Aktualitet

“Far West” në Mamurras! Plagosen dy efektivët e Patrullës, Policia: Kolegu nxorri armën dhe qëlloi, plumbi kap dhe të afërmin e ish-deputetit Mhill Fufi. 2 të shoqëruar

Përplasje në Mamurras! Policia pretendon se efektivi i partullës gjatë një konflikti me një grup ka nxjerrë armën dhe ka plagosur 2 kolegë, e bashkë me të edhe një qytetar. Ndërkohë që ka nisur puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri më nga Policia e Shtetit janë shoqëruar dy persona, GJon Fufi dhe Alfred Prenga.
Featured image of article: “Far West” në Mamurras! Plagosen dy efektivët e Patrullës, Policia: Kolegu nxorri armën dhe qëlloi, plumbi kap dhe të afërmin e ish-deputetit Mhill Fufi. 2 të shoqëruar Pamje nga vendi i ngjarjes, Ilir Zeka dhe Mhill Fufi

MAMURRAS– Një përplasje alla ‘far west’ është regjistruar mesditën e të martës në qendër të qytetit të Mamurrasit! Dy efektivë të Policisë së Shtetit janë përplasur me një grup personash, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy “blutë” Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, ndërsa nga të shtënat është plagosur edhe Nikoll Vorfi, një nga të dyshuarit kryesor për të shtënat ndaj efektivëve. 

Policia e Kurbinit, disa orë pas ngjarjes ka dhënë informacionin paraprak lidhur me ngjarjen e ndodhur në orën 13:35 të pasdites. Sipas Policisë së Shtetit, disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet. Në konflikt e sipër, Policia pretendon se një nga efektivëvt ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar, duke lënë të plagosur dy kolegët e tij. E bashkë me ta edhe Vorfin. Sipas të dhënave zyrtare të gjithë të plagosurit, të cilët ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë që në Kurbin, është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe specialistë për të zbardhur të plotë ngjarjen e ndodhur. Ndërkohë që nuk ka dhënë asnjë detaje lidhur me “grupin” që u konfliktua me efektivët e Policisë, disa prej të cilëve edhe janë shoqëruar në Komisariat. 

Emrat që Policia i kishte të “vështirë” t’i shënonte edhe me iniciale janë të afërm të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Mhill Fufi. Burime të Dosja.al nga grupi hetimor kanë bërë me dije se deri më tani janë shoqëruar 7 persona, disa prej tyre janë identifikuar si 3 vëllezërit; Gentian Fufi, Besmir Fufi (Gjoni) dhe Rudolf Fufi. Ndërkohë që janë shoqëruar në Komisariat Alfred Prenga dhe Gjon Fufi, 40 vjeç, (vëllai i Nikoll Vorfit) megjithatë nuk dihet se cili ka qenë roli i tyre në plagosje. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Po të njëjtat burime kanë bërë me dije se bashkë me të dyshuarin kryesor të plagosjes së efektivëve, Nikoll Vorfin ka qenë edhe Florian Gega. Ky i fundi është djali i Gjergj Gegës, i cili pak muaj më parë nga emisionin investigativ “Fiks Fare” u cilësua si i “forti” i zonës, pasi ishte përfshirë në një përplasje. 

Ngjarja ka hapur një panik tek qytetarët e shumtë, ndërsa plagosja e uniformave blu ka bërë që drejt qytetit të niset edhe Ardi Veliu, drejtor i Përgjithshëm i Policisë. 

(k.m/f.m;f.g/dosja.al)

  • 20:17

    Shkuan për të vizituar të plagosurin por i pritën me “Shqiponjat”/ MOMENTI kur shoqërohen dy persona tek Trauma, po dëshmojë për ngjarjen e Mamurrasit

    Përplasja me armë zjarri e ndodhur pasditen e sotme në Mamurras ka dërguar në Komisariat dy persona. Deri më tani të shoqëruar janë Alfred Prenga dhe Gjon Fufi, të dy u kapën teksa shkuan në spitalin e Traumës.

    Gjon Fufi është vëllai i Nikoll Fufit (Vorfit), i cili po ashtu ka mbetur i plagosur, megjithatë është jashtë rrezikut për jetën. Dosja.al ka siguruar disa foto nga momenti kur efektivët e “Shqiponjave” i fusin në makinë për t’i dërguar në Komisariat. 

  • 18:39

    Plagosja e 3-fishtë në Mamurras/ Po i kërkonte FNSH-ja, kapen dy të shpallurit në kërkim…

    Pamje nga QSUT

    Efektivët e forcave “Shqiponja” kanë bërë të mundur shoqërimin e dy personave në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me pwrplasjen me armë zjarri në Mamurras, ku u plagosën 2 policë dhe Nikoll Vorfi (Fufi). Të shoqëruar janë Alfred Prenga dhe Gjon Fufi. Ky i fundit është vëllai i të plagosurit Nikoll Vorfi alias Nikoll Fufi.

  • 18:07

    “Ooooo, kuku për ty!”/ PAMJE nga spitali, para të plagosurve të Maminasit tek Trauma shkojnë familjarët, rrëqethin me të qarat: Mor vlla, nana është tek shtëpia!

    Pamje të reja janë publikuar në media nga momenti kur në spitalin e Traumës në Tiranë kanë mbërritur tre të plagosurit nga përplasja në Mamurras. Mirëpo para ambulancës në spital kishin mbërritur familjarët e tyre, që prisnin me ankth për të mësuar gjendjen e të plagosurve. Në videon e mëposhtme dëgjohen teksa qajnë në ambientet e jashtme të spitalit të Traumës në Tiranë por nuk kuptohet se për cilin nga tre të plagosurit bëhet fjalë.

    Ooooo, kuku për ty! Nëna është tek shtëpia mor vëlla. Po qaj për *nuk kuptohet*. Kuku për mua,”-dëgjohet në video.
  • 17:46

    Njëri i ulur në karrige me rrota, tjetri i shtrirë dhe i fashuar në këmbë, momentet kur dy efektivët e plagosur mbërrijnë në Spitalin e Traumës

    Dosja.al ju sjell pamjet nga Spitali i Traumës ku shihet momenti kur efektivët e plagosur në Mamurras, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, mbërrijnë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Siç shihet në video, një nga efektivët është shtrirë në barrel, ndërsa tjetri është ulur në një karrocë. Të dy po futen në spital për të marrë ndihmën e nevijshme mjekësore. Bashkë me ta është edhe një tjetër person, Nikoll Vorfi që ka mbetur i plagosur në ngjarje.

  • 17:26

    Përplasja në Mamurras! Policia shpall në kërkim dy persona, FNSH-të e RENEA-t i kërkojnë në çdo cep

    Foto nga Mamurrasi, vendi ku u plagosën dy efektivët dhe Nikoll Vorfi

    Policia e Kurbinit ka shpallur në kërkim dy persona nga plagosja e trefshitë e ndodhur në Mamurras pasditen e sotme. Mësohet se në kërkim nga blutë e zonës janë 28-vjeçari Ndue Zefi dhe Gjon Fufi, 40 vjeç. Nuk dihet se cili ka qenë roli i tyre në përplasjen me efektivët e Patrullës së Përgjithshme, ku të plagosur kanë mbetur dy prej tyre. Bashkë me ta, sipas Policisë, është plagosur edhe qytetari Nikoll Vorfi.

  • 16:55

    Del FOTOJA/ Ky është Ilir Zeka, polici që mori plumbin pas konfliktit me të ‘fortët e Mamurrasit’

    Dosja.al ka siguruar foton e Ilir Zekës, një prej efektivëve që mbeti i plagosur si pasojë e një shkëmbimi me armë zjarri që ndodhi mesditën e sotme në Mamurras. Zeka aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, aty ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

  • 16:35

    PAMJET NGA TRAUMA/ Spitali i rrethuar me forca të shumta policie, brenda po kurohen efektivët dhe Nikoll Vorfi

    Dosja.al ju sjell pamje nga spitali i Traumës aty ku marrin ndihën e nevojshme mjekësore dy efektivët e policisë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja të cilët u plagosën mesditën e sotme në Kurbin, bashkë dy efektivët aty ndodhet i shtruar edhe Nikoll Vorfi, një prej autorëve që qëlloi drejt policëve. Në spitalin e Traumës vihet re që ka prani të shtuar të efektivëve të policisë, pas ngjarjes së ndodhur.

  • 16:32

    Gjak në tokë! Pamje të reja nga vendi që u shndërrua në ‘shesh lufte’ në Mamurras, njerëzit e alarmuar pas të shtënave

    Dosja.al ju sjell foto të reja nga vendi që u shndërrua në një ‘shesh lufte’ në Mamurras. Siç shihet dhe në pamje, në tokë ka pika gjaku, ndërsa njerëzit e alarmuar nga të shtënat që kanë dëgjuar, kanë dalë nga shtëpitë e tyre.

  • 16:23

    RENEA zbarkon në Mamurras, sekuestron kamerat e bizneseve pranë zonës ku u plagosën policët dhe një prej autorëve

    Forcat RENEA kanë zbarkuar në Mamurras, aty ku u plagosën dy efektivë policia, Ilir Zeka, Flamur Lleja si dhe një qytetar i identifikuar is Nikoll Vorfi. Mësohet se grupi i efektivëve kanë sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve të zonës ku dhe ndodhi ngjarja.

     

  • 16:20

    Kush i “ruajti shpinën” Nikoll Vorfit! I riu shoqërohej me djalin e “të fortit” të Laçit, denoncimi që bëri bujë në TV

    Pamje nga perplasja

    Detaje të reja janë mësuar nga përplasja me armë zjarri në Mamurras pasditen e sotme. Burime për Dosja.al bëjnë me dije bashkë me të dyshuar kryesor për plagosjen e dy efektivëve, Nikoll Vorfin ka qenë edhe djali i Gjergj Gegës. Ky i fundit është dënuar edhe më parë për veprën penale të ndërtimit pa leje. Të njëjtat burime nga grupi hetimor bëjnë me dije bëhet fjalë për Florian Gegën. Emri i Gjergj Gegës është përmendur në shtator të këtij viti, pas një konflikti me Erald Ndojin, i cili pretendonte se vëllezërit Gega i kishin zaptuar rrugën publike duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve. Rasti u denoncua në emisionin “Fiks Fare”, ku vëllezërit Gega konsideroheshin si “të fortët” e zonës.

  • 16:02

    Përplasja me armë në Mamurras, shoqërohen në Polici 7 persona nga fisi i ish-deputetit Mhill Fufi

    Pamje nga vendi i ngjarjes dhe Mhill Fufi

    Detaje të reja nga përplasja me armë në Mamurras, shoqërohen në Komisariatin e Policisë 7 persona, disa prej tyre anëtarë të fisit të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Mhill Fufi. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ndër të shoqëruarit janë 3 vëllezërit; Gentian Fufi, Besmir Fufi (Gjoni) dhe Rudolf Fufi. Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e sotme në Mamurras. 2 efektivët e policisë, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja kanë ngelur të plagosur pas një përplasjeje me një grup, shumë i afërtë me një politikan të PS-së. Nga grupi është plagosur Nikoll Vorfi. Gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën. Shkaku i plagosjes është mospranimi për tju nënshtruar kontrollit policor me arsyetimin se janë të afërtë me PS.

  • 15:56

    “Lëviz makinën”, zbardhet BISEDA që solli tre të plagosurit në Mamurras, PROBLEMATIKU kishte parkuar kundravajtje, nuk bindej

    Dosja.al ka zbardhur bisedën e zhvilluar mes efektivëve të policisë së Mamurrasit, Ilir Zeka dhe Flamur Lleja dhe ‘problematikëve të zonës’ që sollën tre të plagosur në Mamurras. Mësohet se një prej agresorëve kishte parkuar kundravajtje. Për këtë arsye, efektivët janë afruar pranë tij dhe i kanë kërkuar që të lëvizë mjetin. “Lëviz makinën,”- mësohet se i ka thënë ai.

    I bindur për autoritetin e tij në zonë, personi në fjalë, për të cilin Dosja.al mësoi ekskluzivisht se është i afërm i një ish-deputeti, politikan pranë Partisë Socialiste, (emër i njohur për redaksinë), nuk ka lëvizur. Pikërisht kjo bisedë ka bërë që të shkrepet arma dhe plumbat të lënë të plagosur dy efektivët Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, si dhe Nikoll Vorfin, një prej anëtarëve të grupit të autorëve.

  • 15:41

    Pamjet/ Plumbat e shkrepur në Mamurras kapën dhe një makinë të parkuar në rrugë

    Plumbat që ‘fluturuan’ në Mamurras dhe lanë dy efektivë policie të plagosur bashkëm e një qytetar, kanë kapur dhe një mjet që ka qenë i parkuar në rrugë. Dosja.al ju sjell pamjet e makinës së llojit “Mercedez Benz”, ku shihet se ka marrë dëmtime në pjesën e përparmë të saj, si pasojë e plumbave.

  • 14:49

    U plagos bashkë me policët, Nikoll Vorfi është pjesë e grupit të autorëve

    Nikoll Vorfi, personi i tretë që mbeti i plagosur bashkë me dy efektivët e policisë në Mamurras, është pjesë e grupit të autorëve. Dosja.al ka mësuar se Vorfi ka qenë i pranishëm në momentin që ndodhi shkëmbimi i zjarrit dhe për pasojë ka marrë një plumb në këmbë. Vorfi është palë me personat që lanë të plagosur dy efektivët e policisë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, të cilët janë pjesë e grupit të policëve në komisariatin e Kurbinit.

