Aktualitet

Sherri në gjykatë/ Arbër Çekaj: Sillni prokuror nga Serbia, siç merrni miellin. Bëj burg se jam malok… Kondili: S’më tremb dot! (REPLIKA+LETRA)

Përplasja mes prokurorit Ervin Kondili dhe të pandehurit Arbër  Çekaj zhvendoset edhe në GJKKO. Biznesmeni kërkon përjashtimin e Kondilit nga dosja e tij, pasi e akuzon se akuza është e montuar për shkaqe personale. Prokurori e ka quajtur këtë një kërcënim. Seanca është shtyrë. Më 23 janar, Çekaj bën mbrojtjen dhe jepet vendimi. 
Featured image of article: Sherri në gjykatë/ Arbër Çekaj: Sillni prokuror nga Serbia, siç merrni miellin. Bëj burg se jam malok… Kondili: S’më tremb dot! (REPLIKA+LETRA) Arber Cekaj dhe Ervin Kondili
Përditësuar:

TIRANË- Pronari i “Arbi Garden” Arbër Çekaj i ka dërguar një shkresë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku i kërkon që të përjashtohet nga procesi prokurori Ervin Kondili. Në shkresë, Çekaj është shprehur se kërkon largimin e prokurorit të SPAK, me pretendimin se ky i fundit ka manipuluar dosjen në ngarkim të tij.  Ndërkohë që, po sot, në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, është zhvilluar seanca në ngarkim të biznesmenit të arrestuar për 613 kilogramë në Maminas, sasi e kapur në vitin 2018. Pronari i “Arbi Garden”, është përplasur në gjykatë me prokurorin Ervin Kondili, duke e akuzuar se ai e ka personale çështjen me të.  Për këtë, ai kërkon që të merret një prokuror nga Serbia, nëse SPAK nuk gjen dot prokuror tjetër për të.

 

Kërkesa

 

Kërkesa e Arbër Çekajt për KLP-në (Klikoni këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

“Kondilli e ka personale me familjen time, ai më poshtëroi babain duke hapur me dhunë kontenierin në magazinë. Kondili e ka me familjen Kulici dhe mbiemrin Kulici që kam pasur unë më herët Unë nuk kam asnjë problem me Kondilin. Ky zotëri trafikantit nga Vlora konteineret ja la deri ne fund dhe i humbi orizi. Jam në burg se kam mbiemrin Kulici e jam nga Tropoja dhe jo nga Vlora. Nuk kam asnjë problem me vlonjatët, por grupet kriminale vazhdojnë trafikun dhe unë në burg. Çfarë grupi kriminal kur gënjyet Gjermaninë duke dhënë garanci për proces të rregullt e manipuluat provat. Siç merrni miell, grurë nga Serbia merrni edhe një prokuror për mua nëse nuk ka prokuror tjetër SPAK. Kondili fitoi vettingun e SPAK në kurrizin tim, por ja që kryetar nuk e bënë ndaj të japë dorëheqjen do ishte e ndershme”, është shprehur Çekaj sot në gjyq.

Ndërkohë që i pranishëm në seancën gjyqësore, prokurorit Kondilli është shprehur: Nuk më trembin kërcënimet. Zotëri ndiq procesin dhe prit vendimin e bazuar në prova. Kërko pafajësi po do.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërkohë që në shkresën drejtuar KLP, biznesmeni i arrestuar, njësoj si në atë drejtuar SPAK kërkon përjashtimin e Kondilit, pasi sipas tij, prokurori ka manipuluar të dhënat e TIMS.  “Në seancën gjyqësore të datës 20 Nëntor 2019, prokurori i çështjes Ervin Kondili i ka paraqitur Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, fakte dhe provat të rreme që tregonin të kundërtën (pafajësinë e të pandehurve) në favorin e tij, duke shpërdoruar detyrën dhe funksionin që ai ka.  Nga ana e prokurorit Ervin Kondili është paraqitur prova se i pandehuri Arbër ÇEKAJ sipas Proces Verbal për Kqyrjen dhe Marrjen e Provës Materiale datë 28.02.2018, e marrë nga oficeri i policisë gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, Migena Haxhi, Më datë 28.02.2018 është bërë kqyrja e të dhënave të sistemit TIMS për shtetasin Arbër ÇEKAJ dhe ka rezultuar se dalja e fundit e regjistruar është datë 12.03.2015 nëpërmjet pikës së Kalimit Kufitar Rinas dhe hyrja e fundit më datë 11.02.2018 ora 21:55 nëpermjet pikës Kufitare Murriqan. Ky fakt është paraqitur në mënyrë të qëllimshme për të fajësuar dhe rënduar pozitën e të pandehurit Arbër ÇEKAJ, ndërkohë që nga prova e depozituar nga prokurori rezulton që dalja e fundit e shtetasit Arbër ÇEKAJ rezulton sipas sistemit TIMS që është data 07.02.2018 ora 02:20, por nga sistemi TIMS rezulton se nga viti 2015 ky shtetas ka rreth pesëdhjetë (50) dalje jashtë Republikës së Shqipërisë dhe jo një siç ka pretenduar prokurori në konkluzionet përfundimtare ku ka kërkuar dhe dënimin e shtetasit Arbër ÇEKAJ me 21 vite burgim, bazuar mbi këtë provë.”-thuhet në shkresë.

GjKKO vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullimin e procesit, duke vendosur që seanca të shtyhet për më 23 janar, ditë kur mbrojtja e Çekaj ka të drejtë të bëjë prezantimin. Seanca do të zhvillohet më ora 10:00 dhe po në këtë datë, pritet të jepet edhe vendimi për një nga dosjet më të bujshme për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt vendeve të BE.

Çekaj është pronari i kompanisë “Arbri Garden” në konteinerët me banane të së cilës në fund të shkurtit të 2018 u kapën edhe 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia. Të arrestuar për sasinë rekord që u kap në Durrës në shkurt janë edhe Armando Pezaku shoferi i kamionit dhe Donaldo Lushaj, menaxheri i kompanisë, për të cilët Prokuroria ka kërkuar përkatësisht 13 dhe 14 vite burg. Nëse pranohet kërkesa për ‘gjykim të shkurtuar’ Çekajt do të vuajë 14 vite burg, ndërsa Pezaku dhe Lushaj, përkatësisht 8.8 vite dhe 10.8 vite burg. Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani dhe pas arrestimit ai kërkoi që të mos ekstradohej, me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Ai kërkoi azil në këtë shtet por gjykata e Dyseldorfit vendosi pro ekstradimit të tij. 

(F.g/dosja.al)

Shto Koment