Aktualitet

Merr fund kalvari i vuajtjeve për Alvin Berishën, 11-vjeçari kthehet në gjirin e familjes, i ati rrëfen emocionet

  • Media italiane ‘zbërthen’ prapaskenat e shpëtimi të Alvinit, detajet e operacionit
  • “Jam duke ardhur”, Afrim Berisha tregon çfarë i tha Alvini pas lirimit nga kampi
  • SHËNIM: Kush e shpëtoi Alvinin nga kampi i vdekjes, Italia, Shqipëria apo...
  • Shpëtohet Alvin Berisha. Pas pesë vitesh 11-vjeçari shqiptar kthehet pranë dy motrave dhe të atit Afrim Berisha. Operacioni u realizua në bashkëpunim me Forcat Amerikane, Gjysmë Hënën, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Inteligjencën Italine. Në lidhje me këtë lajm të shumëpritur kanë reaguar edhe politikanët shqiptarë, kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Presidenti lir Meta. 
    Featured image of article: Merr fund kalvari i vuajtjeve për Alvin Berishën, 11-vjeçari kthehet në gjirin e familjes, i ati rrëfen emocionet Alvin Berisha jashtë kampit me vullnetarin e Gjymsë Hënës së Kuqe dhe kampin Al Hol në Siri

    TIRANË-Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar që endej prej pesë vitesh në kampin “Al- Hol” në Siri ka mundur të shpëtojë dhe të kthehet shëndoshë ë mirë pranë të atiti Afrim Berisha dhe dy motrave, të cilët e prisnin me dëshpërim.

    Mediat italiane kanë raportuar se i vogli shqiptar që ka mbërthyer para ekranit njerëzit anëmbanë botës dhe i ka përlotur me historinë e tij është nxjerrë nga kampi ku ka parë tmerre me sy dhe pas pajisjes me dokumente është nisur në Itali.

    Falë një operacioni të realizuar në bashkëpunim me Forcat Amerikane, Gjysmë Hënën, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Inteligjencën Italine, 11-vjeçari është transportuar nga Damasku në Liban dhe më pas është dërguar në ambasadën Italiane në Bejrut, për të vijuar me proçedurat e mëtejshme.

    Mediat në Itali kanë publikuar edhe pamje nga operacioni i shpëtimit të Alvinit, i cili para pesë vitesh u rrëmbye nga e ëma, Valbona Berisha dhe u dërgua në Siri për t’u stërvitur e për t’i shërbyer forcave të ISIS.

    I buzëqeshur, Berisha i vogël shihet teksa ecën ashtu duke çaluar për shkak të një dëmtimi që ka marrë gjatë një bombardimi ku humbi të ëmën. Misionari e merr hopa 11-vjeçarin asi e sheh duke ecur me vështirësi dhe e fut në furgon.

    Në një tjetër foto, Alvini shihet teksa luan në një “Ipad”, mjaft i lumtur tashmë që është pranë derës së shtëpisë së tij. Afrim Berisha, babai i 11-vjeçari ka rrëfyer për mediat shqiptare fjalët që ka shkëmbyer me të birin para se ta takonte. Ai tregon me lot në sy që i biri, të cilin për herë të fundit e pa në kampet e Sirisë falë emisionit “Le Ienne”, i ka thënë me ngazëllim se po kthehet në shtëpi.

    Në lidhje me këtë lajm të shumëpritur kanë reaguar edhe politikanët shqiptarë, kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Presidenti Ilir Meta.

    Alvin Berisha jashtë kampit Al Hol me vullnetarin e Gjysmë Hënës së Kuqe

    Tashmë pas pesë vitesh me zhurma bombash dhe luftrësh, i vogli Alvin do të gjejë paqe pranë familjes së tij ku dhe do të ketë mundësi të vijojë shkollën e të rikuperojë çdo gjë që ka hubur nga fëmijëria e tij e jetuar në Siri.

    Historia e 11-vjeçarit u bë publike nga emisioni investigativ italian “Le Ienne”, ku me ndihmën e gazetarëve, pas pesë vitesh kërkimeve në fund, i ati i dëshpëruar Afrim Berisha, arriti të depërtonte ne kampet e Sirisë dhe takoi të birin, në 25 shtator të këtij viti.

    Tre ditë pas publikimit të investigimit të “Le Iene” për rastin e fëmijët 11 vjeç dha dorëheqjen edhe Genti Gazheli, ambasadori i Shqipërisë në Turqi, por të prekurit nga historia e të voglit shqiptar nuk u  dorëzuan.

    Italianë, shqiptarë dhe njerëz anëmbanë botës bashkë me median ushtruan presion mbi qeverinë shqiptare dhe organet kompetente në mënyrë që 11-vjeçari të hidhej sërish në krahët e të atiti dhe këtë herë për të mos u larguar më kurrë.

    (J.V/A.B/F.M/ Dosja.al)

    • 19:02

      Shpëtimi i Alvin Berishës/ Conte: Në pak orë do të përqafohet me babain e tij në Itali

      Kryeministri italian Giuseppe Conte

      Kryeministri italian Giuseppe Conte ka reaguar, lidhur me shpëtimin e Alvin Berishës sot nga kampi Al-Hol në Siri.

      Në një postim në rrjete sociale, Conte thotë se në orët e ardhshme Alvin do të bashkohet me babain e tij në Itali, duke falenderuar dhe autoritetet italiane, shqiptare dhe organizatat humanitare, të cilat ndihmuan në kthimin e Alvinit pranë familjes.

      Kthimi i Alvinit në shtëpi është një nga ato histori që ju mbush zemrën me lumturi. Fëmija shqiptar, për vite me radhë në një kamp refugjatësh në Siri, në orët e ardhshme më në fund mund të përqafohet nga babai i tij i cili po e pret në Itali.

      Kjo është arsyeja pse unë shpreh falënderimet e mia të përzemërta për të gjithë autoritetet italiane dhe shqiptare, për organizatat humanitare, që kanë bashkëpunuar për këtë operacion kompleks, në një zonë aq të vështirë sa ai sirian. Faleminderit edhe për ato media që kthyen në qendër të vëmendjes historinë e Alvinit të vogël.

      Qeveria italiane ka bërë gjithçka që është e mundur për lirimin e tij. Unë personalisht ndoqa këtë ngjarje, i informuar vazhdimisht dhe në kontakt me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

      Një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm i diplomacisë por mbi të gjitha i bashkëpunimit ndërkombëtar, falë rolit të çmuar të luajtur nga Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe italiane dhe ndërhyrja vendimtare e policisë speciale dhe departamenteve të karabinierisë.

      Më e keqja për Alvin tani është pas tij, në pak orë ai do të jetë i lirë. I lirë të jetë në gjendje të jetojë fëmijërinë e tij, të jetë në gjendje të luajë përsëri, të imagjinojë dhe të ndërtojë të ardhmen e tij. Pa kufizime dhe larg bombave, luftërave, fanatizmit”, shkruan Conte.

    • 19:02

      Basha mesazh prekës për Alvin Berishën: Rrugëtim të mbarë pranë gjirit të familjes, tragjedia s’ka mbaruar

      Lulzim Basha

      Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga qyteti i Vlorës në takim me qytetarët theksoi se shpresën kryesore e ka tek rinia.

      Ndër të tjera Basha u ndal dhe tek historia e Alvinit, ku i uroi rrugëtim të mbarë pranë gjirit të familjes.

      “Dua të shpreh kënaqësinë time personale edhe si prind për lajmin e mirë që morëm për Alvinin. Është një dramë që na ka mbajtur mbërthyer. Është drama e një djaloshi, të shkëputur nga gjiri i familjes. Dua të falenderoj nga zemra të gjithë ata që bënë të mundur, që ai të jetë i sigurtë, veçanërisht autoritetet italiane, Kryqin e Kuq italian. Kjo tragjedi nuk ka mbaruar. Kemi dhjetëra fëmijë të tjerë në këto kampe. Misioni vazhdon. U bëj thirrje të gjithëve, veçanërisht partnerëve që na kanë ndihmuar deri tani, veçanërisht partnerëve italianë dhe partnerëve të tjerë, të bëjnë gjithçka për këta fëmijë, duke i nxjerrë nga ato kampe të tmerrshme. Por le ta mbyllim me diçka të mirë dhe t’i themi Alvinit, rrugë të mbarë e mirëse të kthesh në gjirin e familjes”, u shpreh Basha nga Vlora.

    • 16:53

      Alvini shpëtohet nga kampi, dalin PAMJET, vogëlushi mezi ecën e çalon, misionari e merr në krahë

      REPORT TV siguron foto dhe video ekskluzive të 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha jashtë kampit të ferrit ‘Al Hol’, nën pushtetin kurd. Në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Report Tv fëmija duket me një nga përfaqësuesit e organizatës Gjysmë Hënës së Kuqe i lirë dhe i qeshur, por edhe kur është transportuar me makinë në Damask, ku ndodhet aktualisht.

      Alvini në pamjet që sjell Report Tv duket në gjendje të mirë shëndetësore. Në një intervistë për Report Tv, babai i 11-vjeçarit, Afrim Berisha tregon momenet e operacionit të shpëtimit të djalit. Fillimisht lajmi për nxjerrjen nga kampi u dha nga Report Tv dy ditë më parë, mbrëmë u konfirmua nga burime pranë organizatës Gjysmë Hëna e Kuqe se ndodhej në Damask, ndërsa sot do i dorëzohet Kryqit të Kuq për t’u nisur drejt Italisë. Alvin Berisha doli nga kampi katër ditë më parë dhe mbërriti në kryeqytetin sirian.

      Marrë nga Shqiptarja.com

    • 16:53

      Doli nga kampi i tmerrit, Alvini luan në iPad lojëra me luftë e armë, del FOTO-ja e tij pas shpëtimit

      Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar, i cili kishte mbetur prej muajsh në kampin Al-Hol të Sirisë, është nxjerrë ditën e sotme. Televizioni Klan ka siguruar ekskluzivisht fotot e tij, në një prej të cilave Alvini është duke luajtur me iPad. Bie në sy fakti që loja që Alvini është duke luajtur përfshin një ushtar me armë në dorë, teksa kryen misionin e tij. Një lojë, e cila përdoret në masë nga adoleshentët e sotëm.

      Alvin duke luajtur me iPad
    • 16:31

      Lirimi i Alvini nga kampi, Meta: Lajm i mrekullueshëm dhe i shumëpritur nga të gjithë

       Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit se Alvin Berisha është i lirë dhe nuk është më në kampin Al-Hol. Meta në një postim në Facebook, shkruan se ky është një lajm i mrekullueshëm dhe i shumë pritur nga të gjithë.

      Alvini i lirë, një lajm i mrekullueshëm dhe i shumëpritur nga të gjithë!”, shkruan President Ilir Meta në Facebook.

    • 16:31

      Media italiane ‘zbërthen’ prapaskenat e shpëtimi të Alvin Berishës/ Kush e nxori nga kampi Al-Hol 11-vjeçarin

      Më në fund pas shume javësh pritje në ankth, pas bërjes së rastit publik, u shpëtua Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar, i cili kishte ngelur në kapin Al-Hol në Siri. Media italiane open.online shkruan se nga kampi 11- vjeçarin e ka nxjerrë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

      Operacioni i shpëtimit:

      Për të konstatuar identifikimin e Alvinit në kampin e Sirisë, fillimisht është punuar me tiparet apo shenjat që  kishte 11-vjeçari në trup. Gjithashtu edhe një krahasim me tiparet e të atit të tij, Afrimit. Në të njëjtën kohë, më 10 shtator, u lëshua në Interpol një urdhër me autorizimin e prokurorisë publike të Milanos, domethënë një shënim për gjurmimin e fëmijës.  SCIP, Shërbimi Policor Ndërkombëtar i Ministrisë së Brendshme Italiane, ishte angazhuar në një mision delikat, gjatë të cilit u përfshinë edhe ministritë e jashtme italiane dhe shqiptare. 

      Alvin dhe babai i tij, Afrim Berisha, kanë nënshtetësi shqiptare dhe një leje qëndrimi të rregullt italian. Autoritetet e Tiranës lëshuan dokumentet e nevojshme për transportin në Itali të fëmijës së vogël, e cila ndodhi përmes Libanit.

      Në të njëjtën kohë, SCIP kërkoi ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, i vetmi që operonte në kampin Al Hol, i cili menjëherë u aktivizua me Gjysmëhënën e Kuqe dhe ishte në gjendje të identifikonte fëmijën dhe ta transportonte atë, falë garancive të ofruara për operacione humanitare, nga kampi i refugjatëve në Damask dhe më pas në kufirin e Sirisë me Libanin.

      Në kufi fëmija u mor në krye nga një drejtues i Policisë italiane SCIP i cili, së bashku me CRI, karabinierët dhe një delegacion të qeverisë shqiptare, e çuan në ambasadën italiane në Beirut, ku po pret të niset drejt Italisë. 11-vjeçari është transportuar nga Damasku në Liban dhe aktualisht ndodhet në ambasadën Italiane në Bejrut, ndërsa nesër do të niset drejt Romës për t’u bashkuar me familjen, babanë dhe motrat.

    • 16:31

      “Jam duke ardhur”, Afrim Berisha tregon çfarë i tha Alvini pas lirimit nga kampi: Është i trembur, po flas gjithë kohës me të

      Alvin Berisha është larguar nga kampi Al Hol i luftëtarëve të ISIS në Siri dhe ndodhet në Damask në rrugën e kthimit për në Itali ku ndodhen babai i tij, Afrimi dhe dy motrat.

      Në një bisedë telefonike për News24, Afrim Berisha rrëfeu detaje nga operacioni i shpëtimit të Alvinit dhe falënderoi të gjithë ata që kanë ndihmuar dhe janë solidarizuar me të. Ai tregoi se ka pasur telefonata nga Presidenti Ilir Meta dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

      Ai tregoi se ka folur me Alvin dhe është mirë por pak i trembur pasi nuk e ka ditur se ku po çonin. “Kam folur me Alvin, më tha ‘babi jam duke ardhur’. I thashë mos u tremb se ata janë shokët e babit”, tha Afrim Berisha në News24.

      Ku ndodhet Alvin tani?

      Tani është në Damask. Unë jam nisur ta pres në Romë. Nuk kam konfirmim kur mbërrin por po presim. Shumë faleminderit të gjithë ata që janë marrë me djalin. Si Shqipëria, si Italia. Kanë 5 vjet autoritetet në Milano që merren me mua dhe djalin. Tani e kanë ata në dorë. Faleminderit ambasadorit në Romë, presidentit, kryeministrit. Të gjithëve.

      Kush ua dha lajmin?

      Lajmin ma kanë dhënë karabinierët e ROS. I kam me video, i kam të gjitha në dorë. Janë duke filmuar çdo gjë që ai bën. Faleminderit kryqit të kuq, gjysmëhënës siriane.

      Kush e ka shpëtuar?

      Karabinierët ROS Kanë 15 ditë që janë atje duke u marrë me këtë punë. Kanë shkuar dhe autoritetet shqiptare. Janë marrë kryqi i kuq ndërkombëtar. Gjysmëhëna siriane, të gjithë. Por më shumë karabinierët Ros të Milanos. Më ka lajmëruar në telefon dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Më ka telefonuar dhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, e falënderoj shumë.

      Si është Alvin?

      Mirë thonë por deri sa ta shoh vetë. Kur ecën, ecën pak me këmbën se e ka të plagosur. Por është mirë. Është një doktoreshë që rri me të, deri kur të vijë në Itali. Është e kryqit të kuq. Ka 6-7 muaj që është plagosur. Kam folur me të në telefon vazhdimisht, nga dje pasdite që ka dalë, nga ora 2 dje ka dalë, e kanë marrë nga kampi. Ma kanë dhënë, kam folur në telefon me të.

      Çfarë ju tha Alvin?

      Më tha ‘babi jam tu ardh’. I thashë babi është këtu afër, mos u mërzit se ata janë shokët e babit, mos u tremb. Më tha ‘mirë babi unë jam tu ardh’. Mbrëmë në orën 10 kam folur që mbërriti në hotel në Damask. Është i trembur se ai nuk i njeh, nuk e di ku po e çojnë. Mbrëmë fola me karabinierët Ros dhe i thashë babi mos u mërzit se ata janë shokët e babait. Tani po pres që ata të marrin avionin, të shkojnë nga Damasku në Libi dhe në Libi mund të më tregojnë se në çfarë ore do mbërrijë në Itali.

      Ju keni dy fëmijë të tjerë?

      Kam dy vajza. Vajza e madhe 17 vjeç, e dyta 16. Mezi po presin vëllain. Po presin gjithë shqiptarët. Kam pasur shumë shumë telefonata. Shumë shumë faleminderit gjithë shqiptarëve, kush është marrë me këtë punë.

      Cili do ishte mesazhi që mund t’i jepnit të gjithë atyre njerëzve, gjithë atyre prindërve që ndoshta janë në pozitat tuaja?

      Kërkoj që siç janë marrë me djalin tim, të merren dhe me të gjithë ata fëmijë që janë atje, të kthehen të gjithë sa më shpejt.

      (Marrë nga Balkanweb)

    • 16:31

      “Mami është veshur si Ninja”, Alvini i dëshpëruar kërkonte të kthehej në shtëpi, zbardhen telefonatat me të atin. E ëma: Një ditë do vdesim

      Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me mënyrën se si e ëma e Alvin Berishës, Valbona ka reaguar pasi i ati i 11-vjeçarit kërkonte që t’i kthente të birin në shtëpi.

      Corriere della Sera shkruan se pasi Valbona ka mbërritur në Siri kishte filluar stërvitjen intensivisht për t’u kthyer në një luftëtare të ISIS dhe të njëjtën gjë kishte bërë edhe me të birin Alvinin, të cilit i kishte vënë emrin Jusuf.

      Sipas përgjimeve të publikuara nga mediat italiane, 11-vjeçari ka biseduar me të atin dy herë në telefon dhe e ka përshkruar të ëmën si nëj ninja luftëtare.

      “Mami është e veshur si një ninja,”– dëgjohet të thotë i vogli Berisha teksa bisedon me të atin dhe të ëmën e krahason me personazhë të filmave.

      Më tej ai shpjegon se ka shumë frikë në Siri sepse ka parë aeroplanë që lëshojnë bomba, fiks si në lojërat me luftëra.

      “Dua të shkoj në shkollë. Dua të kthehem në shtëpi dhe të takoj shokët e mi. Këtu kam frikë sepse ka aeroplanët që lëshojnë bomba. Unë i thashë mamit ‘le të shkojmë tek babi sepse duhet të shkoj në shkollë’ … Por ajo nuk më lejon,”– ankohej i vogli përmes telefonit duka ia plasur zemrën të atiti që prej vitesh e ka kërkuar dëshpërimisht.

      E ndërsa vetë Valbona mësohet se i ka thënë bashkëshortit të saj Afrim Berishës: Një ditë do të vdesim të gjithë, gjithsesi…

    • 11:31

      Shpëtimi i Alvin Berishës, Rama publikon foton e 11-vjeçarit me ministrin Lleshaj: Po kthehet në shtëpi

      Ministri Sandër Lleshaj dhe Alvin Berisha

      Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar që ishte bllokuar në kampin Al Hol në Siri ka mundur të shpëtojë. Për këtë lajm të mirë kryeministri  Edi Rama pak minuta më parë në Facebook, është shprehur se 11-vjeçari po kthehet në shtëpi. Ai ka publikuar edhe një foto të 11-vjeçarit me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.

      Ndër të tjera Rama falënderon kryeministrin italian Giuseppe Conte,  që sipas tij  u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane. 

      Reagimi i plotë:

      ALVINI PO KTHEHET NË SHTËPI😍

      • Pas një jave në kufirin sirian, së bashku me një skuadër speciale të policisë sonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët italianë, ministri ynë i brendshëm po përcjell në këtë moment Alvinin në ambasadën italiane në Beirut, prej ku vogëlushi shqiptar do të pajiset me dokumentat e nevojshme e do të fluturojë drejt babait në Romë🤗

      • Një falenderim i veçantë për kryeministrin Giuseppe Conte, i cili u angazhua personalisht në ndjekjen e operacionit për palën italiane🇦🇱🤝🇮🇹

      • Faleminderit edhe dy organizatave humanitare që u bënë pjesë jetike e këtij operacioni tejet kompleks e të rrezikshëm, pa harruar konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, që luajti një rol të pazëvendësueshëm🙏

      • Por për ne, përpjekja nuk mbyllet këtu, sepse fëmijë e gra nga Shqipëria vazhdojnë të jenë peng në kampin-burg prej ku arritëm të nxjerrim Alvinin…

    Shto Koment