Aktualitet

Situata me zjarret në vend, Meta: Janë mbi 70 vatra aktive, e patolerueshme që punohet vetëm me mjete rrethanore, Haki Çako të kthehet në krye të detyrës

Kreu i Shtetit përsërit thirrjen e kreut të KLSH-së Arben Shehu, teksa kërkon kthimin në detyrë të Kreut të Emergjencave Civile, Haki Çako, për të cilin u raportua se ishte me pushime.
Featured image of article: Situata me zjarret në vend, Meta: Janë mbi 70 vatra aktive, e patolerueshme që punohet vetëm me mjete rrethanore, Haki Çako të kthehet në krye të detyrës Ilir Meta

TIRANË– Presidenti Ilir Meta e ka komentuar si alarmante situatën e zjarreve në Shqipëri. Në një postim në profilin e tij në Facebook, Meta shkruan se është e patolerueshme që kur ka mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë, strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore.

Meta shton se nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore, në veçanti Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe marrjen e çdo mase të duhur, nëpërmjet angazhimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, përfshi Forcën Ajrore, për të kryer operacione efikase në rajonet ku rrezikohen jetët e qytetarëve dhe zonat e mbrojtura.

Kreu i Shtetit përsërit thirrjen e kreut të KLSH-së Arben Shehu, teksa kërkon kthimin në detyrë të Kreut të Emergjencave Civile, Haki Çako, për të cilin u raportua se ishte me pushime.

Reagimi i plotë i Metës:

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Me shumë shqetësim po ndjek prej ditësh situatën alarmante të përhapjes së zjarreve në disa Qarqe të vendit, me pasoja tepër të rënda për pasuritë tona natyrore. Prej më shumë se një muaji, kam kërkuar reagimin në kohë të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë Brendshme për mbështetjen e pushtetit vendor, në të gjitha bashkitë, për të qenë në gatishmëri për situata të papërballueshme për kapacitetet lokale, në përgjigje edhe të paralajmërimeve të bëra më herët nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Duke vlerësuar sakrificat e deritanishme të forcave zjarrfikëse, të personelit të Forcave të Armatosura dhe të Ministrisë së Brendshme, konstatoj se megjithatë situata po percipiton shumë rrezikshëm. Aktualisht ka mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë, ku një pjesë e tyre kërkojnë organizimin e operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore. Për këtë arsye inkurajoj domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të patur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike. I njohur me thirrjen publike të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ndaj të njëjtin vlerësim mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit, të Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si dhe e dënoj me forcë këtë sjellje të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kufijtë e veprës penale, të shpërdorimit të detyrës. Nxit institucionalisht të gjithë autoritetet qendrore e vendore, në veçanti Ministrinë e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të vazhdojnë përpjekjet dhe komunikimin intensiv mes tyre, për koordinimin në kohë dhe marrjen e çdo mase të duhur, nëpërmjet angazhimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, përfshi Forcën Ajrore, për të kryer operacione efikase në rajonet ku rrezikohen jetët e qytetarëve dhe zonat e mbrojtura. Vlerësoj gjithashtu nevojën për t’ju drejtuar sa më parë për ndihmë Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane, duke patur parasysh se prioriteti absolut duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe pasurive publike e private.

Zjarret janë ende aktive dhe po përpijnë disa dhjetra hektarë pyje dhe kullota të gjelbra. Vlora është zgjuar edhe sot nën pushtetin e flakëve, ku pas mesnatës, mali i Tragjasit, në anë të ByPass-it të Vlorës është përfshirë nga zjarret. Djetra vatra të tjera janë aktive. herët Arben Shehu tha për Top Channel se Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë emergjencave civile është bllokuar, pasi drejtori Çako është me pushime. Shehu i bëri thirrje publikisht Çakos që të kthehej në detyrë.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment