Aktualitet

Dosja “Babale”, Gjykata s’pranon gjykimin e shkurtuar për Fredi Alizotin

Fredi Alizoti është në gjykim për dosjen "Babale" e cila është marrë në shqyrtim nga gjykata në 12 prill 2019. 
Featured image of article: Dosja “Babale”, Gjykata s’pranon gjykimin e shkurtuar për Fredi Alizotin Fredi Alizoti në Gjykatë

TIRANË– Gjykata e Tiranës nuk ka pranuar kërkesën e Fredi Alizotit, i cili kërkonte që të gjykohej me gjykim të shkurtuar. 

Kjo kërkesë e Alizotit është bërë që prej ditës kur është marrë në gjykim dosja. Fredi Alizoti është në gjykim për dosjen “Babale” e cila është marrë në shqyrtim nga gjykata në 12 prill 2019. 

Të pandehur të tjerë në këtë dosje janë Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi, Albert Veliu dhe ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji.Ish-deputeti Ervin Salianji, Albert Veliu, i njohur si ‘Babale’ dhe gazetari Jetmir Olldashi kanë kërkuar pushim të çështjes. 

Çfarë është dosja “Babale”?

Disa muaj më parë Partia Demokratike publikoi dy audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Përmes këtyre videove, PD kërkonte largimin e Xhafajt nga posti, duke e cilësuar këtë të fundit si mbrojtës të aferave kriminale të të vëllait. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale. Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, nuk vërtetohet se zëri që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji. Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej. Urdhër-arresti për Fredi Alizotin është ekzekutuar, ndërsa për Albert Veliu u arratis fillimisht drejt Kosovës, për të shkuar më pas në Hungari, ku edhe ka aplikuar për statusin e azilantit, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Për dosjen “Babale” kanë dëshmuar në Prokurori Enkelejd Alibeaj, deputetët e PD, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, eksponenti pranë PD, Sali Lushaj si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Në datë 6 mars të këtij viti prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’. Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë. Kjo vepër penale, kallëzim i rremë sipas nenit 305 të kodit penal ka një marzh dënimi nga gjobë deri në 5 vite burg. Për gazetarin Jetmir Olldashi, i cili ka realizuar intervistën me “Babales” u dha masa detyrim paraqitjeje. Ndërkohë që pas publikimit të audio-përgjimit vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment