Aktualitet

Rrjedh gazi i gjeneratorit në minierën e Martaneshit/ 2 minatorë të asfiksuar, njëri në gjendje të rëndë, transportohet me helikopter drejt spitalit të Traumës, mjeku: Tre kanë shfaqur shenja helmimi

VIDEO
  • Prefekti i Dibrës tregon detaje: U bllokuan dy punëtorë në fillim, shokët shkuan t’i ndihmonin
  • 2 prej tyre janë asfiksuar dhe njëri ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
    Featured image of article: Rrjedh gazi i gjeneratorit në minierën e Martaneshit/ 2 minatorë të asfiksuar, njëri në gjendje të rëndë, transportohet me helikopter drejt spitalit të Traumës, mjeku: Tre kanë shfaqur shenja helmimi Pamje nga spitali i Bulqizës
    Përditësuar:

    DIBER- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Martanesh ku 2 minatorë janë asfiksuar për shkak të rrjedhjes së gazit nga një gjenerator. Njëri prej minatorëve ishte duke salduar vagonat me gjenerator, kur gazi ka nisur të rrjedhë. Ai është asfiksuar dhe në ndihmë i kanë shkuar edhe 2 kolegët e tij të cilët kanë shpëtuar pa lëndime të shumta. Në gjendje më të rëndë është saldatori 45-vjeçar Shyqyri Elezi i cili është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Ndërkohë që nga gazi janë lënduar në total edhe 4 minatorë të tjerë, të cilët për fat të mirë janë jashtë rrezikut për jetën.

    Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Hazis Jella ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore të minatorëve. Në një lidhje telefonike me Report Tv, Jella tha se deri tani në spital janë paraqitur 3 minatorë, të cilët kanë shfaqur shenja helmimi dhe asfiksimi nga gazi. Sipas mjekut, një nga minatorët është në gjendje më të rëndë dhe është dërguar në spital ushtarak drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Nexhmedin Shehu, prefekti i Dibrës ka thënë se në fillim janë bllokuar dy minatorë, por shokët e tyre kanë dashur që tu vijnë në ndihmë. Më pas, këta të fundit janë bllokuar edhe vetë brenda galerisë. 

    (F.g/dosja.al)

    • 19:33

      Minatori u transportua me urgjencë në Tiranë, QSUT jep informacion për gjendjen e 52 vjeçarit

      Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar ditën e sotme për gjendjen e minatorit të Martaneshit që u dëmtua pas një aksidenti në minierë. QSUT thotë se minatori ka mbërritur rreth orës 14:00 pranë urgjencës së brendshme, i cili është diagnostikuar me “Intoxikim nga monoksidi i karbonit”. QSUT bën të ditur se pas kryerjes së ekzaminimeve paraprake dhe konsultave me mjek specialist në Urgjence, pacienti është hospitalizuar në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit për ndjekjen e metejshme.

      NJOFTIMI: Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”njofton se ditën e sotme rreth orës 14:00, pranë Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme, është paraqitur pacienti Sh. E i moshës 52 vjeç, me Diagnozë “Intoxikim nga monoksidi i karbonit”.Pas kryerjes së ekzaminimeve paraprake dhe konsultave me mjek specialist në Urgjence, pacienti është hospitalizuar në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit për ndjekjen e metejshme.

    • 14:46

      Asfiksimi i minatorit në Martanesh, reagon MIE: S'ka patur bllokim e as shembje galerie, u çlirua gaz gjatë saldimit të një vagoni mineralesh, dy punonjës të lënduar

      Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka reaguar pas aksidentit që ndodhi mesditën e sotme në minierën e Martaneshit. MIE bën me dije se ka ndodhur një aksident dhe për pasojë, gjatë saldimit të një vagoni mineralesh është çliruar gaz dhe një mekanik ka humbur ndjenjat. Bashkë me të, shqetësime ka patur edhe kolegu i tij. MIE sqaron se nuk ka patur as shembje dhe as bllokim.

      NJOFTIMI I PLOTË: 

      Në datë 11 maj 2021, rreth orës 12:30, në galerinë Nr.1240, Zona e Re Batër, Qarku Dibër, e cila shfrytëzohet nga shoqëria “Xhireton” shpk, me Leje minerare nr. 479/2, ka ndodhur një aksident. Nga të dhënat paraprake të inspektimit të vendngjarjes, rezulton se gjatë saldimit në nëntokë të një vagoni mineralesh është çliruar gaz nga gjeneratori i përdorur dhe si rrjedhim mekaniku SH.D., 45 vjeç ka humbur ndjenjat.

      Pranë tij ka qenë edhe një punonjës tjetër, i cili gjithashtu ka pasur shqetësime. Prezent në vendin e ngjarjes, në një distancë më të largët kanë qenë 3 punonjës të tjerë, të cilët u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të tyre, duke e nxjerrë SH.D., jashtë galerisë. Ai është dërguar me helikopter në drejtim të Tiranës, për të marrë ndihmën mjekësore, ndërkohë që punonjësi tjetër është dërguar në spitalin e Bulqizës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

      Në galeri nuk ka pasur shembje dhe as minatorë të bllokuar.  Grupet e AKSEM, Inspektorati i Punës dhe Policia e Shtetit janë në vendngjarje dhe po vlerësojnë rrethanat e ngjarjes.

    • 14:31

      Ngjarja e rëndë në Martanesh, flet drejtori i spitalit të Bulqizës: Tre prej tyre kanë shfaqur shenjat helmimi

      Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Hazis Jella ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore të minatorëve. Në një lidhje telefonike me Report Tv, Jella tha se deri tani në spital janë paraqitur 3 minatorë, të cilët kanë shfaqur shenja helmimi dhe asfiksimi nga gazi. Sipas mjekut, një nga minatorët është në gjendje më të rëndë dhe është dërguar në spital ushtarak drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

      “Kanë mbërritur deri më tani 3 minatorë, që kanë shfaqur shenjat e helmimit nga gazi i dyoksidit të karbonit. Një në gjendje të rendë është nisur me helikopter në Tiranë,”- tha Jella.

    • 14:23

      Asfiksimi i minatorëve, prefekti i Dibrës tregon detaje: U bllokuan dy punëtorë në fillim, shokët shkuan t’i ndihmonin por ngecën dhe vetë brenda

      Nexhmedin Shehu, prefekti i Dibrës ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Martanesh ku mbetën të plagosur disa minatorë. Në një prononcim për mediat, Shehu ka thënë se në fillim janë bllokuar dy minatorë, por shokët e tyre kanë dashur që tu vijnë në ndihmë. Më pas, këta të fundit janë bllokuar edhe vetë brenda galerisë. Të plagosurit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Një prej minatorëve ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. 

      “Të dhënat e fundit në galerinë në zonën e re të Krastës. Ka ndodhur një shpërthim gazi dhe dy punëtorët janë asfiksuar. Shokët e tyre u kanë vajtur në ndihmë dhe janë asfiksuar. Njëri do transportohet drejt Tiranës. Ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të mirë. Kanë qenë dy punëtorë brenda galerisë. Janë helmuar. Kanë vajtur shokët dhe i kanë nxjerrë nga galeria. Ata janë transportuar në spital. Tre janë dërguar. Tjetri është më rëndë dhe pritet të transportohet në Tiranë. Minatorët kanë qenë në galeri për nxjerrë shokët e tyre. Mund të ketë pasur zona me gaz. Nuk e di nëse ka pasur apo jo tub ajrimi. Minatorët kanë dalë dhe po trajtohen në spital,”– tha Shehu. 

    • 13:59

      VIDEO/ Po saldonte vagonat e minierës, momentet kur minatori transportohet drejt spitalit të Traumës në Tiranë

      Këto janë pamjet e para që vijnë nga Bulqiza, atje ku minatori 50-vjeçar Sh.E., ishte duke salduar vagonat e minierës në momentin kur gazi nisi të rridhte nga gjeneratori. Siç shihet edhe në pamjet e Dosja.al, minatori është në gjendje të rëndë dhe është transportuar nga spitali i Bulqizës me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

    • 13:42

      Policia jep detaje për Martaneshin: Minatori po saldonte vagonat në minierë, gazi i gjeneratorit e asfikson bashkë me dy kolegët që shkuan ta shpëtonin

      Policia e Shtetit ka dhënë informacionet e para pas çlirimit të gazit në Martanesh. Policia sqaron se një 50-vjeçar, minator në galeri po punonte me gjenerator për të salduar vagonat. Gjeneratori ka pësuar defekt dhe ka lëshuar gaz. Për pasojë, minatori është asfiksuar. Edhe dy kolegët e tij të cilët kanë shkuar për ta ndihmuar janë asfiksuar.

      NJOFTIMI I PLOTË: 

      Me datë 11.05.2021, rreth orës 12.30, në një subjekt minerar në zonën e Martaneshit, shtetasi Sh. E., rreth 50 vjeç, duke salduar brenda në galeri me gjenerator, paraprakisht dyshohet se si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori është aksifksuar, dhe në ndihmë të tij kanë shkuar dhe dy punëtorë të tjerë, shtetasit A. J., dhe M. H., të cilët janë askfiksuar dhe kanë shfaqur probleme shëndetësore.

      Shtetasit e lartëpërmendur janë nxjerrë nga galeria dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon hetimi për zbardhjen e plotë shkaqeve ngjarjes.

    • 13:19

      Minatori i plagosur në Martanesh niset me helikopter drejt spitalit të Traumës

      Një helikopter me një minator të plagosur rëndë është nisur drejt spitalit të Traumës në kryeqytet. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se bilanci i deri tanishëm pas shembjes së galerisë në Martanesh është: 1 minator i dërguar në Tiranë, 2 në spitalin e Bulqizës, 9 kanë mundur të dalin pa dëmtime ndërsa 6 janë të bllokuar.

    • 13:14

      Rëndohet situata në Martanesh, dy minatorë të dëmtuar janë nisur drejt spitalit të Bulqizës

      Dy minatorë të dëmtuar gjatë shembjes së galerisë në Martanesh janë nisur drejt spitalit të Bulqizës. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se ka patur një shpërthim të tavanit të minierës. Ende nuk dihet asgjë për gjendjen shëndetësore të minatorëve të bllokuar.

    Shto Koment