
TIRANË- Ambasada Amerikane ka komentuar për herë të parë procesin e zgjedhjes së kandidatëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që tashmë ka përfunduar në Gjykatën Administrative për shqyrtim pas ankimimit të 7 aplikantëve. Në një postim në Twitter, ambasada thotë se mbështet procesin objektiv dhe të bazuar në merita të hetuesve të BKH, ndërsa shton se aftësitë fizike dhe intelektuale janë thelbësore për “FBI-në” shqiptare.
“SHBA mbështesin plotësisht procesin objektiv dhe të bazuar në merita të Shqipërisë për të rekrutuar dhe përzgjedhur hetuesit e BKH-së. Këto standarde të zbatimit të ligjit të aftësive fizike dhe intelektuale janë thelbësore që BKH-ja të përmbushë mandatin e saj.”-thekson Ambasada.
Por pikërisht kjo është edhe arsyeja pse aplikantët e kanë kallëzuar Komisionin e Vlerësimit të BKH-së në Gjykatën Administrative. Në padinë e siguruar nga Dosja.al, aplikantët deklaronin se nuk ishin informuar për zhvillimin e testit fizik, as për pikët, as për metodologjinë dhe as për normat që duhet të kapnin. Aplikantët kanë paditur drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, kreun e SPAK-ut, Arben Kraja dhe dy anëtarët e Komisionit Vlerësues, Dritan Prençi e Vladimir Mara në Gjykatën Administrative, për manipulim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve.
Byroja Kombëtare e Hetimit ka hapur aplikimet për grupin e ri të hetuesve. Në fund të këtij procesi do të zgjidhen 60 hetues që më pas do të trajnohen nga FBI dhe do të përbëjnë të gjithë grupin e hetuesve në BKH, e cila do të hetojë zyrtarët e lartë të përfshirë në krim dhe korrupsion.
(F.g/dosja.al)