  • 14:43

    Vendi i rrethuar me shirit! Dalin pamjet e para nga Mamurrasi, zona e shkëmbimit të zjarrit që la pas tre të plagosur

    Videoja që po shikoni vjen nga Mamurrasi, aty ku ndodhi një plagosje e trefishtë mesditën e sotme. Siç shihet edhe në pamje, perimetri i zonës ku ka ndodhur plagosja është rrethuar dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme në Mamurras. Si pasojë e një përplasjeje me armë zjarri kanë mbetur të plagosur dy efektivët Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, të cilët kanë marrë nga një plumb në këmbë.

  • 14:39

    Përplasja e policisë me grupin kriminal në Mamurras, Ardi Veliu niset për në vendngjarje, FNSH-ja e Shkodrës nis kontrollet në zonë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është nisur për në Mamurras. Bashkë me të është edhe drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se në ndihmë të policisë lokale janë nisur edhe grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër që do të bëjnë krehjen e zonës për të gjetur autorët. Sakaq edhe grupi hetimor është ngritur.

  • 14:30

    U plagos bashkë me dy policët në Mamurras, zbardhet edhe emri i qytetarit që mori plumbin, pjesë e grupit të autorëve

    Nikoll Vorfi, është qytetari që u plagos me armë zjarri mesditën e sotme bashkë me dy efektivët e policisë. Mësohet se Vorfi ka qenë i pranishëm në momentin që ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit mes efektivëve të policisë dhe se ai është pjesë e grupit të autorëve. Për pasojë, ai ka mbetur i plagosur duke marrë një plumb në këmbë.

  • 14:26

    Ekskluzive/ Të afërmit e një politikani të lidhur me PS kërcënuan policët në Mamurras, morën "hak" pse u shoqëruan në komisariat

    Pamje nga vendi i ngjarjes

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Mamurras, atje ku të afërmit e një politikani të njohur dhe pranë Partisë Socialiste, (emër i njohur për redaksinë), kanë plagosur me armë zjarri në këmbë 3 persona, 2 prej të cilëve, policë. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se konflikti ka nisur për motive banale, ku të afërmit e politikanit janë ndaluar nga policia por nuk kanë pranuar ti nënshtrohen kontrollit policor. Me argumentin se ‘jemi me Edi Ramën’, ata kanë kundërshtuar ndalimin ndërsa efektivët i kanë shoqëruar. Në momentin që kanë dalë nga komisariati i kanë qëlluar policisë për shoqërimin.  Të plagosur janë efektivët Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, ndërsa personi i tretë është identifikuar si Nikoll Vorfi.

  • 14:21

    Rëndohet bilanci në Mamurras, 3 të plagosur, 2 prej tyre policë

    Pamje nga vendi i ngjarjes

    Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në zonën e Mamurrasit ku 2 efektivë policie dhe një person i tretë janë plagosur. Dosja.al ka mësuar se dy efektivët e Patrullës janë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja. Ata janë konfliktuar me autorët për motive banale dhe për pasojë kanë ngelur të plagosur. Paraprakisht mësohet se efektivët janë plagosur në këmbë dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital.

  • 14:20

    Të shtënat në Mamurras, të plagosurit janë dy policë, zbardhen emrat e tyre

    Pamje nga vendi i ngjarjes

    Dosja.al ka zbardhur emrat e dy efektivëve që mbetën të plagosur mesditën e sotme në Mamurras. Mësohet se bëhet fjalë për Ilir Zeka dhe Flamur Lleja, të cilët kanë marrë nga një plumb në këmbë.  Të dy rezultojnë të jenë punonjës në komisariatin e Kurbinit dhe kanë qenë në patrullim, në momentin që janë plagosur.

Një Koment në ““Far West” në Mamurras! Plagosen dy efektivët e Patrullës, Policia: Kolegu nxorri armën dhe qëlloi, plumbi kap dhe të afërmin e ish-deputetit Mhill Fufi. 2 të shoqëruar

  1. Mbajeni per vete emrin e politikanit se mesa kuptohet nuk jua mban ta permendni. Se nga do e marrim vesh ne se kush eshte horri me kostum politikani qe mbeshtet horrat qe qellojne policine e shtetit ne mes te dites hajde merre vesh. Se kuptoj cili eshte qellimi i medias kur ka frike te thote lajmin e plote. Media e vdekur!

Shto Koment