Politike

Sulmi i Ramës për takimin në Durrës, përgjigjet PD/ Bardhi: Vatra e vetme e infeksionit është QSUT, qeveria përdori COVID për të vjedhur shqiptarët

Gazmend Bardhi shkruan se e vetmja vatër e rrezikshme për qytetarët është spitali Universitar “Nënë Tereza”, fakt që sipas tij është i pakapërdishëm nga kreu i qeverisë.
Featured image of article: Sulmi i Ramës për takimin në Durrës, përgjigjet PD/ Bardhi: Vatra e vetme e infeksionit është QSUT, qeveria përdori COVID për të vjedhur shqiptarët Gazmend Bardhi, sekretar i PD dhe Edi Rama, kryeminister

TIRANË- Gazmend Bardhi, sekretar i Përgjithshëm Organizativ i Partisë Demokratike ka marrë në mbrojtje takimin e zhvilluar sot nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha në zonën e ish-kënetës në Durrës. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Edi Rama, se grumbullimi rrezikon jetën e banorëve. Bardhi shkruan se e vetmja vatër e rrezikshme për qytetarët është spitali Universitar “Nënë Tereza”, fakt që sipas tij është i pakapërdishëm nga kreu i qeverisë.

REAGIMI I PLOTË: 

Edi Rama nuk tmerrohet nga shndërrimi i QSUT-së në vatër infeksioni për dhjetëra pacientë, mjekë dhe infermierë. Është fakt se sot vatra e vetme e infeksionit masiv është spitali, që duhet të ishte vendi më i sigurtë e ku masat të ishin me rigoroze. Edi Rama nuk tmerrohet nga varfëria e shqiptarëve dhe nga papunësia masive e tyre.

Edi Rama e përdori coronavirusin për të shtypur, vjedhur dhe gënjyer qytetarët. Është fakt se Edi Rama është i vetmi Kryeministër në botë që vjedh me tendera sekret e koncesione për oligarkët, dhe urdhëron prishjen e Teatrit në mes të pandemisë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndaj Edi Rama ka të drejtë të tmerrohet nga bashkimi i shqiptarëve, që i la pa asnjë ndihmë, pa asnjë mbrojtje, dhe i vodhi e varfëroi edhe gjatë izolimit. Propaganda bajate nuk e mbulon dot revoltën e qytetarëve në çdo cep të vendit. Pushteti kriminal, që lë shqiptarët pa asnjë qindarkë ndihmë në ditën e tyre më të keqe, është drejt fundit.

Më herët gjatë ditës, Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një foto ku Basha duket mes dhjetra protestuesve dhe e akuzon se ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve për të shpërndarë mesazhe politike, që siç i quan ai janë “pllakë gramafoni”. Basha ka nisur një tur takimesh prej ditësh në disa qytete të vendit, ku denoncon efektet që sipas tij janë shkaktuar nga “Ramavirusi”, që ka varfëruar shqiptarët.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment