Politike

‘Drejtori në Durrës s’iu përkul krimit’, Rama: Gjyqtari kriminel, ata janë palaço…jam i tronditur… s’quhen as njerëz (VD)

Rama e quajti një "hero" drejtorin e arrestuar të Kadastrës në Durrës, Liridon Pulën, pasi sipas tij, ai nuk iu përkul krimit. 

TIRANË- Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të deputetit të përjashtuar nga PD, Myslim Murrizi, i cili e quajti me dy standarte qëndrimin e qeverisë në raport me drejtësinë dhe të fortët. Murrizi tha në Kuvend, se ministria e Financave nuk ka kurajo të kontrollojë bizneset e mëdha, pas të cilave fshihen të fortë, dhe kjo solli acarimin e Ramës, i cili tha se është e turpshme përdorimi i foltores nga politika për të sulmuar biznesin.  “Ama të them se nuk ka zero kompani dhe zero që nuk kontrollohet.”-tha Rama, teksa vijoi duke e quajtur KCK, një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh që sipas tij, po i marrin gjakun shqiptarëve. Rama e quajti një “hero” drejtorin e arrestuar të Kadastrës në Durrës, Liridon Pulën, pasi sipas tij, ai nuk iu përkul krimit. 

“Të dy jemi të revoltuar po ke adresën e gabuar. I the ministres së Financave, që a ka fuqi të kontrollojë disa, se s’po ti jap me emra. Unë po të them që ajo i ka kontrolluar që të gjithë. Nuk bën vaki askund, që njerëz të zgjedhur të shfrytëzojnë foltoren që të hedhin nëpër gojë për njerëzit që merren me biznes. Ama të them se nuk ka zero kompani dhe zero që nuk kontrollohet. Disa kohë më parë, janë çuar në prokurori kompani të mëdha, me miliona e miliona e miliona euro të grabitura duke shmangur TVSH. Ku janë? Janë aty ku ishin para se të kontrolloheshin sepse KÇK iu mori kafenë dhe i lëshoi. Unë për këtë fola. Është kollaj të thuash, KÇK është aty e këtu, por s’jemi të gjithë njësoj. Përpjekja për t’i bërë njësoj është që thuash unë i zi jam por po i bëj të gjithë njësoj. S’jemi ëngjëj dhe djajë, por po flas për një organizatë kriminale që ka imunitet kushtetues. Për organizatën kriminale të prokurorëve dhe gjyqtarëve që e dinë që s’do kalojnë Vettingun. Ai rast që solla këtu është një nga qindra rastet që solla këtu. Ai vërtet ishte drejtor Hipoteke, por ishte drejtor që s’iu përkul krimit. Po të kishte plot të tillë s’do ishim këtu ku jemi. E vërtetë është që kështu na thanë dhe kështu thamë. Bëni këtë këtë këtë se do t’ju hapen negociatat. Dhe shumë mirë bëmë se e bëmë për veten tonë. Çdo gjë që bëmë e bëmë për fëmijët tanë. S’flasim në emër të Gjermanisë por në emër të Shqipërisë Evropiane. S’thashë që s’hapen negociatat, ia kam lenë presidentit dhe të tjerëve. Që Bundestagu s’votoi për hapjen e negociatave, por për çfarë votoi? Për kopshtin Botanik? Dhe s’thashë unë këtu që eja të bëjmë Vetting tjetër, se Vettingu është shumë në rregull. Thashë diçka tjetër… A ka ku të rrijë që ne mblidhemi ne këtu, përfaqësojmë popullin sovran dhe pavarësisht asaj që themi dhe bëjmë ne, prokurorë dhe gjykatës të këtij vendi e nisin ditën duke grabitur dhe dhunuar. Duke poshtëruar njerëz që kanë votuar që ne të vijmë këtu? Futi në burg thotë ajo. Pa lidhje fare… Futi në burg. Ne mund t’i biem shkurt. Ne mund të bëjmë ligje, mund të bëjmë reforma. Të mbështesim pa kushte Reformën në Drejtësi. Por s’fusim njerëz në burgje. Se përndryshe bie sistemi. Ama… s’mjaftohemi me kaq me KCK, me të fortët që vijnë vërdallë dhe bëjnë ligjin mbi ligjin duke thënë të presim procesin. Ju mbase mjaftoheni, unë vetë personalisht jo. S’jam shumë i zoti të di linjën e konventave evropiane, por jam i tronditur me ato që dëgjoj, më duket kot fare që të dal këtu pas atyre që dëgjoj atje. Të marrim masë ekstreme, saç është ekstreme ajo që bëjnë ata. Ata kriminelë, cfarë është ai gjyqtar që liron burrin që dy ditë më parë rrahu gruan? Është kriminel…vetëm kaq është një kriminel. Po të ishte ajo gruaja e njohura juaj? Do mbanit një fjalim emocional si ky imi, pa asnjë vlerë, duke mos bërë kapërcimin e fundit historik me këta palaco në prokurori, gjykatë dhe rrugë. Duhet të jemi tani, se do e marrim edhe mbështetjen, nga populli as diskutohet, por edhe nga partnerët. Kush e ka rrugën tjetër, me kushtin që të mos thotë që është proces, e të mos më tregojë të drejtat e njeriut, për njerëzit që s’meritojnë të quhen njeri, shteti s’mund të jetë në mbrojtje, tërheqje, apo në gjunjë, para KÇK-së, e para atyre që shfaqen të fortë, duke patur KÇK-në si mbështetje. S’mund të pres unë që ai krimineli që i jep urdhër mbrojtjeje burrit që ka bërë gruan gjysmë njeriun, të iki nga Vettingu, që kapa ca kapa, s’jam më i interesuar, po bëhem avokat.

Deklarata e kryeministrit Edi Rama u bë sot në foltoren e Kuvendit, pasi foli për negociatat dhe vendimin e KE, u ndal sërish tek gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Rama akuzoi prokurorët dhe gjyqtarët të cilët rrezikojnë të shkarkohen nga Vettingu se kanë krijuar një organizatë kriminale, “KCK, kap ca të kapësh”, nga e cila marrin benefite dhe para, para se të largohen përfundimisht nga sistemi. Rama iu kërkoi deputetëve të përqafojnë këtë qendrim të qeverisë për të miratuar një ligj që sipas tij do të jetë garanci për qytetarët që përballen më drejtësinë.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment