Aktualitet

“700 euro një natë në hotel”, Prokuroria nis hetimet për faturat e luksit të Etilda Gjonajt

Tashmë Prokuroria do të nisë verifikimin për akuzat që janë bërë në media dhe më tej mund të nis dhe hetimin, nëse ka vend për një gjë të tillë.
Featured image of article: “700 euro një natë në hotel”, Prokuroria nis hetimet për faturat e luksit të Etilda Gjonajt Etilda Gjonaj, faturat dhe hotelet

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka hedhur hapin e parë për faturat e luksit që u publikuan në mediat pak ditë më parë për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonajt. Tashmë Prokuroria do të nisë verifikimin për akuzat që janë bërë në media dhe më tej mund të nis dhe hetimin, nëse ka vend për një gjë të tillë.

Faktoje.al publikoi pak ditë më parë disa fatura të Gjonajt, për udhëtimet e saj jashtë vendit. Në këto fatura vihej re shuma e lartë e paguar për të fjetur në hotel, ku një natë kapte shifrën 700 Euro. Dosja.al e ndoqi këtë çështje, ku pyeti dhe hotelet në të cilat kishte fjetur ministjra, të cilët thanë se Gjonaj ka qenë në një kohë që një dhomë mund të gjendej dhe më lirë.

Nga ana tjetër ministrja e Drejtësisë në një reagim të saj, nuk pranoi akuzat duke thënë se po i bëhen se është grua. Teksa jepte leksione se si bëhej gazetaria, Gjonaj shprehej se 700 euro nuk ishte shpenzuar vetëm për vete, por për të gjithë stafin që e shoqëronte.

Dhe PD reagoi për faturat e luksit, duke hedhur akuza për ministren, ndërkohë që opozita e re parlamentare i doli në mbrojtje. Deputetja Rudina Hajdari, u shpreh në një reagim se Gjonajn po e sulmojnë të pamoralshëm.

Për verifikim nga Prokuroria e Tiranës është dhe Arbian Mazniku, i cili në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranë kishte pranuar një dhuratë 900 euro nga Shkëlqim Fusha, pronar i Fusha shpk. Po ashtu dhe për Niko Peleshin është nisur një verifikim, në lidhje me zhbllokimin e një ngarkese të kimikatit Silicon Mix.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment