Aktualitet

‘Furtunë’ në Vlorë/ Krimi Ekonomik heton 23 punonjës të Kadastrës, ikën dhe nëndrejtori i ri

Një grup pune i Krimit Ekonomik ka çuar për hetim 23 punonjës të këtij institucioni, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronat.

VLORË- Tensione në Kadastrën e Vlorës, pas një vale shkarkimesh të drejtorit, nëndrejtorit dhe shumë punonjësve të tjerë të këtij institucioni. Burime për Dosja.al, bëjnë me dije se zyrtarët e shkarkuar ende s’kanë shkëputur marrëdhëniet me institucionin, duke sjellë tensione.

Ndërkohë që në Kadastrën e Vlorës, siç shihet edhe në këto pamje të sjella nga Dosja.al, kanë zbarkuar agjentët e Krimit Ekonomik që kanë marrë nën shqyrtim disa dosje. Një grup pune i Krimit Ekonomik ka çuar për hetim 23 punonjës të këtij institucioni, pasi akuzohen se kanë tjetërsuar pronat.

Të dyja palët punojnë në të njëjtin ambient. Dosja.al mësoi se drejtori ka dorëzuar çelësin qysh të hënën, ndërkohë që nëndrejtori i ri Ardian Musta ka dhënë dorëheqjen direkt sot pas tensioneve që u bënë publike në media.

Ai u emërua vetë dy ditë më parë. Ende nuk dihen arsyet e dorëheqjes së tij. Dy ditë më parë u shkarkua paraardhësi i tij, Klodian Troci dhe drejtori i Hipotekës, Florian Almadhi.

Në një prononcim sot për mediat, Troci tha se nuk ka bërë rezistencë dhe se ka liruar menjëherë zyrën pas shkarkimit.  “Zyra është hapur, nuk kam bërë asnjë rezistencë. Shkarkimi më është thënë më gojë, të enjten pritet të vijë me shkrim, që prej të hënës kam lënë çelësat në sekretari dhe nuk kam shkuar më në punë” tha ai.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment