Aktualitet

DOKUMENTI/ “Ishin më shumë se 2 persona në një studio”, ISHSH kërkon të mbyllë RTV Ora, televizioni: S’kanë bërë inspektim

  • ISHSH gjobit me 10 milionë lekë Sonila Meçon, gazetarja: Kisha 3 vetë në studio (REAGIMI)
  • Në dokumentet e publikuara më poshtë shihet se mbyllja e televizionit kërkohet nën argumentin se në studiot e këtij televizioni ka pasur më shumë se dy të ftuar, gjë që sipas masave për paramndalimin e përhapjes së koronavirusit është e ndaluar.
    Featured image of article: DOKUMENTI/ “Ishin më shumë se 2 persona në një studio”, ISHSH kërkon të mbyllë RTV Ora, televizioni: S’kanë bërë inspektim Foto ilustruse

    TIRANË– ISHSH ka kërkuar që të mbyllë sinjalin e një prej televizioneve kombëtare në Shqipëri. Bëhet fjalë për RTV Ora, që sipas Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor , ka kryer shkelje të rënda ligjore.

    Në dokumentet e publikuara më poshtë shihet se mbyllja e televizionit kërkohet nën argumentin se në studiot e këtij televizioni ka pasur më shumë se 1 të ftuar, gjë që sipas masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit është e ndaluar.

    Dokumenti

    Si rast përsëritjeje e kësaj shkeljeje, ISHSH dhe AMA kërkon mbylljen e sinjalit të këtij televizioni dhe ndalimit të funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent, bazuar në nenin përkatës të Aktit Normativ Nr. 3 të vitit 2020.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se dy persona në të njëjtën studio televizive dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent”, shkruhet në nenin 3 pika 14.

    Pas këtij vendimi ka ardhur një ragim nga televizioni, në të cilin thuhet se ISHSH nuk ka bërë asnjë inspektim, por kanë bërë foto nga televizori. Reagime kundër vendimit të ISHSH ka pasur dhe nga gazetarët, por dhe nga politika. 

    Dokumenti

    Më herët Dosja.al raportoi edhe gjobën që ISHSH-ja i vuri gazetares Sonila Meço. Vetë gazetarja Sonila Meço njoftoi se është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra masë administrative, nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, për shkak se sipas ISHSH ka thyer rregullin e vendosur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, për të patur në studio jo më shumë se dy persona. Meço shkruan e indinjuar në rrjetet sociale se masa administrative i është vënë pa paralajmërim, ndërsa me mediat e tjera, autoritetet vepruan ndryshe.

    (F.M. A.B. Dosja.al)

    • 22:20

      AMA kundër ISHSH: Nuk kemi qëllim mbylljen e RTV Ora, janë konstantuar shkelje të përsëritura

      Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar sot për rastin e kërkesës për mbylljen e RTV Ora. Në një njoftim për mediat AMA shkruan se  nuk ka asnjë qëllim për mbylljen e këtij televizioni. Sipas AMA-s, për këtë televizion ka pasur një paralajmërim me tërheqeje vëmendje ditën e mërkurë, më pas ISHSH ka evidentuar shkelje të përsëritura nga ky subjekt audioviziv.

      AMA

      “Nisur nga informacione dhe formulime të ndryshme mediatike, mbi vendimarrje të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA dhe Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, për mbyllje të subjektit ORA Neës, bëjmë me dije se, nuk ka asnjë vendim apo qëllim për mbylljen e ndonjë televizioni. Për rastin konkret, ka pasur një paralajmërim me tërheqje vëmendjeje ditën e mërkurë, 13.05.2020, nga AMA, për subjektin ORA Neës për shkelje të udhëzimeve të Aktit Normativ, në kuadër të vendosjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore nga Covid-19.

      Më pas, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, dega Tiranë, më datë 14.02.2020, ka evidentuar shkelje të përsëritur nga ky subjekt audioviziv, për prezencë në studio të më shumë se dy personave, duke akorduar gjoba, bazuar në ligjin 15|2016 “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive”, Aktin Normativ nr. 3 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohës zgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”. Për këtë vendim ISHSH ka njoftuar me shkresë zyrtare AMA-n më datë 15.05.2020”, shkruan AMA.

    • 20:24

      Kryemadhi: Gjobat nisën me Orën se s’pranoi kompromise

      Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, nuk është aspak e habitur ndaj masave arbitrare ndaj Rtv Ora. Kryemadhi shprehet se problemi është sesi opozita dhe shoqëria shqiptare lejoi qeverinë të vinim deri në këtë situatë. Ajo shton se gjoba për RTV Ora dhe kërkesa për mbyllje është bërë pasi ky televizion nu ka bërë kompromise.

      Monika Kryemadhi, kryetare e LSI

      Unë e Koço e njohim shumë mirë zotin Rama, nuk jemi të habitur për veprimet e tij, mund të ketë edhe veprime të tjera më të papërgjegjshme. Problemi qëndron te ajo që kemi lejuar ne për të ardhur deri këtu. I kemi hapur rrugën një të çmenduri, si ajo që hapi rrugën budallait. Me këtë fjalë të urtë kemi marrë në qafë të ardhmen e shqiptarëve, ekonominë, jetën e përditshme të shqiptarëve dhe atë liri që këto 30 vjet tranzicioni sapo kishte filluar të vinte ne e karantinuam.

      Jam e bindur që veprime të tilla absurde dhe servilonjëse, zonjën Braho e njoh, e kam mike shumë të mirë, është këshilltare e këshillit bashkiak ka dhe ka një konflikt të drejtëpërdrejtë interesi në konfliktin që ka Ora News me bashkinë e Tiranës. Janë shumë gjëra që opinioni nuk i di”, shprehet Kryemadhi.

    • 20:18

      Meta: Gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut

      Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas kërkesës për mbyllje të RTV Ora. Në një njoftim për mediat Meta shprehet i shqetësuar për këtë vendim të autoriteteve publike. Presidenti shprehet se çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes është e ndaluar, e papranueshme dhe e patolerueshme.

      Ilir Meta, President i Shqipërisë

      Në respekt të parimeve kushtetuese, në mbrojtje të të drejtave e lirive themelore të lirisë së shprehjes dhe për informim, si dhe nisur nga natyra urgjente e marrjes së vendimeve të njëpasnjëshme nga organet publike përkundrejt RTV ORA, pa shqyrtuar dhe vlerësuar më parë objektivisht këtë çështje, si dhe pretendimet e kësaj media, duket se këto masa administrative janë shproporcionale. Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.

      Çdo mënyrë e drejtpërdrejt apo indirekte për të vendosur censurë paraprake mbi mjetet e informimit publik apo kufizuar lirinë e shprehjes është e ndaluar, e papranueshme dhe e patolerueshme. Gjendja e fatkeqësisë natyrore nuk mund të kufizojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut siç është edhe drejta e lirisë së informimit. Përdorimi i pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19, siç me të drejtë theksohet edhe në raportin vjetor të “Reporterëve pa Kufij”, nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, por kërkon reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe të menjëhershëm.”, shkruan Meta.

    • 19:44

      Bushati: Çdo gazetar që hesht është një WC e Ramës

      Gazetari Andi Bushati ka reaguar pas kërkesës së ISHSH për mbylljen e RTV Ora. Në një reagim në mediat sociale, Bushati u shpreh se  çdo gazetar që hesht është një WC e Ramës. Po ashtu ai shprehet se dhe drejtuesit e emisioneve televizive nuk mund të vijojnë me formatin që ua dikton Rama, por të ftojnë njerëz në studio.

      Andi Bushati, gazetar

      “Nese mbyllet qofte edhe nje emision apo sinjal televiziv me urdhrat e atij qe po sillet si Kaligula (kur ne gjithe perendimin programet zhvillohen me 4 apo me shume veta ne studio), cdo gazetar qe hesht, apo cdo drejtues emisioni qe vazhon te punoje me formatin e Rames, nuk eshte asgje me shume se WC e tij”, shkruan Bushati.

