Aktualitet

38 mijë euro “gol” nga Facebook-u/ Arrestohet grupi i mashtruesve, 9 vajza e djem gënjenin miqtë e adresave të vjedhura për t’i zhvatur, në kërkim “ideatori” (SKEMA)

9 të arrestuar gjatë operacionit "Transferta". Zbulohet një grup prej 10 personazh që kanë zhvatur disa persona për një vit rresht përmes rrjetit social Facebook. Të arerstuarit vodhën llogari për të gjuajtur "viktimat". Mashtrimi kap vlerën e 38 mijë eurove. Në kërkim, personi që dyshohet se është ideatori. 
Featured image of article: 38 mijë euro “gol” nga Facebook-u/ Arrestohet grupi i mashtruesve, 9 vajza e djem gënjenin miqtë e adresave të vjedhura për t’i zhvatur, në kërkim “ideatori” (SKEMA) Foto ilustruese

TIRANË- Një grup prej 9 personash janë arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi akuzohen se kanë përfituar përmes mashtrimit në rrjetin social Facebook, një shumë prej 38 mijë euro. Operacioni “Transferta”, ka prangosur 9 të rinj, emrat e tyre ende nuk dihen. Mes të arrestuarve janë edhe disa gra, ndërkohë që në kërkim është shpallur edhe një person i dhjetë që ka bashkëpunuar me grupin.

Të arrestuarit janë: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë. Ata akuzohen për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.

Skema e mashtrimit ka zgjatur për gati 1 vit, ku ata kanë vjedhur llogari në Facebook, iu kanë ndryshuar të dhënat e më pas kanë folur me “friendsat”, (miqtë e këtyre llogarive). Kështu, përmes mashtrimit ata kanë marrë një shumë prej 38 mijë eurosh.

Grupit iu sekuestruan 10 telefona, 10 karta sim, 3 pajisje elektronike dhe një faturë (mandat pagese) që provon mashtrimin. Në kërkim, E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, i cili siç bëjnë me dije burime për Dosja.al është ideatori i skemës.

NJOFTIMI I PLOTË: 

Policia e Shtetit Finalizohet operacioni policor “TRANSFERTA”. Vihen në pranga 9 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër, për veprimtari të kundërligjshme në fushën e mashtrimit kompjuterik. Gjatë operacionit janë sekuestruar prova që faktojnë autorësinë e personave të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Shtetasit e arrestuar kanë përfituar rreth 38000 euro nga mashtrimet nëpërmjet adresave në rrjetin social Facebook.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, nga Sektori për Hetimin e Krimit Kompjuterik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas gati një viti hetimesh proaktive, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacionin policor i koduar “TRANSFERTA”.

Në kuadër të operacionit u kapën 9 shtetas, për të cilët u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” për shtetasit: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, për një periudhë 1-vjeçare, kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38000 euro.

Gjatë operacionit u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqjeje) që faktojnë aktivitetin kriminal të këtyre personave etj. Ndërkohë vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment