Politike

Refuzoi Komisionin e Ligjeve, Meta ‘zbardh’ axhendën e sotme: Qeveria i dinte takimet, nuk anuloheshin

Në një postim në Facebook, zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi shkruan se axhenda e Presidentit ishte e zënë dhe se ai kishte paraqitur gadishmërinë e tij për të marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve në datë 10 maj.
Featured image of article: Refuzoi Komisionin e Ligjeve, Meta ‘zbardh’ axhendën e sotme: Qeveria i dinte takimet, nuk anuloheshin Presidenca

TIRANË- Presidenca ka zbardhur axhendën e Presidentit Ilir Meta ditën e sotme, si dhe ka sqaruar të gjitha arsyet pse Meta nuk mori pjesë në Komisionin e Ligjeve, ku ishte thirrur për të dëgjuar argumentet e socialistëve që kërkojnë shkarkimin e tij.

Në një postim në Facebook, zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi shkruan se axhenda e Presidentit ishte e zënë dhe se ai kishte paraqitur gadishmërinë e tij për të marrë pjesë në Komisionin e Ligjeve në datë 10 maj. Blushi ka shkruar se qeveria dhe Kuvendi e dinin axhendën e Presidentit dhe sërish nuk e morën për bazë gadishmërinë për tu takuar në datë 10 maj.

“Në përgjigje të interesimit të kolegëve gazetarë dhe pasi u njohëm me shpifjet dhe qëndrimet aspak korrekte të deputetëve të Kuvendit njëpartiak, lidhur me arsyet e mospranisë së Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Ligjore, sqarojmë se:

Në datën 28 prill 2021, siç faktohet edhe nëpërmjet këtij komunikimi zyrtar me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Presidenti i Republikës është vënë në dijeni me një kërkesë për takim, për në datën 6 maj 2021, të Ministres Federale për BE-në dhe Kushtetutën të Austrisë, znj.Karoline Edtstadler.

Në datën 29 prill 2021, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, në përgjigjen e dërguar për MEPJ ka shprehur zyrtarisht vullnetin e Kreut të Shtetit për takimin me znj.Edtstadler dhe po këtë ditë Drejtoria e Protokollit të Shtetit ka sugjeruar që takimi, sipas axhendës së përgatitur në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Tiranë, të zhvillohej në datë 6 maj 2021, në orën 11:15 – 11:55.

Edhe ky sugjerim i propozuar, është mirëpritur nga ana e Presidentit Meta dhe është fiksuar në axhendë po atë ditë, më 29 prill 2021.

Ndërkohë në datën 5 maj 2021, Komisioni për Çështjet Ligjore, me anë të një komunikimi të përcjellë në rrugë elektronike dhe shkresore pas orës 14:00 në Institucionin e Presidentit të Republikës, ka kërkuar, që Kryetari i Shtetit të marrë pjesë në datën 6 maj 2021, ora 11:00, në një seancë dëgjimore.

Presidenti Meta, siç është bërë me dije edhe në shkresat e Institucionit të Presidentit të Republikës me nr. prot.1520/2, datë 5.5.2021 dhe nr. prot. 1533/2, datë 6.5.2021, drejtuar Komisionit për Çështjet Ligjore, ka shprehur gadishmërinë e Tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve, por në datën 10 maj 2021.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kjo edhe për shkak se axhenda e Tij për datën 6 maj 2021, ishte e paracaktuar dhe për këtë ka qenë në dijeni edhe Qeveria, siç faktohet nga këto dy dokumenta, që provojnë edhe njëherë nivelin banal të akuzave dhe shpifjeve të sotme të deputetëve të Kuvendit njëpartiak, gjoja për shmangien e Presidentit nga ballafaqimi me ta.

Ky komunikim zyrtar mes Institucionit të Presidentit dhe MEPJ, vërteton botërisht jo vetëm se Qeveria, nga i merr urdhërat Kuvendi njëpartiak, ishte në dijeni të axhendës së sotme të Kreut të Shtetit, por fakton para të gjithë shqiptarëve edhe banalitetin e pretendimeve të deputetëve në skadim mandati.

Sigurisht, që Presidenti i Republikës, nuk mund të anulonte apo të shmangte sot agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën ishin të planifikuara prej kohësh realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit, siç ishte edhe takimi i mëpasshëm me Presidentin e Sllovenisë, Sh.T.Z Borut Pahor.

Blofet e Kuvendit njëpartiak nuk çudisin më askënd, pasi ishte ky Kuvend, që për hir të Partisë i shtoi kushtet e integrimit europian Shqipërisë dhe shkallmoi pabesisht Marrëveshjen ndërpartiake të 5 Qershorit për Kodin Zgjedhor, pasojat e së cilës janë skandaloze me shumëfishim të krimeve zgjedhore”, shkruan Blushi.

Komisioni Hetimor do të punojë për gati një muaj. Sot, me 14 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni i Ligjeve miratoi propozimin për Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me ngritjen e një Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.  Në mbledhje u kërkua që të jetë prezent edhe vetë Kreu i Shtetit, por ky i fundit tha se e kishte axhendën shumë të zënë e se do të paraqitej në seancën e datës 10 maj.

(I.A;f.m/dosja.al)

Shto Koment