Rajoni

Vetëm 51 ditë në detyrë/ Votohet mocioni i mosbesimit, rrëzohet me 82 vota pro qeveria, Albin Kurtit: Ishte porosi e ambasadorit Grenell

  • Kurti: Ishte rënie e domosdoshme, 80 deputetë po rrezikojnë qytetarët
  • Mustafa: Ministrat e mi do vazhdojnë punën, Kurti të bashkëpunojë
  • Tre skenarët pas rrëzimit të kabinetit ‘Kurti’
  • Pro mocionit të mosbesimit kanë votuar 82 deputetë, ndërsa 32 deputetë votuan kundër mocionit të mosbesimit. Kryeministri në ikje tashmë, Albin Kurti tha se kjo ishte një porosi e ambasadorit Richard Grenell.
    Featured image of article: Vetëm 51 ditë në detyrë/ Votohet mocioni i mosbesimit, rrëzohet me 82 vota pro qeveria, Albin Kurtit: Ishte porosi e ambasadorit Grenell Albin Kurti

    KOSOVË- Kuvendi i Kosovës ka votuar me 82 vota pro rrëzimin e qeverisë së kreut të LVV-së, Albin Kurtit. Në përfundim të seancës maratonë, vetëm një orë para mesnatë të gjithë deputetët kanë votuar me ngritje dore dhanë verdiktin e tyre, duke votuar mocionin e mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Pro mocionit të mosbesimit kanë votuar 82 deputetë, ndërsa 32 deputetë votuan kundër mocionit të mosbesimit dhe 1 abstenim. Votat pro mocionit të mosbesimit ishin nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë opozitare. 

    Lidhur me rrëzimin e qeverisë së tij, Kurti ka reaguar duke u shprehur se 80 deputetë janë të gatshëm që të rrezikojnë jetën e qytetarëve për të shëmbyer territorin me Serbinë. Ai u shpreh gjithashtu se mocioni i mosbesimit ishte një porosi nga ambasadori amerikan Richard Grenell, me të cilin ka pasur përplasje kohët e fundit. Një ditë më pas ka reaguar dhe iniciatori i mocionit, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili është shprehur se nuk do të prishë qeverinë, nuk do t’i largojë ministrat e tij dhe se Kurti mund të bashkëpunojë me ta për të kaluar situatën e koronavirusit në vend.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Tanimë presidenti duhet të mbledhë të gjitha partitë për të zgjedhur një mandatar të ri, vetëm 51 ditë pas Kurtit, ose të shpallë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Megjithatë për shkak të situatës në vend nga koronavirusi, një skenar i tillë është i largët. 

    (k.m/A.B. Dosja.al)

    • 13:43

      Rrëzimi i Qeverisë Kurti, Veton Surroi: Rikapitulim pas furtunës së djeshme

      Veton Surroi

      Publicisti Veton Surroi ka reaguar ditën e sotme pasi Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, duke thënë se do të ketë një rikapitulim pas ngjarjes së djeshme, “furtunës”, siç e quan ai.

      Në postimin e tij Surroi ka bërë një analizë me 5 pika, ku në to thekson se qeveria e Kosovës vazhdon punën me të gjithë anëtarët e saj, duke thënë se  me këtë është pajtuar edhe kryetari i LDK-së.

      Ndër të tjera ai shkruan se duke qenë se nuk di kush për marrëveshje sekrete Thaçi-Vuçiç, ajo është nul për Kosovën dhe jo  e duhura për Qeverinë e Kosovës. Por më e rëndësishmja ai i bën bën thirrje qeverisë së Kosovës se ka detyrim të merret urgjentisht me situatën e krijaur nga COVID-19.

      Postimi i Veton Surroit:

      Pra, rikapitulim pas furtunës së djeshme: 

      1. Qeveria e Kosovës vazhdon punën me të gjithë anëtarët e vet, pos ata të shkarkuar nga kryeministri. Me këtë është pajtuar edhe kryetari i LDK-së.

      2.Është evituar shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, një tentim uzurpimi pushteti me pretekst COVID-19.

      3.Çështja e taksës 100 për qind tashmë ka hyrë në proces gradual heqje me vendosje të reciprocitetit. Një proces i këtillë është konfirmuar në bisedat që i ka pasur kancelarja Merkel me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë. Një proces i këtillë është pranuar nga ana e Serbisë. Kjo tashmë është temë dytësore.

      4. Meqë nuk di kush për marrëveshje sekrete Thaçi-Vuçiq, ajo është nule për Kosovën dhe e paqenë për Qeverinë e Kosovës , institucion i vetëm i autorizuar për të zhvilluar negociatat me Serbinë , kur të krijohen kushtet për këtë .Qeveria e Kosovës ka obligim të merret urgjentisht me COVID-19 .

      5.Do të ketë Qeveri të re, sipas procedurave kushtetuese për ta zëvendësuar një Qeveri në dorëheqje (neni 100, pika 6) dhe brenda kushteve të sigurisë së shëndetit publik.

    • 13:43

      Rrëzimi i Qeverisë Kurti, reagon Këshilltarja e Vuçiçit: Pasojë e përplasjes së politikës së jashtme mes Amerikës dhe Europës

      Foto ilustruese

      Rrëzimi i Qeverisë Kurti ditën e djeshme me votimin në Kuvendin e Kosovës ka shkaktuar shumë reagime jo vetëm nga qeveritarët në vend por edhe zyrtarët e huaj.

      Edhe Këshilltarja e presidentit të Serbisë, Suzana Vasiljeviç, është shprehur se gjatë kësaj kohe kanë monitoruar nga afër zhvillimet e natës së fundit në Prishtinë, ku Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua pas mocionit të mosbesimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

      Ndër të tjera Vasijleviç ka deklaruar se një situatë e tillë i ka interesuar shumë edhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç. Ajo ka thënë se Presidenti serb ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit e tij, lidhur me zhvillimet në Kosovë.

      Vasijleviç medon se ajo çfarë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kosovë vjen si shkak i përplasjes mes politikës së jashtme të Uashingtonit dhe Brukselit.

      “Çfarë ndodhi mbrëmë ishte qartazi një përplasje e politikës së jashtme mes Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ata kanë dy politika të ndryshme, dhe e kuptojnë në mënyra të ndryshme situatën në Kosovë. Një gjë e tillë ka shtyrë drejt rrëzimit të qeverisë”, ka thënë ajo.

    • 13:02

      Iu rrëzua qeveria, FLET Albin Kurti: Ishte rënie e domosdoshme, 80 deputetë gati të rrezikojnë jetën e qytetarëve

      Albin Kurti

      Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur për herë të parë pas rrëzimit të qeverisë së tij nga moscioni i mosbesimit, mbrëmjen e djeshme në Kuvend. Me anë të një statusi në Facebook, Kurti u shpreh se rënia e qeverisë dje ishte e domosdoshme për ngritjen e nevojshme që do të bëhet në të ardhmen. Kurti shkruan se mocioni i mosbesimit kishte për qëllim dobësimin e qeverisjes, porosi sipas tij nga ambasadori i SHBA-së, Grenell.

      “Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial. Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar,”-shkruan ndër të tjera Kurti. 

    • 11:08

      Rrëzimi i qeverisë Kurti/ Deputetja Kusari: Ndodhi masakra politike, historia do të gjykojë ata që e sollën këtë ditë

      Mimoza Kusari-Lila

      Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka komentuar rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit mbrëmjen e djeshme në Kuvend. Ajo është shprehur se mbëmjen e djeshme ka ndodhur asgjë tjetër veçse një maskaradë politike në mes të krizës dhe luftës me pandeminë globale. Kusari-Lila me anë në një postimi në Facebook, është shprehur se historia do të gjykojë ata që e sollën këtë ditë.

      Mirëmëngjesi Kosova jonë, dje ndodhi maskarada politike në mes të krizës dhe luftës me pandeminë globale. Ashtu sikur e prezentova në fjalimin tim dje, sot Kosova u zgjua me lajmin për rrëzimim e Qeverisë në mes të pandemisë, në të gjitha mediat botërore. Jam e sigurt se historia do të gjykojë ata që e sollën këtë ditë, por gjithashtu kurrë më e sigurt nuk kam qenë se energjia dhe gatishmëria jonë për të vazhduar betejën për Kosovën shtet i zhvilluar dhe shtet i së drejtës nuk ka qenë më e madhe. Dje ishte vetëm një betejë në numrin e gjatë të tyre që duhet të bëjmë për vendin tonë. Do të kemi edhe shumë tjera me fitore për Kosovën dhe njerzit e saj,“-shkruan ajo. 

    • 10:57

      Isa Mustafa: Ministrat e mi do vazhdojnë punën, Kurti të bashkëpunojë me ta, jemi në kohën e pandemisë

      Isa Mustafa

      Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk do t’i tërheqë ministrat e LDK-së nga qeveria në ikje e Albin Kurtit. Mustafa ka thënë se si kryetar i partisë, në kohën e pandemisë nuk do t’i tërheqë as ministrat e as zëvendësministrat pasi vendi është në situatë emergjente.

      “Në kohën kur po ballafaqohemi me Pandeminë e COVID-19, si Kryetar i LDK-së, nuk do ti tërheq njëanshëm ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së nga detyrat e tyre në Qeverinë në dorëheqje”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

      Ai ka thënë se mbetet në vullnetin e kryeministrit Kurti nëse do të vazhdojë të punojë me ta.

      “Pasi që koalicioni VV-LDK ka rënë mbrëmë me mocion votëbesimi me votat e mbi 2/3 e deputetëve, mbetet në vullnetin e Kryeministrit në detyrë, z.Kurti, se a do të vazhdoj të punoj me ta gjatë kësaj gjendjeje emergjente, derisa të zgjedhet qeveria tjetër, apo do të bëj veprime tjera, ashtu siç e liroi z. Avdullah Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë mbrëmë para mesnate”, ka shkruar ai.

    • 9:04

      Deri në mesnatë ‘mbyllur’ në Kuvend, Daut Haradinaj nuk duron dot, pi cigare brenda në sallë

      Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka qënë i pranishëm dje në Kuvendin e Kosovës, ku edhe u zhvillua seanca maratonë. Në një moment ai është pikasur në një cep të Kuvendit, duke pirë cigare brenda në sallë, teksa hynte e dilte për të marrë vesh se ç’po thuhej.

      Edhe pse pirja e cigares në sallë është e gabuar, kjo nuk e ka ndaluar Harandinajn që ta bëjë “vetë ligjin”. Megjithatë nuk duhet lënë pa përmendur se edhe pse me cigare, deputeti mbante vënë dorezat dhe maskën për të parandaluar koronavirusin.

      Daut Haradinaj është vëllai i Ramush Haradinaj dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë Luftës. Ai ishte pjesë e udhëheqjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

    • 8:46

      Kuvendi votoi rrëzimin e qeverisë/ Kurti shkarkon Avdullah Hotin e LDK-së nga posti i zëvendëskryeministrit

      Albin Kurti dhe Abdullah Hoti

      Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shkaruar nga posti i zv/kryeministrit, Avdullah Hoti, i cili është nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këtë vendim Kurti e mori menjëherë, pasi parlamenti miratoi me 82 vota mocionin për rrëzimin e qeverisë së tij.

