Aktualitet

Bllokohen në Finiq 298 ton karburant, ishin jashtë standardit, Balluku: Sulm frontal kundër informalitetit

Bllokohen në Finiq 298 ton karburant pasi ishin jashtë standardeve.
Featured image of article: Bllokohen në Finiq 298 ton karburant, ishin jashtë standardit, Balluku: Sulm frontal kundër informalitetit

Finiq- Në bashkinë e Finiqit janë bllokuar 298 ton karburant, pasi ishte jashtë standardeve të tregtimit. Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial njofton se evidentoi probleme me cilësinë e karburantit,  në një vendburim në Bashkinë Finiq,

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, bllokuan një sasi prej 298 ton karburant, në një vendburim në Bashkinë Finiq, e cila ishte jashtë standardeve të tregtimit. Nga kontrolli i ushtruar në këtë vendburim u konstatua se mungonte vërtetimi teknik, si dhe u evidentuan probleme me cilësinë e produktit.”, thuhet në njoftim.

Ky aksion u  ndoq nga afër nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeinspektorin e ISHTI, Admir Abrija dhe zëvendësdrejtorin e Doganave, Ylber Kalaja.

Ministrja Belinda Balluku e cilësoi aksionin në fjalë si provën e radhës për angazhimin e qeverisë në luftën kundër informalitetit duke paralajmëruar se aksionet do të vijojë edhe në javët në vijim në të gjithë territorin e vendit. “Ky është një sulm frontal kundër informaliteti, të cilin ne do ta vazhdojmë. Të gjithë entet shtetërore, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Ministria e Financave dhe të gjithë agjencitë apo drejtoritë në varësi të tyre, janë të fokusuar tek lufta kundër informalitetit dhe askush nga ne nuk ka plan që të ndalojë”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se koordinimi mes agjencive dhe institucioneve përkatëse, si në këtë rast, rrisin efiçencën e aksioneve, ndërsa nxiti bashkëpunimin mes ISHTI-t dhe administratës doganore, me qëllim evidentimi e shkeljeve dhe marrjen e masave përkatëse për subjektet që abuzojnë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Në rastet kur kemi aksione të koordinuara, efiçenca e aksionit është më e lartë dhe unë do t’ju sugjeroja dhe do t’ju nxisja që dhe në të ardhmen të ketë një bashkëpunim të hapur midis drejtorive dhe Inspektoratit Teknik për të goditur sa më shumë, qoftë parregullsitë cilësore, që janë shumë të rëndësishme, ashtu dhe parregullsitë fiskale. Për të vendosur një herë e mirë në tregun e karburanteve në Shqipëri një legjitimitet të plotë përsa i përket tregtimit, cilësisë dhe sigurisht përsa i përket të gjithë rregullimit të këtij sektori, i cili ndër vite lë shumë për të dëshiruar”, theksoi Balluku.

Nga analizat e kryera rezultoi se lënda prej 298 tonësh, e bllokuar në këtë pikë vendgrumbullimi, kishte parametra të pazakontë sa i takon nivelit të squfurit por edhe nivelit të flakërimit. Nga ana e inspektorëve të ISHTI-t subjektit ju kërkuar edhe pajisja me vërtetimin teknik pasi nuk plotësonte kushtet e sigurisë

J.V/Dosja.al

 

Shto Koment