Aktualitet

U lirua dje nga burgu, OFL i dërgon “pusullën” Saimir Gjepalit, llogari për pasuri jep edhe “Zoti” i drogës në Itali/ S’shpëtojnë as dy djemtë e fisit “Bajri” (EMRAT)

Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularët e pasurisë dy të fortëve në Shkodër dhe dy të tjerëve në Durrës. Në mesin e tyre është edhe Saimir Gjepali, pjesë e bandës së Avdylajve, i cili u lirua nga burgu ditën e djeshme.
Featured image of article: U lirua dje nga burgu, OFL i dërgon “pusullën” Saimir Gjepalit, llogari për pasuri jep edhe “Zoti” i drogës në Itali/ S’shpëtojnë as dy djemtë e fisit “Bajri” (EMRAT) OFL

TIRANË- Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularët dy të fortëve në Durrës dhe 2 të tjerëve Shkodër. Ata kanë 48 orë kohë për t’ju përgjigjur me shkrim pyetjeve, të cilat do të dorëzohen më pas në SPAK. “Dosja.al” ka mësuar emrat e personave, të cilëve u është dërguar formulari. Ata janë Erogen Brajoviq, Denis Brajoviq, Saimir Gjepali, Alket Hatija.

Erogen Brajoviq dhe Denis Brajoviq u arrestuan në kuadër të operacionit “Oaz”, si pjesë e grupit të strukturuar “Bajri”.  Ndërkohë Saimir Gjepali u lirua ditën e djeshme nga Gjykata e Durrësit. Kjo gjykatë ndryshoi masën e sigurisë në “Detyrim paraqitje” për Gjepalin. Ky i fundit u arrestua në kuadër të operacionit “Vol-vo 4”, si pjesë e grupit të Avdylajve, pas zbulimit të laboratorit të heroinës në Has. Ai gjithashtu kërcënoi gardianin e burgut “313”, pas sherrit për celularin në qeli.

Në listën e OFL-së nuk ka munguar as Alket Hatiaj, njeriu që cilësohet nga mediat italiane si ‘Zot’ i drogës, dhe është dënuar me 20 vite burg në Itali, si pjesë e trafikut të drogës dhe pjesëmarrje në bandë kriminale. Alket Hatija u arrestua në Berat pas urdhër-arrestit të lëshuar nga drejtësia italiane. Ai u lirua më 11 korrik 2017 nga Gjykata e Durrësit. Pas këtij vendimi Prokuroria iu drejtua Gjykatës së Apelit në Durrës, ku kërkoi riarrestimin e tij, në pritje për t’u ekstraduar drejt Italisë, por Hatija nuk u gjet në shtëpi.

NJOFTIMI

OFL, 12 qershor

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

– E. B., banues në Shkodër, për të cilin Gjykata e Lartë e Podgoricës, Mali i Zi, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbatja pa leje e armëve dhe eksplozivëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Malit të Zi;

– D. B., banues në Shkodër, nën hetim për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”;

– S. Gj., banues në Durrës, i dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”;

– A. H., banues në Durrës, i dënuar nga Gjyakata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment