Politike

Zbardhet dokumenti për ‘Zgjedhoren’, krijohet Këshilli Politik nga të gjitha partitë, asistencë me OSBE, afati final, 15 marsi

PS dhe PD gjejnë gjuhën për Reformën Zgjedhore. Në draftin e siguruar nga Dosja.al palët kanë rënë dakord për të krijuar një Këshill Politik me të gjitha Partitë. 2 ekspertë nga opozita jashtë Kuvendit do të punojnë me Gjiknurin dhe Hajdarin. Afati final për të miratuar Reformën është caktuar 15 marsi.
Featured image of article: Zbardhet dokumenti për ‘Zgjedhoren’, krijohet Këshilli Politik nga të gjitha partitë, asistencë me OSBE, afati final, 15 marsi Damian Gjiknuri, Petrit Vasili, Rudina Hajdari dhe Oerd Bylykbashi

TIRANËDosja.al zbardh konkluzionet e dala nga takimi mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për Reformën Zgjedhore. Në dokumentin e siguruar, qartësohet dakordësia mes dy palëve, opozitës së bashkuar nga njëra anë dhe Partisë Socialiste dhe opozitës parlamentare nga ana tjetër. Në takimin që zgjati 60 minuta, mes Damian Gjiknurit, Rudina Hajdarit, Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit është rënë dakord që afati përfundimtar për miratimin e Reformës Zgjedhore është 15 mars 2020. Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të formuar një këshill politik brenda vitit 2020 me pjesëmarrjen e të gjitha partive. 2 persona do të punojnë nga opozita jo-parlamentare bashkë me Gjiknurin dhe Hajdarin, për të hartuar, dhe për çdo pyetje, Këshilli do t’i drejtohet për asistencë OSBE/ODIHR-it.

Konkluzionet e plota:

1. Formohet Këshilli Politik me përfaqësuesë të opozitës, drejtuesve të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqesuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.

2. Këshilli mblidhet brenda muajit janar 2020 dhe autorizon platformën e punës së procesit të Reformës Zgjedhore si më poshtë:

-Një përfaqësi politike, (2 persona) nga opozita jashtë-parlamentare dhe ekspertë të saj, do të punojnë me dy bashkë-kryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë saj.

Tryeza per Reformen Zgjedhore

-Cështjet që do të adresohen caktohen në vendimin e Kuvendit, nr 102/2017, i amenduar. “për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore”, përfshirë dhe planin e punës së miratuar me konsensus nga Komisioni në vitin 2017 si dhe çdo problematikë tjetër zgjedhore që palët bien dakord me konsensus me qëllimin e arritjes së standarteve zgjedhore ndërkombëtare.

-Palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve, objekt i punës së Reformës Zgjedhore, përfshirë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për çështjet që nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare OSBE/ODIHR me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme.

-Për të ndihmuar këtë proces, Komisioni për Reformën Zgjedhore do të kërkojë zyrtarisht asistencën e OSBE/ODIHR, përfshirë dërgimin e ekspertëve nëse kjo është e mundur që do të bashkëpunojnë me përfaqësuesë politikë dhe ekspertët e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, me qëllim për të lehtësuar procesin e diskutimit dhe hartimit të projekt-propozimeve përkatëse.

-Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve, sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare. Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare, në tekstin e miratuar, të dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti.

-Palët angazhohen që Reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.

Ky dokument është miratuar sot pas tryezës që u mblodh në orën 13:00 në Pallatin e Kongreseve. Tryeza erdhi kur pas një takimi suprizë me aleatët, kryedemokrati Lulzim Basha doli dhe tha formalisht emrat e dy negociatorëve në dialogun me PS, pavarësisht se gjithçka ishte bërë gati më herët me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi kanë marrë pjesë sot për herë të parë në një takim jashtë Parlamentit për miratimin e një reforme.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment