Aktualitet

Ngritja e SPAK/ Ibrahimi: Jemi pranë finalizimit, 10 kandidatë pritet të kalojnë në fazën e Vettingut

Mblidhet KLP. Ibrahimi: Ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm janë në fazën finale.

Tiranë- Ditën e sotme në mbledhjen e KLP-së, kreu i këtij institucioni Gent Ibrahimi ka deklaruar se tashmë janë në fazën finale për garën për kryeprokuror dhe ngritjen e SPAK. Në fjalën e tij kreu i KLP-së u shpreh se nga 15 kandidatët për SPAK, 10 prej tyre janë në fazat finale të vettingut ndërkohë që 5  prej tyre e kanë kaluar këtë.

Ibrahimi deklaroi se sot prokurorët e Krimeve  të Rënda kanë ngarkesë dhe pritet që SPAK të ketë një qasje proaktive të hetimit. Ai deklaroi se SPAK mund të ngrihet brenda 2 deri në 3 javësh.

“Kemi përpara dy sfidat kryesore: Ngritja e SPAK dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. Do të vazhdojmë një proces transparent dhe efiçent për vleresimin e magjistratëve me profil prokuror. Jemi në fazën finale për garën për kryeprokuror. Do të kryejmë fazën e verifikimeve paraprake.  5 prej kandidatëve për SPAK kanë kaluar fazën e Vettingut. 10 prej tyre janë në fazat finale të vettingut. Sot prokurorët e krimeve kanë ngarkesë. Ne presim nga SPAK qasje proaktive të hetimi.  “, u shpreh Gent Ibrahimi.

Çfarë është SPAK ose siç njihet ndryshe Prokuroria e Posaçme?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

SPAK është njësia që do të ndjekë çështjet penale në emër të shtetit shqiptar kundër korrupsionit të niveleve të larta drejtuese dhe krimit të organizuar. SPAK ka të drejtë të përfaqësojë shtetin në të tre shkallët e gjyqësorit siç janë Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë.

SPAK është e pavarur në funksionim dhe ushtron detyrën përmes prokurorëve të Posaçëm që do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Prokurorët e SPAK do të kenë një mandat 9-vjeçar dhe ky mandat mund të ndërpritet vetëm nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

J.V/Dosja.al

Shto Koment