Aktualitet

Plagosja e Orges Bilbilit, Policia zbardh ngjarjen: U fut brenda lagjes, nuk e hoqi për asnjë moment armën nga dora

Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.
Featured image of article: Plagosja e Orges Bilbilit, Policia zbardh ngjarjen: U fut brenda lagjes, nuk e hoqi për asnjë moment armën nga dora Orges Bilbili

TIRANË- Policia e Shtetit sqaron se plagosja dhe pikasja e Orges Bilbilit nga efektivi i Shqiponjave ka qenë rastësore. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, PSh thotë se efektivi po patrullonte brenda zonës së Xhamllikut, kur ka parë autorin e masakrës së Lushnjes. I ka kërkuar kartën e ID, por nuk pranoi ta jepte. Më pasd, 30-vjeçari është larguar dhe polici e ka ndjekur. Në ndjekje e sipër, Bilbili ka nxjerrë armë dhe ia ka drejtuar efektivit, i cili në kushtet e vetëmbrojtjes e ka plagosur në këmbë. Për fat të keq është plagosur edhe një kalimtare, M.P., e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

NJOFTIMI I PLOTË:

Tiranë/Informacion paraprak Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të monitorimit të zbatimit të masave shtesë nga qytetarët, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar edhe ditën e sotme të ushtrojnë kontrolle të shumta, jo vetëm në rrugët kryesore, por edhe në brendësi të lagjeve, kryesisht në zonat urbane. Në këtë kuadër, në Tiranë, në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit. Shtetasi Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes. Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë. Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë. Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë. Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit. Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës. Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes. Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë shtetases M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19 , si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.

(f.g/dosja.al)

Shto Koment