Aktualitet

9 raste të reja me COVID-19, 51 të prekur/ Pacienti tek “Shefqet Ndroqi” pasi takoi kushëririn nga Italia, infektoi edhe mjekët (DETAJE)

VIDEO
Rakacolli sqaroi se stafi mjekësor është në gjendje të mirë dhe të vetë-karantinuar. Ata janë infektuar nga një pacient i shtruar në këtë spital, i cili nuk iu tregoi personelit se u vizitua nga një i afërm që kishte ardhur nga Italia.
Featured image of article: 9 raste të reja me COVID-19, 51 të prekur/ Pacienti tek “Shefqet Ndroqi” pasi takoi kushëririn nga Italia, infektoi edhe mjekët (DETAJE) Mira Rakacolli, zv.ministre e Shëndetësisë

TIRANË- Brenda 24 orëve janë zbuluar 9 raste me koronavirus në Shqipëri. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri me dije se në total numri i të prekurve me COVID-19 arrin në 51 në total, përfshirë këtu rastin e viktimës në Durrës. Ndërkohë që nga 9 rastet e reja, 4 prej tyre janë staf mjekësor në spitalin e Senatoriumit ‘Shefqet Ndroqi’ në Tiranë, ku dje u zbuluan edhe 2 mjekë të prekur nga koronavirusi. Ndërkohë sot një mjek nga Infektivi i QSUT-së ka rezultuar pozitiv ndaj pandemisë duke e çuar në 8 numrin e bluzave të bardha që janë infektuar. Rakacolli sqaroi se stafi mjekësor është në gjendje të mirë dhe të vetë-karantinuar. Ata janë infektuar nga një pacient i shtruar në këtë spital, i cili nuk iu tregoi personelit se u vizitua nga një i afërm që kishte ardhur nga Italia. Ky pacient, u infektua vetë nga ky familjar, e më pas, ka arritur të transmetojë COVID-19 tek stafi mjekësor. Ndërkohë që numri i të prekurve në Tiranë shkon në 34,  në Fier nga 5 shkon në 6, ndërsa në qytetet e tjera nuk janë regjistruar më raste të reja, duke e izoluar COVID-19 deri më tani në Shqipërinë e Mesme, Durrës, Tiranë, Lushnje, Fier dhe Rrogozhinë.

NJOFTIMI I PLOTË

Zv/Ministrja Mira Rakacolli informon mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë: 9 raste të reja me COVID-19, apel për qytetarët të bashkëpunojnë me stafet mjekësore Në vijim të punës së kujdesshme dhe profesioniste të bërë nga ISHP dhe njësitë e kujdesit vendor, për identifikimin dhe gjurmimin e rasteve, në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 51 raste:

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 34 raste

Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)

Lushnje 2 rast

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Elbasan 2 raste

Fier 6 raste

Rrogozhinë 2 raste

Prej tyre:

20 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina). Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.  Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Në vijim të HETIMIT TË HOLLËSISHËM EPIDEMILOLOGJIK të filluar ditën e djeshme në spitalin “Shefqet Ndroqi”, kanë dalë pozitiv edhe 4 raste personel shëndetësor (një mjek dhe 3 infermierë) të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që, më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.  Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që NUK E KA DHËNË KËTË INFORMACION TEK STAFET MJEKËSORE.  Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, PA SIMPTOMA dhe i vetëkarantinuar.  Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara.

Nisur nga sa ju informuam, dua të përsëris edhe një herë thirrjen për qytetarët:
Telefononi në numrin 127!  Jepuni informacion të hollësishëm stafeve mjekësore!
Nëse mbani të fshehtë informacionin e lëvizjeve tuaja nga personeli shëndetësor, rrezikoni të infektoni personelin dhe të afërmit tuaj. SOT ËSHTË DETYRIM që të mbrojmë personelin shëndetësor.

Ju lutem qytetarë: Shmangni vajtjet direkte në spitale. Qëndroni në shtëpi!  Respektoni rregullat e reja!  Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë!

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 51 të prekur. Shkon në 7 numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar, nga Spitali i Durrësit dhe spitali “Shefqet Ndroqi”. Disa ditë më parë një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit ndërsa deri më tani vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, Lushnje dhe Fier. Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. Rama iu bëri thirrje spitaleve private për t’ju bashkuar shërbimit shëndetësor publik. Ai paralajmëroi se do të gjobiten me 5 mln lekë spitalet që mund të refuzojnë këtë thirrje dhe bizneset që rritin çmimet. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.

(F.g/dosja.al)

  • 22:15

    ‘Nuk është karantinim, është arrest shtëpie’, aktori Neritan Liçaj nuk e pranon izolimin

    Aktori i njohur shqiptar, Neritan Liçaj ka bërë me dije se nuk do të qëndrojë i mbyllur në banesë prej koronavirusit. Me anë të një postimi në Facebook, Liçaj shkruante se e izolimi i qytetarëve nuk është karantinim por “arrest shtëpie” dhe se nuk do t’i bindej kryeministrit Edi Rama.

    “Nuk është karantinim, është arrest shtëpie që e ka vënë thithsi i pluhurave i tmerruar nga 2 Marsi. Dhe ju prisni që unë ti bindem plehrës?,“-tha Liçaj.

  • 22:00

    LIVE-PAMJET 3D/ Shqipëria merr frymë “jeshile“, COVID-19 zhduk ndotjen, izolimi dhe reduktimi i makinave pastron gjithçka

    Çdo e keqe ka një të mirë! Koronavirusi ka sjellë një të mirë për të gjithë gjithë Shqipërinë dhe specifikisht Tiranën.Ndotja e ajrit jo vetëm që është ulur por për herë të parë e gjithë Shqipëria është bërë “jeshile”, ngjyrë kjo që tregon se në vend nuk ka ndotje të asnjë lloji. Sipas hartës live të “Air Visual”, Shqipëria ka marrë pak “frymë” vetëm falë koronvirusit, pasi prej katër ditësh është ndaluar transporti publik dhe qarkullimi me makina private. Vendimi i kryeministrit Edi Rama mund të rezultojë ose jo efektiv për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por një gjë është e sigurt; vendi është kthyer në normalitet. Për shkak të makinave të shumta private, të cilat emetonin shumë gazra të dëmshme në hapësirë, Tirana ishte kthyer në një vend “të kuq” sa i përket ndotjes së ajrit. Gjatë natës ishte e vështirë që të merrje frymë, madje arritëm në ate pikë që smogy mund të shihej me sy të lirë.

    Shqipëria pa makina

    Mirëpo jo më…të paktën edhe për 10 ditë të tjera. Prandaj hapni dritaret dhe shijoni sa të mundi nga ajri më i pastër që kryeqyteti ka pasur në dekada. Tek e fundit nuk do zgjasë shumë…

  • 16:57

    Mjeku reanimator në QSUT preket nga COVID-19, shkon në 8 numri i mjekëve të infektuar

    Foto ilustruse

    “BalkanWeb” dhe “News24” mësojnë se ka shkuar në tetë numri i mjekëve të infektuar me koronavirus në Shqipëri. Gazetarja Aurora Golemi tha në një lidhje live në “News24” nga Infektivi i Tiranës se burime brenda QSUT i kanë konfirmuar se një mjek reanimator është prekur nga COVID-19. Mjeku i është nënshtruar testit për koronavirus, prej ku ka rezultuar pozitiv, duke e çuar në tetë numrin e bluzave të bardha të infektuar në vendin tonë. Nga ana tjetër, gazetarja Golemi tha se gjatë orëve të fundit pranë Infektivit të QSUT kanë mbërritur gjashtë autoambulanca, të cilat kanë sjellë pacientë, ku një pjesë e të cilëve kanë zbritur vetë me këmbët e tyre, por një pjesë tjetër janë marrë me barrel. Kjo hedh dyshime se orët dhe ditët në vijim numri i të prekurve me koronavirus mund të rritet.

    Marrë nga BW

  • 14:54

    Kush janë dy deputetët që kryen testin për COVID-19, në listë edhe biznesmeni i njohur, vetë shpëtoi, por e gjithë familja e prekur nga koronavirusi

    Dosja.al zbulon se në listën e personave që Inspektoriati i Shëndetit Publik ka testuar nëse janë të prekur nga COVID-19, janë edhe dy emra të njohur të politikës shqiptare. I pari, një deputet i qarkut Shkodër, (emër i njohur për redaksinë), ka qenë ndër të parët që ka marrë tamponin e analizës, pasi ka qenë njohje me pacientin zero, (lexo këtu për të). 

    Për fat të mirë, deputeti ka rezultuar negativ. I dyti, një nga deputetët e listës Basha në qytetin e Durrësit, (emër i njohur për redaksinë), ka kryer analizat për COVID-19 dhe ka rezultuar se nuk është i prekur nga koronavirusi. I njëjti fat, është edhe për një biznesmen, emër shumë i njohur për publikun shqiptar, (identitetin e të cilit kemi zgjedhur të mos e publikojmë për shkak të dëmtimit të imazhit në mënyrë të padrejtë). Biznesmeni, nuk është vetë i prekur me COVID-19. Por për fat të keq, gjysma e familjes së tij, pas kryerjes së analizave ka rezultuar pozitive me COVID-19.

  • 13:44

    2 deputetë me COVID-19, flet socialistja Klodiana Spahiu: S'është turp...por unë s'kam informacion, nëse ka...

    Deputetja socialiste, Klodiana Spahiu komentoi lajmin se mes personave të testuar me COVID-19 janë edhe dy deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Spahiu tha se nuk ka dijeni për një fakt të tillë, nëse janë të prekur ose jo, por shtoi se ky nuk është një turp.

    “Absolutisht nuk është turp. Kjo është situatë që mund të prekemi të gjithë. Ndaj është pandemi dhe duhet të mundohemi të respetojmë disa rregullat dhe t’i nënshtrohemi vetë izoloimit. Ky është moment kritik, ndaj duhet të përballemi sa më mirë. S’kam informacion për kolegë të prekur nga COVID. Nëse ka, i uroj shërim të shpejt. Uroj të kemi sa më pak të sëmurë që shkojnë drejt spitalit dhe sa më pak humbje njerëzore. I bëj thirrje shqiptarëve që të tregohen solidarë me njëri-tjetrin.”, tha Spahiu në një lidhje live në News 24. 

  • 13:13

    FOTOT/ Spërkatja me alkool dhe klor shkatërron COVID-19? Përgjigjet ISHP: Kini kujdes, po ka hyrë në trup...

    Instituti i Shëndetit publik ka publikuar të tjera rekomandime të rëndësishme, dhe përgjigjie për shumë pyetje që shqetësojnë qytetarët.

    Pyetje: A mund që spërkatja me alkool apo klor në të gjithë trupin tuaj të shkatërrojë COVID-19?

    Përgjigja e ISSH: “Jo! Spërkatja me alkool ose klor në të gjithë trupin tuaj nuk do të shkatërrojë virusin, që ka hyrë tashmë në trupin tuaj. Spërkatja me substanca të tilla mund të jetë e dëmshme për sytë, gojën, mukozën, rrobat. Kini kujdes që alkooli dhe klori mund të jenë të dobishëm për dezinfektuar sipërfaqet, por ato duhet të përdoren nën rekomandimet e duhura.”

  • 13:05

    Bashkia Roskovec thirrje banorëve të fshatit Mbërs: Ugjentisht izolohuni, çifti i bashkëshortëve rezultoi me COVID-19

    Qyteti i Roskovecit

    Bashkia e Roskovecit u ka bërë thirrje banorëve të fshatit Mbërs të vetëizolohen, pasi çifti Mirisaj nga ky fshat ka reuzltuar me koronavirus.

    Njoftimi i Bashkisë:

    📌📌Njoftim i rëndësishëm!
    Në vijim të masave të ndërmarra për parandalimin e virusit COVID-19 dhe në bashkëpunim të ngushtë me Q Sh të Bashkisë Roskovec ,
    ju njoftojmë se kanë rezultuar pozitiv me Koronavirus #COVID1, dy banorë të fshatit Mbërs, Njësia Administrative Kurjan. Çifti i bashkëshortëve G & S Misiraj, i janë nënshtruar testimit për COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitiv. Kjo familje ka pasur histori udhëtimi në Itali. 📌📌📌Bashkia Roskovec i bën thirrje URGJENTE të gjithë banorëve të fshatit Mbërs të vetë- izolohen, duke qënë se familja Misiraj ka pasur kontakte të ngushta me banorët e fshatit. Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për të kuptuar rëndësinë e kësaj situate dhe respektimin e rregullave bazë: �qëndrimin në shtëpi dhe higjenë maksimale personale për veten dhe të tjerët. ❗️Kjo është një “luftë” që na përket të gjithëve, kujdesuni për veten dhe miqtë tuaj pasi kështu do të mund të mbrohemi të gjithë. Urojmë shërim sa më të shpejtë çiftit Misiraj. Zoti qoftë me ne ! 🙏
    #JoPanik #Kujdes #qendroninështëpi #Vetëizolohu

  • 13:05

    Pacienti i 6-të me COVID-19 në Fier është bashkëshorti i 62-vjeçares, dyshohet se ajo ka infektuar edhe klientët e dyqanit të saj

    Foto ilustruese

    Ministria e Shëndetësisë njoftoi ditën e sotme se në qytetin e Fierit është shënuar rasti i 6-të me koronavirus. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se i infektuari i gjashtë është bashkëshorti i 62-vjeçares që është prekur nga COVID-19.

    Të njëjtat burime bëjnë me dije se ky i fundit ka shoqëruar bashkëshorten në spital, dhe pas konfirmimit të saj është marrë në mbikqyrje. Po kështu 62-vjeçarja ka pasur edhe një dyqan, ku u ka qenë në kontakt me shumë persona dhe dyshohet se mund t’i ketë infektuar ata.

  • 12:00

    COVID-19/ I shërbyen të infektuarës në Fier, 18 persona, mjekë, infermierë dhe sanitarë në pritje të përgjigjes së analizës së dytë

    Foto nga spitali Infektiv

    Sonte në mbrëmje pritet të dalin analizat për stafin mjekësor në Fier, të cilët i shërbyen një personi të infektuar me koronavirus. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se janë 18 persona që presin përgjigjen e analizës së dytë, mes tyre 3 mjekë dhe pjesa tjetër infermierë dhe sanitarë.  Të gjithë personat ndodhen të vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre.

    Ende nuk dihet për masat e marra në spitalin e Roskovecit, pasi  është konfirmuar se njëri prej mjekëve ka pritur pacienten 62-vjeçare,  që më pas shkoi në spitalin e Fierit dhe supozohet se ka rrezikuar stafin.  Ky i fundit është vetëkarantinuar në banesë.

Shto Koment