Aktualitet

Përplasje me armë zjarri te ish-Parku/ Plagoset biznesmeni Sino Llanaj, shkoi të merrte hak ndaj ish-ortakut që e rrahu 4 ditë më parë, vetëdorëzohet Albert Allmuça: S’isha fare në kantier

VIDEO
  • EKSKLUZIVE/ Historia e trishtë e banorit që bleu apartament tek pallati i dy ortakëve
  • Sherri i para disa ditëve tek Astiri përfundon në përplasje me armë zjarri mes dy ndërtuesve Sino Llanaj dhe Albert Allmuça. Llanaj shkoi me tri persona të maskuar dhe me shkopa bejsbolli të rrihte ish-ortakun, por u përplas me rojet e ish-ortakut. Gjatë konfliktit dyshohet se Allmuça doli nga zyra dhe qëlloi me armë zjarri. Plumbat kapën në këmbë Llanajn, ndërsa u plagos edhe roja i pallatit dhe një kalimtar.
    Featured image of article: Përplasje me armë zjarri te ish-Parku/ Plagoset biznesmeni Sino Llanaj, shkoi të merrte hak ndaj ish-ortakut që e rrahu 4 ditë më parë, vetëdorëzohet Albert Allmuça: S’isha fare në kantier Albert Allmuça dhe Sino Llanaj

    TIRANË– Përplasje me armë zjarri në zonën e ish-Parkut të Autobusave mes dy ndërtuesve Sino Llanaj dhe Albert Allmuça. Ngjarja ndodhi mëngjesin e të mërkurës (13 janar), kur biznesmeni Sino Llanaj shkoi për të marrë hak për konfliktin e një jave më parë. Ai u rrah me ish-ortakun e tij, me të cilin është në gjyq Albert Allmuça, dhe konflikti nuk u mbyll atë ditë, por ka vijuar ditën e sotme.

    Biznesmeni bashkë me tri persona të tjerë, të maskuar dhe me shkopa bejsbolli hyri në pallat, dhe shkoi direkt për te zyra ku dyshonin se ndodhej ish-ortaku i tij, Albert Allmuça. Në hyrje të pallatit, rojet e Allmuçës janë konfortuar fizikisht me ta, ndërsa i plagosur pas përdorimit të armës së zjarrit ka ngelur Sino Llanaj, 42 vjeç.

    Ai u qëllua në këmbë ndërsa ende është e dyshimtë se kush ishte personi që nxorri armën e zjarrit. Versioni paraprak që vjen nga dëshmia e biznesmenit i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën është se është qëlluar nga ish-ortaku i tij, ndërsa zyrtarisht ende nuk dihet se ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes, Allmuça u shpall në kërkim, por ai u vetëdorëzua vetë në mesditë në ambientet e komisariatit nr.2 në Tiranë.

    Në një reagim të mëvonshëm, kompania e ndërtimit Star Construction, mohoi që Allmuça të kishte qëlluar mbi Llanajn, ndërsa sqaruan se sipas tyre, biznesmeni nuk ishte fare në kantier, aty ku ndodhet edhe zyra e tij.

    Të shtënat kanë qenë 7-8 herë dhe kanë ngjallur panik tek banorët e zonës.  Po ashtu, kanë ngelur të plagosur edhe roja i pallatit dhe një kalimtar, i identifikuar si Klodian Gomina. Fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës në kryeqytet.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Dosja.al solli edhe foto nga vendi ku ndodhi atentati ku shihen forca të shumta policie dhe ambulanca, teksamerr biznesmenin dhe dy të plagosurit e tjerë. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim dhe tri personat që shoqëronin biznesmenin e plagosur. Pas përplasjes ata janë larguar me një automjet tip Range Rover, ndërsa Allmuça është larguar vetë.

    Si ka nisur sherri mes dy ish-ortakëve?

    Sherri e ka zanafillën në sherrin mes dy ortakëve që kanë ndërtuar bashkë një pallat. Të dy janë në gjyq për 3 milionë euro, që i plagosuri Sino, i cili ka edhe më pak aksione, ia ka borxh Allmuçës. Vetëm para pak ditësh në oborrin e këtij pallati ndodhi një sherr masiv ku i plagosur mbeti Sino. Ndërsa në nëntor, në shenjë revolte Allmuça rreshtoi kamionët në hyrjen e pallatit që kanë ndërtuar dhe të gjithë ata qytetarë që kanë blerë shtëpi tek Sino, nuk futeshin dot brenda.

    (f.m;f.g/dosja.al)

    • 15:51

      Përplasja mes dy biznesmenëve për objektin në Tiranë, reagon avokati i Allmuçës: Nuk ka qenë fare në kantier

      Pas një konflikti mes dy biznesmenëve për një pallat në ndërtim, që përfundoi në plagosjen e dy personave, ka reaguar avokati i Albert Allmuçës. Përmes një deklarate, avokati i Allmuçës thotë se klienti i tij nuk ka qenë prezent në kantier në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ndërsa shton se sapo ka marrë vesh se ishin sulmuar rojet, është paraqitur në komisariat. Sipas avokatit, Allmuça ushtron aktivitetin e tij me korrektësi, duke shtuar se ai ka fituar gjyqin me “Llanaj Ndërtim shkp”.

      REAGIMI I AVOKATIT

      Në lidhje me informacionet e publikuara sot në disa media në lidhje me një konflikt të ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë, dëshirojmë të sqarojmë si më poshtë vijon: Administratori i shoqërisë “Star Construction shpk”, Z. Albert Allmuça, nuk ka qënë prezent në asnjë moment ditën e sotme në kantierin e ndërtimit. Pas marrjes së informacionit se disa persona kishin sulmuar rojet e kompanisë private të sigurimit të kantierit, z. Allmuça u paraqit menjëherë pranë komisiariatit nr. 2 për t’u informuar për ngjarjen. Cdo informacion, i cili ka shoqëruar ngjarjen e sotme duke implikuar shoqërinë “Star Construction shpk”, dhe administratorin e saj, ka qënë dashakeqas me qëllim prishjen e imazhit të shoqërisë dhe administratorit Z. Allmuça, i cili ushtron aktivitetin e tij me korrektësi në fushën e ndërtimit që prej viti 1994.

      Në respekt të së vërtetës dhe mbrojtjes ligjore për cënimit të imazhit publik, kërkojmë që mediat tuaja të përgënjeshtrojnë informacionet e pasakta dhe t’i referohen burimeve zyrtare për këtë ngjarje si dhe dokumentacionit përkatës, të cilat mund të vendosen në cdo kohë në dispozicionin tuaj. Në lidhje me marrëdhënien juridike me shoqërinë “Llanaj Ndërtim shpk”, sqarojmë se:
      Kompania “Star Construction shpk” është investitore dhe zbatuese e vetme e punimeve në kompleksin e banimit në territorin e zones kadastrale Nr.8220, me numra pasurie 7/336, 7/259, dhe 7/260, midis rrugeve “Ndre Mjeda” dhe “Babe Rexha”, Tiranë, e pajisur me leje përkatëse ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

      Në fillimin e punimeve kompania “Star Construction shpk” ka kryer një kontratë bashkëfinancimi me “Llanaj Ndërtim shpk” për të siguruar një pjesë të punimeve në kompleks. Të drejtën ekskluzive për të nënëshkruar kontratat e shitjes së apartamenteve dhe njësive të shërbimit i përket shoqërisë “Star Construction shpk”.

      Për mospërmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e bashkëfinancimit nga ana e shoqërisë “Llanaj Ndërtim”, si dhe për lidhjen e kontratave të prenotimit të ambjenteve të banimit apo shërbimit me palë të treta, subjektet iu drejtuan gjykatës dhe prokurorisë së Tiranës.

      Gjykatë e Tiranës me vendimin nr.1416, datë 02.03.2020 të gjykatës Tiranë, njohu vlerën e detyrimit prej 260 milionë lekë të reja të “Llanaj Ndertim shpk” ndaj “Star Construction shpk”. Ky vendim është ankimuar dhe pritet që të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit për të marrë formën e prerë dhe dhënë zgjidhje problemit të krijuar për qytetarët.

      Ngjarja e sotme është në vazhdën e një sërë veprimesh të kundraligjshme ndaj punonjësve të kompleksit, nga z.Llanaj apo persona të tjerë të orkestruar prej tij. Duke qëndruar në krah të qytetarëve të prekur nga kjo ngjarje e rëndë, mbetemi në pritje të vendimmarrjes të shpejtë dhe të drejtë të institucioneve të drejtësisë dhe ato ligjzbatuese.

    • 13:43

      FOTOT/ Ky është Albert Allmuça, ish-ortaku që akuzohet se plagosi Sino Llanajn te ish-Parku, ndërtuesi mohoi përfshirjen në ngjarje, por para 4 ditësh e mbuloi në gjak

      Albert Allmuça është personi më i dëgjuar për ditën e sotme, dhe jo pa arsye. Biznesmeni është përfshirë prej kohësh në një konflikt me ish-ortakun e tij në kompaninë “Star Construction” me vlerë 3 milionë euro. Dosja.al ka siguruar edhe foton e biznesmenit Allmuça, i cili tashmë është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës dhe ka mohuar të jetë i përfshirë në konflikt apo të ketë plagosur me armë zjarri Sino Llanajn.

      Biznesmeni Albert Allmuça:

      Megjithë mohimin e tij për përfshirjen në ngjarje, Dosja.al ka raportuar që prej disa muajsh konfliktin që përfundoi sot në një përplasje të armatosur dhe ku plumbave nuk iu shpëtoi as kalimtari. 4 ditë më parë ishin rojet e tij që rrahën derisa u mbulua në gjak, Sino Llanaj, biznesmeni që e akuzon Allmuçën se është personi që e qëlloi sot me armë zjarri. 

    • 12:33

      SKANDALI tek ish-Parku! Sherri mes dy ndërtuesve u denoncua muaj më parë, ortakët e nxirrnin inatin tek banorët... policia mbylli sytë para të drejtës PUBLIKE

      Një përplasje me armë e paralajmëruar! Dosja.al ka denoncuar disa herë situatën tek ish-Parku i Autobusëve, atje ku banorët e një pallati u përdorën nga ndërtuesit për inatet dhe pazaret e prishura që kishin me njëri-tjetrin, dhe ku sot, ngjarja degjeneroi në një përplasje banditësh, ku njëri mori gangsterë me shkopa bejsbolli për të marrë hak, dhe pala tjetër iu kundërpërgjigj me armë zjarri. Por kush janë viktimat e vërteta të këtij konflikti? Ashtu siç kemi raportuar edhe më herët, në këtë sherr, ashtu siç ndodh kurdoherë, qytetarët janë ata që e kanë pësuar.

      Banorët e pallatit të ndërtuar nga Albert Allmuça dhe Sino Llanaj, nuk mund të hynin dot në banesat e tyre, të blera me para, pasi rruga ishte e bllokuar nga makinat e vendosura me inerte nga Allmuça për shkak të borxhit të pashlyer që i ka Llano. Ai vendosi një kolonë private makinash me inerte, në një skandal që ndodhi në sytë e të gjithëve.

      Por si është konflikti? 

      Historia fillon me një borxh të njohur nga gjykata, prej 3 milionë eurosh Sino Llanaj i ka aksionerit Albert Allmuça.  Duke qenë se Albert Allmuça që ka dhe maxhorancën në kompaninë ndërtuese kërkon kthimin e borxhit, nuk lejon hyrjen në pallat të banorëve që i kanë blerë hyrjet tek Sino Llanaj Sipas pronarit që ka shumicën, blerja e aparamentit nuk quhet e vlefshme pa kundërfirmën e tij. Kështu, banorët që kanë paguar tek Sino Llanaj, nuk marrin dot as paratë as shtëpinë. Ata nuk kanë mundësi të hyjnë tek shtëpitë që kanë blerë dhe mbi të gjitha nuk u njihet pagesa. Faji i tyre është vetëm se paguan në mirëbesim njërin prej aksionerëve, pa e ditur borxhin dhe sherrin mes tyre, që prej një jave, shihet sesi ka përfunduar.

      Skandali që ndodhi në mes të Tiranës, u denoncua tek Dosja.al, dhe policia bëri sikur shkoi në vendngjarje, e rrethoi me shirit dhe më pas u largua. Rruga mbeti gjysmë e bllokuar, trafiku i papërballueshëm, fushëpamja e kalimtarëve dhe shoferëve e limituar, rreziku për aksidente maksima. Rruga u bllokua dhe banorët as nuk hynin dhe as nuk dilnin dot nga pallati.

      Nga 15 dhjetori, pak dihet për atë që ka ndodhur personalisht mes dy biznesmenëve, por 9 janari kulmoi. Ata u përplasën fizikisht dhe rojet e Allmuçës e rrahën ortakun Llanaj derisa e mbuluan me gjak.

      Sot, konfliktoi shkoi edhe më tej në përdorimin e armës së zjarrit, ndërsa s’dihet sesi kjo çështje do të vijojë. Ata do vazhdojnë sherrin, kushedi për sa vjet, do paguajnë që të mos ndërhyjë shteti, ndërsa banorët nuk do të hyjnë dot në shtëpi.

    • 12:26

      U vetëdorëzua në Polici, 'habit' biznesmeni Albert Allmuça, zbardhet dëshmia: Jam sëmurë me COVID19, s'kam plagosur njeri

      Biznesmeni Albert Allmuça u vetëdorëzua në komisariatin nr.2 në Tiranë pasi u shpall në kërkim nga Policia, për ngjarjen e rëndë te ish-Parku. Por mediat raportojnë se biznesmeni mohon të ketë lidhje me ngjarjen, apo të ketë qenë i pranishëm në konflikt. Newsbomb.al, shkruan se familjarë të Allmuçës kanë kontaktuar me portalin dhe thonë se i afërmi i tyre është prej ditësh në shtëpi, i izoluara, për shkak të Covid-19. I njëjti version konfirmohet edhe nga burime të Dosja.al, që thonë se Allmuça nuk e ka pranuar autorësinë e plagosjes së biznesmenit Sino Llanaj, rojes dhe kalimtarit.
    • 12:23

      Përplasja me armë zjarri te ish-Parku, vetëdorëzohet disa orë pasi u shpall në kërkim biznesmeni Albert Allmuça!

      Albert Allmuça, ish-ortaku i Sino Llanajt është vetëdorëzuar disa orë pas ngjarjes në Polici. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ai është vetëparaqitur në ambientet e komisariatit nr.2, në Tiranë. Ende nuk dihet versioni që ai ka dhënë në Polici, por paraprakisht mësohet se ka mohuar që të jetë përfshirë në konflikt.

    • 12:11

      Sherri në pallatin e 'mallkuar' tek Ish-Parku i Autobusëve, në gusht të 2020-ës një roje u gjet i pajetë

      Pallati i ndërtuar nga dy ish-ortakët Sino Llanaj dhe Albert Allmuça nuk po gëzohet nga banorët që kanë hedhur para për të hyrë në këto banesa. Sherri degradoi sot në një përplasje të rrezikshme me armë zjarri që mund të kishte rezultuar fatale për të dyja palët, por një tjetër ngjarje e cila u raportua disa muaj më parë ishte edhe vdekje e një rojeje. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se në të njëjtin pallat, në muajin gusht të 2020, më datë 13 u gjet  i pajetë një roje i identifikuar me iniciale N.B. 50 vjeç. Asokohe u raportua se 50-vjeçari kishte rënë aksidentalisht nga lartësia.

    • 12:10

      Policia njoftim për përplasjen: Janë shoqëruar disa persona, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën!

      Me datë 13.01.2020, rreth orës 09:20, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri shtetasi S. Ll., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasi K. K., 42 vjeç, i cili po kalonte rastësisht në vendin e ngjarjes.

      Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes

      Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës, si dhe po kontrollohen pamjet filmike, për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje. Në Komisariatin e Policisë Nr. 2 janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për kapjen e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

    • 11:54

      ME VIDEO/ Sot u plagos nga ish-ortaku, kush është biznesmeni Sino Llanaj, si u gjakos dhe u rrah 4 ditë më parë nga ish-ortaku i tij për pallatin tek Parku

      Sino Llanaj, biznesmeni 42-vjeçar që u plagos ditën e sotme gjatë konfliktit me ish-ortakun e tij, Albert Allmuça, ishte prej kohësh në një sherr të fortë me të. Dosja.al raportoi më 9 janar, pamjet e sherrit mes dy biznesmenëve, ku në ndihmë të Allmuçës shkuan edhe rojet, që e qëlluan barbarisht Llanajn.

      Ai u gjakos dhe pamjet bënë xhiron e rrjetit.

      Sherri ka si zanafillë një borxh prej 3 milionë eurosh që dy ndërtuesit pretendojnë se ia kanë njëri-tjetrit. Ata janë bashkëpronarë të një pallati tek ish-Parku i Autobusëve dhe Llanaj është me më pak aksione se Allmuça. Por ‘viktimat’ kryesore të këtij sherri janë banorët e pallatit të cilët edhe pse kanë paguar tek Llanaj nuk mund të hyjnë në shtëpitë e tyre, pasi Allmuça iu ka penguar prej kohësh hyrjen.

    • 11:26

      Pronarja e tokës së pallatit shkon te vendi i krimit, kërkon paratë e saj: Allmuça më ka 4800 euro, i kërkova vetëm 4 mijë se do shtrohem në spital

      Jemine Durishti e cila pretendon se është pronarja e tokës së pallatit të dy biznesmenëve Albert Allmuça dhe Sino Llanajt ka qënë prezente në vendin ku ndodhi plagosja.Para mediave e moshuara deklaron se biznesmenët kanë për t’i dhënë 4800 euro.  Zonja u shpreh po ashtu, se dy biznesmenët i kanë shitur hyrjet nga dy ose tre herë, ndërsa shton se Albert Allmuça nga i cili ajo pret pagesën, është i “mbytur” në borxhe.“Kam për të marrë 4800 euro, kam tre muj që nuk mi jep, me mshifet, djali e ruan me fouristradë. Me Bertin e kam. Kam tërë këto vite që vij dhe më thonë të iki. Allmuça më ka 4800 euro, më shmanget. I thashë mbaji 800 euro, më jep 4 mijë se do të shtrohem në spital. Asgjë nuk më ka ardhur. Ai më thotë që është nëpër gjyqe, kam nisur të marr një kredi. I thashë se nuk më duhet kredia jote, se unë jam nëpër spitale. Të gjithë kemi konflike se ai shet 1 hyrje 2 ose tre herë. Unë nuk kam fuqi që të shkoj në denoncim.”, tha qytetarja.

    • 10:42

      ME VIDEO/ Pamje nga pallati ku u plagos biznesmeni Sino Llanaj, blutë rrethojnë vendin, asnjë lëvizje përreth zonës


      Atentati i ndodhur ditën e sotme në pallatin në pronësi të dy ortakëve, Albert Allmuça dhe Sino Llanaj la të plagosur me armë zjarri këtë të fundit. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje. Siç shihet në pamjet e siguruara nga Dosja.al makinat e policisë kanë rrethuar zonën ndërkohë që disa efektivë shihen në pjesën e jashtme të pallatit. Ngjarja nisi mëngjesin e sotëm në orën 9:35. Si fillim u raportua për të shtëna e më pas u zbardh e plotë ngjarja. Biznesmeni Allmuça ka plagosur me armë zjarri ortakun e tij Llanajn në këmbë, si dhe një kalimtar të rastit.

    • 10:39

      Hyri me shkopa bejsbolli të marrë hak për dhunimin, si iu përgjigj Allmuça Sinos me armë zjarri, rojet nxorrën pistoletat gjithashtu

      Biznesmeni Sino Llanaj që mbeti i plagosur mëngjesin e sotëm tek ish-parku i Autobusëve, donte vetëm të merrte hak për dhunën që pësoi më datë 9 janar në të njëjtin vend. Dosja.al ka mësuar se Llanaj ka angazhuar një grup të tërë me shkopa bejsbolli dhe ka shkuar në pallat për t’i kthyer monedhën ortakut me të cilin është në gjyq për tre milionë eruo.

      Ai është futur brenda bashkë me djemtë e maskuar për të rrahur Allmuçën, por ky i fundit, siç duket e priste një pas-sulm të tillë. Albert Allmuça ka nxjerrë armë sapo ka parë Sinon dhe e ka plagosur në këmbë. Edhe rojet e pallatit kanë nxjerrë pistoletat gjithashtu dhe kanë qëlluar, por plumbat kanë kapur edhe një kalimtar të rastit, i identifikuar si Klodian Gomina bashkë me rojen e pallatit që ndodhej në vendin e ngjarjes.

    • 10:10

      DINAMIKA/ U larguan me “Range Rover”, si u futën katër atentatorët me maska në pallat dhe plagosën biznesmenin Sino, zanafilla e sherrit mes ortakëve

      Dosja.al ka zbardhur skemën e atetantit të ndodhur mëngjesin e sotëm tek ish-Parku i Autobusëve, në rrugën “Ndre Mjeda”. Sot, pas muajve të tërë në konflikt mes dy biznesmenëve Sino Llanaj dhe Albert Allmuça, katër persona të maskuar, janë futur në hyrjen e pallatit dhe kanë qëlluar me armë zjarri. Ata kanë shtënë shtatë herë, dhe një nga plumbat ka kapur biznesmenin Sina në këmbë, që është dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Dosja.al solli edhe foto nga vendi i ngjarjes ku dhe ndodhi atentati. Të katër autorët e maskuar janë larguar më pas me një automjet të llojit “Range Rover”, ndërkohë që policia po punon për kapjen e tyre.

      Si ka nisur sherri mes dy ortakëve?

      Mësohet se sherri e ka zanafillën në sherrin mes dy ortakëve që kanë ndërtuar bashkë një pallat. Të dy janë në gjyq për 3 milionë euro, që i plagosuri Sino, i cili ka edhe më pak aksione ia ka borxh Allmuçës. Vetëm para pak ditësh në oborrin e këtij pallati ndodhi një sherr masiv ku i plagosur mbeti Sino.

      Ndërsa në nëntor, në shenjë revolte Allmuça rreshtoi kamionët në hyrjen e pallatit që kanë ndërtuar dhe të gjithë ata qytetarë që kanë blerë shtëpi tek ‘borxhliu’, nuk futeshin dot brenda. Sot sherri mes tyre degradoi në përdorimin e armës ku mbeti i plagour sërish Sino.

    • 9:58

      Personi i plagosur është biznesmeni që u rrah për pallatin me ortakun e tij

      Personi i cili mbeti i plagosur me armë zjarri ditën e sotme në Tiranë është biznesmeni Sino Llanaj i cili u dhunua fizikisht pak ditë më parë nga truprojat e ortakut të tij Albert Allmuça. Dosja.al publikoi fotot dhe video nga momenti kur biznesmeni u ‘la në gjak’ nga disa persona dhe më pas u dërgua në spital pasi kishte marrë goditje të shumta. Konflikti mes dy ortakëve për pallatin ka nisur kohë më parë ndërsa mëngjesin e sotëm ka degjeneruar deri në plagosje me armë. Llanaj u plagos në këmbë ndërsa mësohet se i plagosur ka mbetur dhe një person tjetër i cili ishte kalimtar i rastit.

    • 9:53

      FOTO NGA VENDI I NGJARJES/ Atentati ndodhi tek pallati që futi në sherr dy ortakët, momenti kur të plagosurin e merr ambulanca

      Sherri mes dy ortakëve në Tiranë ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre. Dosja.al ka siguruar pamjet nga momenti kur ambulanca dhe policia ndodhen para pallatit. Në foto shihet i plagosuri i cili është duke u trasnportuar me barrelë në ambientet e brendshme të ambulancës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në orën 9:35 në zonën e ish parkut të Autobusave në Tiranë. Janë dy biznesmenët të cilët kanë qënë në konflikt prej kohësh me njëri-tjetrin për shkak të konfliktit që kanë për pallatin e tyre të përbashkët. Pak ditë më parë biznesmeni Sino Llanaj u dhunua fizikisht nga truprojat e ortakut, Albert Allmucaj.

    • 9:49

      Plagosja në Tiranë, katër persona qëlluan me armë zjarri

      Dosja.al ka zbardhur detaje në lidhje me plagosjen e një personi me armë zjarri, ngjarje e ndodhur tek ish-Parku i Autobusëve. Mësohet se autorët kanë qenë katër persona, të cilët kanë qëlluar me armë tek rruga “Ndre Mjeda”. Si pasojë e të shtënave është plagosur një person, i cili është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

    Shto Koment