Aktualitet

I pari mjek që humb betejën me Covid-19, ndërron jetë mjeku Arjan Pushi, kolegët s’i kursejnë ngushëllimet: Na fal që të lamë të ikësh!

Ministria e Shëndetësisë ka konfimuar faktin që mjeku Arjan Pushi ka ndërruar jetë për shkak të koronavirusit. Kolegët e tij kanë "pushtuar" rrjetin duke i shprehur ngushëllime familjes.
Featured image of article: I pari mjek që humb betejën me Covid-19, ndërron jetë mjeku Arjan Pushi, kolegët s’i kursejnë ngushëllimet: Na fal që të lamë të ikësh! Arjan Pushi dhe kolegët

TIRANË– Mjeku Arjan Pushi, hematolog, ka ndërruar jetë ditën e sotme në spitalin e Infektivit, një ditë pasi u intubua.  Me anë të një njoftimit zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka konfimuar faktin që mjeku Pushi ka ndërruar jetë sot, edhe pse një ditë më parë, të njëjtin lajm dha kolegu i të ndjerit, Bernard Progni.

Megjithatë lajmi ditën e djeshme u mohua nga vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mohoi lajmin. Në njoftimin e sotëm, Ministria shkruan se Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë, duke e mbyllur me ngushëllime për familjarët e të ndjerit. 

Po ashtu, mjaft kolegë të tij, por edhe politikanë, shprehën ngushëllime për ndarjen nga jeta të Pushit. Mjeku Tritan Kalo e quajti Pushin një hero të shëndetësisë. Ndërsa mjekja hematologe, Adela Perolla, nuk i mbajti dot lotët teksa jepte një intervistë me kujtimet e saj për doktorin e njohur.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndërsa shefi i pavionit të hematologjisë Arben Ivanaj ka dhënë më shumë detaje lidhur me infektimin dhe rëndimin e gjendjes shëndetësore të mjekut.  Ivanaj trgoi se mjeku kishte 15 ditë i shtruar tek Infektivi dhe se prej 48 orësh ishte i intubuar. 

Prekës ka qënë edhe reagimi i mjekut Renato Osmenaj, i njohur për publikun si “Xhaxhi doktori”, i cili i ka kërkuar falje kolegut që nuk arritën ta mbanin dot në jetë. 

(k.m/f.m/g.sh./dosja.al)

  • 20:46

    Shefi i hematologjisë dhimbje për kolegun, me lot në sy kujton mjekun që ndërroi jetë nga COVID: Arjani s’kishte sëmundje të tjera, u infektua në punë

    Arben Ivanaj

    Mjeku Arjan Pushi humbi jetën ditën e sotme, duke shënuar viktimën e parë në vend nga bluzat e bardha për shkak të koronavirusit. I ftuar në “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, Arben Ivanaj, shef i hematologjisë në QSUT tha se Pushi nuk kishte sëmundje të tjera. I prekur nga ndarja nga jeta e kolegut të tij, Ivanaj tha i përlotur se janë të shokuar nga ajo që ka ndodhur, ndërsa kishte 15 ditë i shtruar te Infektivi dhe 48 orët e fundit ishte rënduar.

    “Ishte një humbje e papritur. Nuk kishte sëmundje të të rëndë përveç hipertension të nivelit të parë. por ky virus ëhstë i pabesë. Ishte një traumë për ne. Ishte traumë për të gjithë kolegët. Por sigurisht një traumë është për familjen e Arjanit.  Kishte 15 ditë i shtruar tek Infektivi. Prej një jave ishte rënduar, dhe prej 48 orësh ishte i intubuar. Nuk arriti t’ja dilte”, u shpreh ai.

    Më tej, mjeku deklaron se Pushi u infektua në punë. “Arjani është pedagog i fakultetit të mjekësisë. Ka gati një vit që nuk punon me të sëmurët çdo ditë në pavion. Por është infektuar në punë. Vendi i infektimi, ku e mori kjo nuk është më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është përkushtimi i tij në punë. Dosja e tij mjekësore nuk mund të bëhet publike. Arjani ka marrë mjekim më të mirë të mundshëm. Ai vdiq në duart e kolegëve, ata kanë thënë na fal Arjan se s’të shpëtuam dot, por këtë e thonë nga dhimbja. Arjani iku, fatkeqësisht na la”, u shpreh ai.

    Ivanaj u shpreh më tej dha shifrat e mjekëve të infektuar në pavionin e hematologjisë në QSUT.

    “Në Shqipëri është humbja e parë në sistemin mjekësor, kanë humbur jetën shumë nga kolegët tanë jashtë. Pa folur edhe për mjekun e parë në Kinë, që e pagoi me presekutim politik. Aktualisht ne kemi në pavionin ku unë punoj mjekë të infektuar, kemi 2 specializantë, kemi 11 personel të mesëm mjekësor  të infektuar për të cilët rishpreh respektin maksimal duke u uruar kthim të shpejtë në punë. Këta njerëz u infektuan në punë, pavarësisht se e dinin rrezikun. Dosja mjekësore e profesorit si pacient ruhet. Kryesori ka vdekur nga koronavirusi. Dosja klinike e një pacienti nuk është publike. Ky virus nuk bën seleksionime”, u shpreh ai.

  • 19:56

    Ndërroi jetë nga COVID-19, kolegu “përcjell” Pushin me fjalët e ngrohta: Lamtumirë, sot humbëm një mik

    Mjeku Edvin Prifti ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta për shkak tëCOVID-19, të kolegut të tij, Arjan Pushi. Prifti zbulon se është takuar me Pushin 3 javë më parë dhe biseduan në lidhje me COVID-19.

    Ai ka dënuar shpërndarjen e lajmit për vdekjen e Pushit, 24 orë përpara se të ndodhte në të vërtetë.  Më tej Prifti ka bërë thirrje për qytetarët, që të respektojnë masat ndaj COVID-19, pasi mjekët ndodhet atje dhe po luftojnë për jetët e tyre dhe të gjithë shqiptarëve.

    Edvin Prifti dhe Arjan Pushi

    Reagimi

    Prof. Arian Pushi e përfundoi rrugëtimin e tij në këtë planet. U takuam bashkë tre javë më parë dhe bisedonim për covid-19. Qesharakja përmblidhet me tragjedinë. Arjan ti e dije dhe nuk e dije me çfarë po përballeshim. Mas mediat të dhanë për të vdekur 24 ore më parë a thua se shprehnin kënaqësinë që një profesor i mjeksisë ishte në grahmat e fundit se zbatonte betimin e Hipokratit. Dhe ndërkohë shikon turmat e pa identifikuara, turma që rrokullisen në rrugët e Tiranës pa asnjë proteksion, apo disa delirantë dhe sharlatanë të mendimit që deklaronin me paturpësinë që covid-19 është thjeshtë një iluzion. Raca shqiptare duhet të mbijetojë, bëjeni të mbijetojë, por jo me këtë kosto. Mjekët, infermierët, bijtë dhe bijat tuaj janë atje. Nuk ka më vijë të parë, të dytë dhe të shtatë. Janë atje duke luftuar për ju dhe për familjet tuaja. Sot humbëm një koleg dhe mik. Humbëm një profesor të universitetit tonë. Nesër mbase do të jetë radha jonë, mbase do jetë radha ime, por kjo s’ka asnjë rëndësi! Ju jeni thelbi! Këtu nuk flitet më për individin, por për racën tonë. Mbrojeni, mbështeteni, mos u beni naiv dhe injorant siç jeni sjellë në shekujt e kaluar, luftoni për mbijetesë, kuptojeni, dhe lutuni shumë për veten tuaj, familjet dhe për ne mjekët tuaj që nuk ndaluam një ditë duke trajtuar dhembjet dhe sëmundjet tuaj. Lamtumirë koleg i nderuar. Lamtumirë, kur u puqëm bashkë tre javë më parë dhe bisedonim për covid-19. Dhe në perjetësinë e mallkimit qofshin kush i thotë të kundërtën këtij populli që nuk ç’bën! Dashuria do të triumfojë mbi gjithçka.

  • 17:16

    Humbi betejën me COVID-19, kolegu i bën dedikimin e ndjerë mjekut Arjan Pushi: Na fal që të lamë të ikësh

    Mjeku Renato Osmenaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të kolegut të tij Arjan Pushi. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ai i ka dedikuar një mesazh mjekut, që ndërroi jetë pasi u prek nga COVID-19.

    Na fal që të lamë të ikësh! Qofsh i parajsës!“, shkruan Osmenaj.

    Postimi i Osmenaj
  • 17:07

    Vdekja e mjekut me COVID tek Infektivi, kolegia preket dhe nuk i përmban dot lotët: Vajza ka qenë pika e tij e dobët…

    Mjekja hematologe, Adela Perolla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kolegut Arjan Pushi, i cili humbi betejën me koronavirusin.

    Në një intervistë me gazetarin Erion Skëndaj, mjekja Perolla i ka shprehur ngushëllimet familjes duke mos i kursyer as lotët. Ndër të tjera ajo tregoi se pika e dobët e mjekut ishte vajza e tij, Kristina.

    Adela Perolla

    “Ishte udhëheqësi im për temën e doktoraturës. Humbja e tij është shokuese. I njoh edhe familjen, gruan Norën, të bijën Kristinën, të atin dhe të ëmën. Është tmerrësisht e rëndë, të thuash ngushëllime është e pakët. Nuk kam fjalë të shpreh dhimbjen. Kemi humbur kolegun tonë, kam mbi 20 vjet që punoj me të. Përqafoj nga larg Norën dhe të bijën, se ka qënë pika e dobët e tij,“-u shpreh ajo.

  • 20:01

    Vdekja e mjekut me COVID-19 tek Infektivi, kolegu Tritan Kalo i trishtuar, i kushton dedikimin: Nga gjiri i heronjve, një mantelbardhë e humbi sfidën

    Mjeku Tritan Kalo ka reaguar për ndarjen nga jeta të kolegut të tij, doktor Arjan Pushi. Në një postim në rrjetin e tij social, Kalo ka shprehur ngushëllimet për mikun e tij, i cili humbi betejën me koronavirusin.

    “Nga gjiri i heronjve të Shëndetësisë një mantelbardhë e humbi sfidën me COVID-19. U prehshi në paqe, prof.Arjan Pushi!,“-shkruan Kalo.

    Postimi i Tritan Kalos
  • 20:01

    E konfirmon Ministria e Shëndetësisë: Vdes Arjan Pushi, i pari mjek që i merr jetën Covid-19

    Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga COVID19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor. Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit.

    Arjan Pushi

Shto Koment