Aktualitet

Ndërron jetë në spitalin Infektiv viktima e 10-të nga koronavirusi, MSH sqaron të dhënat për gruan nga Vlora: S’ishte 52, por 72 vjeçe

MSH sqaron se viktima ishte i sëmurë prej 10 ditësh, dhe 4 ditë kishte që ka hyrë në terapi intesive, gjithashtu vuante nga hipertensioni
Featured image of article: Ndërron jetë në spitalin Infektiv viktima e 10-të nga koronavirusi, MSH sqaron të dhënat për gruan nga Vlora: S’ishte 52, por 72 vjeçe Pamje nga spitali infektiv dhe foto ilustruse
Përditësuar:

TIRANË- Ndërron jetë në spitalin Infektiv viktima e 10-të nga koronavirusi në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njofton për herë të parë me iniciale (një taktikë kjo që regjistrohet sot), se viktima është një pacient nga Tirana, Ll.N. MSH sqaron se viktima ishte i sëmurë prej 10 ditësh, dhe 4 ditë kishte që ka hyrë në terapi intesive, gjithashtu vuante nga hipertensioni duke e humbur kështu betejën me koronavirusin. Ministria, bën edhe një sqarim për pacienten që ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme. Ndryshe nga sa u raportua, viktima L.M nga Vlora nuk është 52 vjeçe por 72.

NJOFTIMI I PLOTË:

Ministria e Shëndetësisë/Zyrtare
Ndërron jetë në spitalin infektiv 67-vjeçari, viktima e 10 me COVID-19 në Shqipëri Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. 67-vjeçari me inicialet Ll. N. ishte prej 10 ditësh i sëmurë dhe po trajtohej prej katër ditësh në terapi intensive në gjendje të rënduar, i intubuar. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacienti që vuante nga hipertensioni, nuk arriti të mbijetojë. 67-vjeçari është viktima e dhjetë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri. Mbrëmjen e djeshme ndërroi jetë një paciente nga Vlora, me inicialet L. M., e shtruar prej 4 ditësh në spitalin infektiv dhe në dy ditët e fundit në terapi intensive në gjendje të rëndë. Ju informojmë se pacientja që rezultonte në kartelën e spitalit infektiv në moshën 52 vjeçare, sikundër u raportua mbrëmjen e djeshme, pas verifikimeve me gjendjen civile, është 72-vjeçare. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve dhe apelon qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e izolimit dhe distancimit social. Ministria e Shëndetësisë ju kërkon qytetarëve të telefonojnë urgjencën kombëtare në numrin 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes dhe të mos shkojnë menjëherë në spital.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kjo vdekje e çon numrin e viktimave në 10, ndërkohë që janë 186 të infektuar me Covid-19, mes tyre 4 fëmijë. 31 nga të prekurit janë shëruar, por harta e infektimit është zgjeruar. Puka i bashkohet listës me 2 të infektuar, ndërsa epiqendra është në Tiranë me 107 të infektuar. 12 mjekë dhe infermierë janë prekur, ndërkohë që Spitali Infektiv, COVID1 po mbush kapacitetet me 77 shtretër. Autoritetet kanë vetëm një thirrje për qytetarët: Qëndroni brenda!

(F.g/dosja.al)

Shto Koment