    • 19:07

      Qendra Europiane për Lirinë e Medias: Të thuash të vërtetën në Shqipëri është e vështirë

      Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF) ka reaguar pas urdhërit të Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror për mbylljen e sinjalit të transmetimit të “Ora News”. ECPMF ka shprehur shqetësimin për këtë urdhër, ndërsa shprehet, se në Shqipëri të thuash të vërtetën në këtë kohë është shumë e vështirë.

      “ECPMF është e shqetësuar me urdhrin për mbylljen e RTV ORA në Shqipëri për shkak të ‘mosrespektimit’ të masave të Covid-19. Derisa të mbledhim më shumë info, lexoni raportin tonë për Shqipërinë,” thuhet në mesazh.Të thuash të vërtetën në Shqipëri është e vështirë sidomos në këto kohë. Një rast i paprecedentë po ndodh. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor kërkon mbylljen e sinjalit të transmetimit të RTV ORA”, Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit

    • 19:16

      KSHM: Qeveria të tërheqe masat kundër televizionit, të reagojnë ndërkombëtarët

      Këshilli Shqiptar i Medias ka reaguar pas kërkesës së ISHSH për mbylljen e RTV Ora. Në një reagim për mediat, KSHM shkruan se i bën thirrje Qeverisë Shqiptare të tërheqë masat dhe të kërkojë falje publike për këtë akt të pastër dhune ndaj një medieje të tërë.

      Këshilli Shqiptar i Medias

      Këshilli Shqiptar i Medias u bën thirrje Ambasadave të vendeve të BE dhe të ShBA, përfaqësive të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe UN-it që të reagojnë në ndihmë të një prej vlerave më thelbësore të familjes Europiane ku Shqipëria kërkon të bëjë pjesë, siç është liria e medias dhe e fjalës së lirë.

      “Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim të madh ndaj aktit të paprecendent ku një inspektorat shtetëror shëndeti ndërmerr aktin e mbylljes së një medieje, konkrektisht veprimi nga ana e Institutit të Shëndetit Publik për të mbyllur Radio-Televizionin Ora me anë të një mase administrative. E drejta e informimit dhe e shprehjes është e garantuar në Kushtetutë dhe nuk mund të bllokohet me vendime administrative, aq më tepër të Inspektoriatit Shtetëror të Shëndetit. Natyra joproprocionale jo vetëm e masës për mbyllje aktiviteti, por dhe e masave të mëparshme ndaj këtij Televizioni me gjoba shumë të mëdha (1 milionë lekë) në një kohë vështirësie ekonomike për gazetarinë dëshmon se ky veprim është sulm direkt i Qeverisë ndaj lirisë së medias dhe të fjalës së lirë.

      Këshilli Shqiptar i Medias i bën thirrje Qeverisë Shqiptare të tërheqë masat dhe të kërkojë falje publike për këtë akt të pastër dhune ndaj një medieje të tërë. Këshilli Shqiptar i Medias u bën thirrje Ambasadave të vendeve të BE dhe të ShBA, përfaqësive të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe UN-it që të reagojnë në ndihmë të një prej vlerave më thelbësore të familjes Europiane ku Shqipëria kërkon të bëjë pjesë, siç është liria e medias dhe e fjalës së lirë. Këshilli Shqiptar i Medias i bën thirrje gazetarëve e medieve shqiptare të solidarizohen me kolegët e tyre të Televizionit Ora. Sulmi kundër një medieje nuk ëshët sulm thjesht ndaj një grupi gazetarësh që punojnë aty, por është sulm kundër gazetarisë”, shkruhet në deklaratën e KSHM.

    • 17:35

      Petrit Vasili: Kanibalizëm shtetror, tu qëndrojmë përball maskarenjëve

      Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, e konsideron një kanibalizëm shtetëror urdhrin e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor për mbylljen e Televizionit Ora. Në një postim në facebook, Vasili thotë se qeveria po përdor mashtrimin me pandeminë për të asgjësuar sigurinë e qytetarëve dhe çdo të drejte themelore të tyre. Vasili shkruan se është tani ora të qëndrojmë përballë maskarenjeve me pushtet për të shpëtuar veten dhe atdheun.

      Petrit Vasili, LSI

      Mbyllja e TV ORA nje Kanibalizem mafioz shteteror dhe shkencor. Mbyllja e gojes se medias se lire nje krim ndaj lirive te cdo qytetari. Mbyllja e ORA TV eshte Orë alarmi per demokracine, qe po goditet nga mafia e pushtetit. Mashtrimi me Pandemine po perdoret per te asgjesuar sigurine e qytetareve dhe cdo te drejte themelore te tyre. Tu qendrojme perballe maskarenjve me pushtet per te shpetuar veten dhe atdheun. ORA eshte tani”, shkruan Vasili.

    • 17:29

      Sonila Meço: Ky rast mund të kthehet në një abuzivitet për të lirinë e medias

      Gazetarja dhe drejtuesja e emisionit “Tempora”, Sonila Meço, ka reaguar pas vendimit të Inspektoriatit të Shtetëror Shëndetësor për mbylljen e RTV Ora. Në një reagim Meço shprehet se rasti i gjobës nga emisionit “Tempora” mund të kthehet në një rast abuzimi me të drejtat dhe liritë e njerëzve, duke vendosur gjoba abuzive.

      Sonila Meço, gazetare

      “Në këtë situatë ne jemi të detyruar që t’i respektojmë me regorozitet të gjitha rregullat e vendosura, ndërsa qeveria mund të shembë, mund të ndërmarrë veprime me asnjë transparence, duke anashkaluar parlamentin dhe gjykatat. Pra, këtu është gjithë problemi, se kjo nuk është çështje vetëm e imja. Unë kam provuar edhe në vitin 2015 këtë gjë, ku pushteti është gjendur fajtor edhe në gjykata ndërkombëtare dhe nuk ka pasur pasojë.

      Ky rast mund të kthehet në një abuzivitet për të marrë të drejtat dhe liritë dhe për të vendosur gjoba abuzive. Nëse ne e mirëkuptuam OSHEE-në që u vendosur vlera të faturimit për shkak të mungesë së kontrollit, si ka mundësi që autoritet nuk kupton individin. Këtu ka një problem në llogaridhënien e autoriteteve si dhe një disproporcion mes publikut dhe autoriteteve”, shprehet Meço.

    • 16:57

      RTV Ora: S’kanë bërë inspektim, duan të na mbyllin se njerëzit janë të lirë të flasin ato që duan

      RTV Ora ka reaguar sot pas vendimit të Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor që e ka gjobitur me 1 milionë Lekë dhe kërkon mbylljen e sinjalit të transmetimit. Drejtori i Informacionit të këtij televizioni, Brahim Shima, shprehet se gjobat janë arbitrare dhe televizoni po kërcënohet.

      Godina e RTV Ora

      Vijnë dy gjoba ISHSH nga 20 milion dhe një kërkesë për mbyllje aktiviteti. Nuk e di se me çfarë vullneti një kryeministri në këto merr vendimin për mbylljen e një televizioni. Kjo është demokracia që duam të bëjmë ne? Në shumë vend evropiane janë bërë emisione me shumë se 3 veta. Kur në një kohë që të ftuarit në studioi kanë qenë më mbi 2 metra larg.

      Mbyllja e televizionit ka ndodhur sepse janë lejuar njerëzit të flasin në studio. Kjo është e qëllimshme. Është bërë inspektimi vetëm me një foto, nuk kanë ardhur në televizion inspektorë. Nuk mund ti mbyllësh gojën se do të flasë. Nuk po mbyll biznesin por po mbyll  fjalën e lirë. Kemi qenë të ndershëm përballë shikuesve dhe beteja do të vazhdojë” shprehet Brahim Shima.

    Shto Koment