      Në një njoftim të shkurtër nga zyra e kryeministrit në detyrë thuhet se Albin Kurti, ka marrë vendim “për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, z. Avdullah Hoti dhe se vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga kryeministri”. Ky është shkarkimi i dytë që kryeministri në Kurti u ka bërë anëtarëve të qeverisë nga radhët e Lidhjes Demokratike e Kosovës, pasi një javë më parë shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliu.

    • 8:23

      Rrëzohet qeveria e Kurtit/ Vjosa Osmani: S’e tradhtova LDK-në, nuk e votoj asnjë mocion që e kthen PAN-in në qeveri

      Vjosa Osmani

      Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim për të cilin tha se nuk do të donte ta mbante pak para votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend. Ajo u shpreh se kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa i kishte akuzuar partitë e tjera se kishin krijuar korrupsionin dhe nepotizimin në administratë dhe se kurrë nuk do të jepte një votë pro tyre.

      “Unë nuk e votoj asnjë mocion që e kthen PAN-in në qeveri. Sot në Kosovë rrezikohet të përhapet edhe një pandemi tjetër, ajo e dehumanizimit dhe përçarjes. Kjo që po ndodh sot do të mbahet mend, sikur koronavirusi. Unë e kam respektuar çdo pikë që ka vendosur Mustafa. Po e citoj kreytarin Mustafën: Ata e kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe nuk mund ta luftojnë asnjërën e tjetrën. Ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive, ata që nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranët e luftës. Ata duhet të shkojnë të pastrohen në lavazh e jo të qeverisin. E kishte fjalën për partitë e PAN-it”, u shpreh ajo.

    • 8:12

      Rrëzimi i qeverisë së Kurtit/ Haradinaj: Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë

      Ramush Haradinaj

      Ish-kryeminitri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit. Ai është shprehur se votimi i djeshëm në Kuvend, vërtetoi se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë. Ai shton më tej se intitucionet e reja do të do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës.

      “Sot, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 82 vota përkrahën mocionin e votëbesimit. Ky është një vërtetim se Kushtetuta dhe Kuvendi në Kosovë funksionojnë, dhe se shteti i Kosovës rreshtohet me vlerat më sublime të demokracisë. Kam besim të plotë që institucionet e Republikës do të konstituohen shpejtë dhe se nuk do të ketë boshllëk qeverisës”, ka shkruar ish-kryeministri në Facebook.

    • 23:23

      Qeveria ‘Kurti’ u rrëzua, çfarë pritet të ndodhë në Kosovë?

      Albin Kurti

      Me 82 vota, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit. Pas një seance maratonë, deputetët e opozitës duket se i janë bindur propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrënuan qeverinë e cila pati jetë vetëm 52 ditë. Më jetëshkurtra në Kosovën e pasluftës. Por akti përfundimtar, pra hedhja në tokë e Kurtit ishte i parashikuar, pasi LDK kishte nisur një fushatë takimesh me partitë opozitare që e kishin ëndërruar gjatë këtë ditë.

      Por ajo që nuk dihet është se çfarë do ndodhë me Kosovën nesër?

      Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti duhet të mbledhë të gjitha partitë dhe të krijojnë një qeveri të unitetit kombëtar, ku vetëm LVV nuk do jetë në qeveri. Por nëse partitë nuk bien dakord për të qeverisur së bashku mund të kemi dhe zgjedhje të reja. Por duke parë situatën në të cilën ndodhet Kosova, ku koronavirusi po zgjerohet dhe ka marrë dhe jetën e parë, zgjedhje duken shumë larg. Dhe kjo situatë nuk zgjidhet me zgjedhje. Nga nesër duket se Kurti duhet të lërë karrigen e Kryeministrit që e gëzoi për 52 ditë, dhe në vendin e tij mund të ulet aleati që i “nguli thikën”, Isa Mustafa. Nga nesër Vetënvendosje do kalojë në opozitë e me vetë do marrë 3 deputetë të LDK-së që dolën kundër vullnetit të kryetarit Mustafa.

    Shto Koment