Politike

“Fati i Shkodrës s’mund të lidhej me fatin tim”, Valdrin Pjetri tërhiqet nga marrja e mandatit: Ishte një ëndërr e bukur

  • Basha synon largimin e Ramës: Një kriminel më pak në politikë
  • Dritë-hijet e të larguarve nga PS. Pse të gjithë u dorëhoqën me letër?
  • Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqjen dhe tha se nuk do betohet si kryetar i Bashkisë Shkosër. Pjetri shton se ka qenë një ngjarje për të cilën akuzohet, ka qenë një situatë banale me shokët e tij që është nxjerr jashtë kontekstit. Pjetri shprehet se do të punoj për të zbardhur të vërtetën e tij për ngjarjen.
    Featured image of article: “Fati i Shkodrës s’mund të lidhej me fatin tim”, Valdrin Pjetri tërhiqet nga marrja e mandatit: Ishte një ëndërr e bukur Valdrin Pjetri

    SHKODËR- Valdrin Pjetri, i vënë në qendër të sulmeve të Partisë Demokratike, për një dënim që sipas tyre e ka marrë në Itali dhe nuk e ka deklaruar, ka vendosur që të tërhiqet nga marrja e Bashkisë së Shkodrës. Në një reagim në Facebook, Pjetri shkruan se ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në kohën kur ai ka qenë student dhe është nxjerrë nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime, sipas tij përtej çdo skrupulli moral e njerëzor.

    Ai shton se tashmë e gjithë energjia e tij do të fokusohet në pastrimin e figurës së tij dhe sqarimin e të gjitha rrethanvave dhe tregon se ka marrë vendimin që mos të betohet si kryebashkiak në Shkodër. “I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”, shkruan më tej ai.

    POSTIMI I PLOTË

    Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi…. Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor.

    Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qënë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem.

    Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë.

    I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër.

    Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë! Ishte një endërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai. Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua. Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj!

    Tri ditë më parë, Partia Demokratike publikoi dokumentet ku sipas demokratëve vërtetohet se kryebashkiaku i Shkodrës ka qenë dënuar me 18 muaj burg në Itali për drogë. Pjetri reagoi pas akzuave, ku i mohoi ato dhe u shpreh se po pret vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane. Ndërsa Partia Socialiste dhe  vetë kryetari i saj, Edi Rama kanë pezulluar Pjetrin nga strukturat e PS-së deri në verifikimin e rastit nga Prokuroria. PD pas këtyre lëvizjeve nga maxhoranca ka kërkuar dhe sekuestrimin e pasurisë së Valdrin Pjetrit.

    (A.B. Dosja.al)

    Shto Koment