Politike

Humbi mikun e tij skulptor, Rama: Çfarë trishtimi! Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë. Ishte ende i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm

Rama shkruan se është shumë i hidhëruar për humbjen e mikut të tij dhe shkruan se Bajo nuk do hapë më sytë.
Featured image of article: Humbi mikun e tij skulptor, Rama: Çfarë trishtimi! Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë. Ishte ende i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm Arben Bajo dhe Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka humbur sot mikun e tij skulptor Arben Bajo, i cili humbi jetën nga COVID-19. Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se është shumë i hidhëruar për humbjen e mikut të tij dhe shkruan se Bajo nuk do hapë më sytë.

Kreu i qeverisë shkruan se ‘Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shembëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar’.

Më tej Kryeministri shprehet se kjo është një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar.

REAGIMI I PLOTË

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Çfarë trishtimi! Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë e as sytë e admiruesve të skulpturës, nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij! Ai nuk ia doli dot t’i mbijetojë virusit vdekjeprurës, që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërcënimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918, kur Gripi Spanjoll gllabëroi dhjetra miliona njerëz. Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shembëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar.

Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar. Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë, ku disa e kanë dhuntinë e fatin të lenë pas diçka që i mbijeton vdekjes, veprën e tyre. Artistët hyjnë tek këta disa dhe kur janë prej vërteti, siç ishte Ben Bajo, kujtimi i tyre pavdekësohet nga prania pa kohë e veprave të tyre mes njerëzve që vijnë e shkojnë, në ndërkohën pa kufi që veprat mbeten. Ngushëllimet më të ndjera të dashurve e të afërmve të Benit, fjalët përballë vdekjes s’kanë asnjë fuqi, po asgjë tjetër veç fjalëve vdekja nuk le për dëshmitarët e saj.

Skulptori Arben Bajo, që prej ditësh ishte në luftë me COVID-19, sot e ka humbur betejën. Miqtë e tij në mediat sociale kanë dhënë lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta. Bajo me një karrierë të spikatur në skulpturë sot është ndarë nga jeta, pasi COVID-19 u tregua më i fortë se ai.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment