Politike

Kodi Zgjedhor/ Presidenti Meta kthen ligjin në Kuvend dhe i drejtohet “Venecias” për Opinion me kërkesën e Bashës (ARGUMENTET)

  • Balla: U vonove e na humbe kohë, President mistrec e hileqar
  • Meta: Kthimi në Kuvend, mundësi për PS të ‘ruajë’ 5-qershorin…
  • Kreu i Shtetit, Ilir Meta rikthen në Kuvend ndryshimet për Kodin Zgjedhor, që u miratuan me shumicë në Parlament. Në një dekret me 81 faqe, presidenti gjithashtu bën me dije se është drejtuar për opinion tek Komisioni i Venecias, me kërkesën e kryedemokratit Lulzim Basha. 
    Featured image of article: Kodi Zgjedhor/ Presidenti Meta kthen ligjin në Kuvend dhe i drejtohet “Venecias” për Opinion me kërkesën e Bashës (ARGUMENTET) Ilir Meta

    TIRANË–Dy javë pas miratimit në Kuvend me 93 vota, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, pasi i cilëson ato si të njëanshme dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e parimet demokratike të vendit. Në një dekret me 81 faqe, Meta argumenton arsyet pse ky ligj duhet të rishikohet, ndërsa njëherazi i është drejtuar edhe Komisionit të Venecias, (që është një faktor kyç dhe referencë për shumë çështje në Shqipëri), me një kërkesë që siç thotë vetë, i është paraqitur nga kryedemokrati Lulzim Basha. “Pikërisht për këto arsye, që konstatojnë faktin se këto ndryshime të shpejta, të padialoguara dhe të pa dakordësuara, vetëm pak muaj para datës së zgjedhjeve, cenojnë jo një, por disa parime dhe të drejta kushtetuese, ashtu si dhe standardet, angazhimet dhe praktikën e mirë zgjedhore europiane; në mungesë të Gjykatës Kushtetuese funksionale; dhe në respektim të kërkesës zyrtare që më është paraqitur nga Kryetari i Opozitës së Bashkuar për marrjen e një opinioni pranë Komisionit të Venecias, si President i Republikës, në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit (Komisionit të Venecias) për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces”, shkruan Meta.

    Por cilat janë ndryshimet e Kodit Zgjedhor që presidenti i sheh si të njëanshme dhe që shkatërrojnë integrimin e vendit? 

    Ndryshimet e Kodit Zgjedhor përcaktuan një prag kombëtar 1%, një rirenditje të listës të ndarë në dy pjesë, në pjesë e parë, bazuar tek vota preferenciale, me një prag brenda listës prej 10 mijë votash, për kandidatët që duhet të thyejnë listën e parë, një e drejtë për kryetarin e Partisë që të garojë në 4 zona, e po ashtu edhe kandidimin e partive në një listë të përbashkët dhe ndalimin e koalicioneve tradicionale. 

    Disa nga argumentet e presidentit Ilir Meta:

    Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet domokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;

    – Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;

    – Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;

    – Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standartet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;

    – Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rëndë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;

    – Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    – Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit;

    – Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor cenojnë frymën dhe themelin e dakordësisë së arritur në vend përmes Marrëveshjeve të forcave politike të datës 14 Janar dhe 5 Qershor 2020, të cilat kishin si qëllim të garantonin një minimum standardesh për zgjedhjet në Shqipëri;

    – Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor përpiqen të krijojnë një ambjent elektoral rregullash që favorizojnë mazhorancën qeverisëse ku përmes rregullave ambigue e të fshehura, ato do të ndikojnë në leximin real, të qartë dhe objektiv të vullnetit të sovranit në këtë proces zgjedhor;

    – Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, krijojnë rrezik që procesi para-elektoral, ai i fushatës elektorale, i votimit, numërit, dhe ai ankimor deri në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, të zhvillohet nën një klimë të polarizuar politike, antagoniste, të mungesës së besimit ndërmjet palëve, që rrjedhimisht mund të sjellin si pasojë cenimin e standardeve zgjedhore, prishjen e paqes sociale dhe mundësinë e rritjes së tensionit në jetën shoqërore në vend;

    – Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, janë realizuar ndërkohë që Presidenti i Republikës që prej datës 6 shtator 2020 me Dekretin nr. 11700, ka caktuar datën e zgjedhjeve për Kuvendin, ditë e dielë, datë 25 prill 2021, duke prishur kështu rregullat e një procesi zgjedhor që tashmë ka filluar, në shkelje të parimeve demokratike;

    – Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe bien ndesh me jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;

    – Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin e barazisë së votës.

    Për sa më sipër dhe siç do të trajtohet gjerësisht në vijim, duke respektuar edhe kërkesën e grupittë Partive Popullore Europiane të shprehur përmes deputetit të Parlamentit Evropian zoti Michael Gahler1 , në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji në mbështetje të nenit 85 pika 1, kam vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 118/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”, si një mundësi e fundit që mazhoranca qeverisëse e Partisë Socialiste, të reflektojë e të tërhiqet nga sjellja dhe veprimet anti-demokratike që mund të favorizojnë Partinë Socialiste në proçesin zgjedhor të 25 prillit 2021, por që do të dëmtojnë rëndë Shqipërinë, qytetarët e saj dhe të ardhmen europiane të tyre.

    LEXO KËTU ARSYET E KTHIMIT TË LIGJIT NË KUVEND

    (F.M;F.G/Dosja.al)

    Shto Koment