problemet, duhet shtim kontrollesh

Leshaj kritika policisë për ngjarjet kriminale në vend. Ai kërkoi shtim kontrollesh dhe hetime rreth personave me aktivitet kriminal.
Featured image of article: Vrasjet në vend, Lleshaj kritika të ashpra shefave të policisë: Janë rritur problemet, duhet shtim kontrollesh Sandër Lleshaj, ministri i Brendshëm
Përditësuar:

Tiranë-Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj iu ka bërë kritika drejtuesve vendorë të policisë për situatën e vrasjeve në vend.

Në fjalën e tij, ministri Lleshaj u ndal në mënyrë të veçantë tek nevoja e intensifikimit të punës së drejtuesve dhe strukturave të PSH kundër veprimtarisë së rëndë kriminale në vend. Ministri Lleshaj kërkoi me forcë rritjen e përpjekjeve parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë periudhë për qëllime kriminale.

Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarje kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim.

“Presingu” i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikqyrja parandaluese ndaj tyre, kontrollet e mjediseve të frekuentuara prej tyre, e automjeteve dhe e veprimeve u përcaktuan si detyrë e dorës së parë. Po ashtu, u kërkua shtimi i kontrolleve për armëmbajtjen pa leje në mjedise publike si në qarkullimin rrugor, bare e diskoteka etj.

Ministri kërkoi angazhim të fortë për menaxhimin efektiv të qarkullimit rrugor, në kushtet e rëndimit të tij për shkak të flukseve të mëdha dhe të sjelljes së papërshtatshme të disa qytetarëve.

Për strukturat kundër Krimit Ekonomik u kërkua thellimi i angazhimit në operacionin e përbashkët kundër informalitetit në ekonomi. Lleshaj vuri theks të veçantë në masat kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, ku evidentoi nevojen për vigjilencë të pandërprerë në këtë fushë.

Të njëjtën vigjilencë kërkoi ai edhe në mbrojtjen nga zjarret në vend në kushtet e thatësirës dhe temperaturave të larta, duke përcaktuar detyra për të gjitha strukturat e PSH.

Një çështje që mori vëmendje të shtuar në takim ishte lufta kundër korrupsionit në radhët e vetë strukturave policore. Duke evidentuar numrin e shtuar të punonjësve të Policisë që janë arrestuar apo që janë në proces hetimi penal për korrupsion, Ministri tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të PSH, ndaj të cilëve kërkoi përgjegjësi maksimale në goditjen e çdo rasti të korrupsionit dhe të cënimit të integritetit në radhët e Policisë së Shtetit.

Në kushtet e volumeve shumë të shtuara të angazhimit të PSH, e cila ka kapacitete të limituara njerëzore, teknike dhe financiare, e vetmja rrugë e arsyeshme për sukses është bashkëpunimi efektiv me publikun. Në këtë drejtim u kërkua përmirësim i komunikimit, tërheqje efektive e informacionit dhe reagim i shpejtë ndaj tij. Mbetet sfidë e rëndësishme e PSH gjetja e rrugëve për rritjen e pjesëmarrjes së publikut në shërbim të sigurisë. Kushdo është i ftuar të ndajë me Policinë çdo informacion për persona të botës së krimit, ngjarje kriminale, kundërvajtje të ndryshme penale, armëmbajtje pa leje, shkelje të rregullave të qarkullimit, zjarreve etj.

Ministri i Brendshëm e vlerësoi faktin që drejtuesit e PSH dhe strukturat e saj janë në krye të detyrës, edhe në kulmin e sezonit të pushimeve në vend si dhe kërkoi që ky ritëm intensiv pune të vazhdojë me seriozitet edhe në ditët në vijim.

Dy ditë më parë ndodhëm dy vrasje që tronditën opinionin publik. U vra nga një atentat më 12 gusht Armando Gjini, në sy të gruas dhe fëmijëve të tij. Në po të njëjtën ditë u vra 23 vjeçari Florian Selimi në dy bashkëmoshatarët e tij pas një sherri.

J.V/Dosja.al

 

Shto Koment