
ELBASAN– Gjashtë persona nga dy familje, banues në qytetin e Elbasanit janë shoqëruar për në komisariatin e qytetit, disa orë pas vrasjes së vëllait të Talo Çelës, Bujari. Mësohet se gjashtë personat janë shoqëruar gjatë mbrëmjes së sotme, kohë kur Elbasani u sundua nga forcat RENEA.
Konkretisht, efektivët kanë kryer kontrolle dhe kanë bastisur disa shtëpi, në fshatin Broshkë, Përparim dhe Mëngël. Identetet e të shoqëruarve nuk bëhen me dije, por dyshohet se ata kanë lidhje apo dijeni për ekzekutimin dhe autorët e vrasjes së Çelës.
Gjithashtu pika kontrolli janë ngritur edhe në hyrje e dalje të qytetit ku mjete të shumta po i nënshtrohen kontrollit të efektivëve. Për momentin RENEA është vënë në ndjekje të një mjeti që nuk i është bindur urdhërit të ndalimit nga policia.
Bujar Çela u ekzekutua mëngjesin e sotëm para një lokali tek rrethrrotullimi i Bradasheshit. 3 autorët të veshur si policë vranë me armë zjarri 50-vjeçarin dhe pas krimit të rëndë ata dogjën mjetin që përdorën gjatë atentatit. Viktima ishte vëllai i Talo Çelës, të shumëkërkuarit për grabitjen e Rinasit dhe vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës.
(f.m/dosja.al)