Aktualitet

Qeveria dërgon në Kuvend marrëveshjen me COVAX për blerjen e vaksinës Anti-COVID, MSH do të paguajë gati 4 mln euro për 1.4 mln doza për qytetarët (PR.LIGJI)

Qeveria shqiptare kalon në Kuvend marrëveshjen për të blerë 1.4 milionë doza vaksine anti-covid-19 me vlerë gati 4 milionë euro. Paratë do të paguhen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe FDSKSH. Në projektligj thuhet se Shqipëria ka lidhur marrëveshjen me COVAX. COVAX udhëhiqet nga OBSH dhe nismës i janë bashkuar 890 vende.
Featured image of article: Qeveria dërgon në Kuvend marrëveshjen me COVAX për blerjen e vaksinës Anti-COVID, MSH do të paguajë gati 4 mln euro për 1.4 mln doza për qytetarët (PR.LIGJI) Foto ilustruese

TIRANË– Qeveria shqiptare ka dërguar në Kuvend marrëveshjen për blerjen e vaksinës kundër COVID-19, disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë Covax për të siguruar dozat për popullsinë.  Paraprakisht mësohet se shteti shqiptar do të paguajë 3 990 000 euro. Shqipëria do të sigurojë 1 milionë e 400 mijë doza vaksine Anti-Covid, në bazë të një strategjie të përbashkët të 890 vendeve, përfshirë këtu vendet e Bashkimit Evropian, që janë dakordësuar për të blerë vaksinën. Shuma do të paguhet nga buxheti për  Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Në tekstin e projektligjit të dërguar në Kuvend thuhet se: Ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit, ndёrmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Ndërkohë që miratimi i projektligjit theksohet se nuk ishte parashikuar më herët në projektet e Këshillit të Ministrave dhe është urgjencë prokurimimi i vaksinës anti-covid-19.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Për Shqipërinë, anëtarësimi në këtë Aleancë dhe prokurimi i vaksinës nëpërmjet këtij mekanizmi ofron një vaksinë të sigurt dhe të certifikuar. Gjithashtu, kjo alternativë është më fleksibël dhe nuk ka kosto shtesë për shtetin shqiptar (kostoja finale është e njëjtë). Qëllimi i COVAX-it është përveçse prokurimi i një vaksine të sigurt kundër COVID-19 edhe sigurimi i kësaj vaksine te të gjitha shtetet, pavarësisht ekonomisë së tyre”.

“COVAX” është një nga mekanizmat që po nxit zhvillimin e vaksinave kandidatë anti-COVID.  COVAX udhëhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, dhe ka për qëllim që deri në fund të vitit 2021, të ketë shpërndarë 2 miliardë doza vaksinash në të gjithë botën. Prioritet janë punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe më pas qytetarët në bazë të grupimeve të rrezikuara, duke përjashtuar nivelin e të ardhurave si kriter për vaksinimin.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment