Politike

Takimi me Metën, Basha: Zgjedhje të parakohshme, qeveri kujdestare, opozita do t’i drejtohet popullit (VD)

Lulzim Basha foli edhe për draftin për Reformën Zgjedhore. Teksa fajësoi kryeministrin Rama se nuk do dialogun dhe e refuzon atë, Basha tha se para dhjetorit, opozita e bashkuar do të bëjë publike propozimet për Reformën, në përputhje me kushtet e Bundestagut gjerman.

TIRANË– Lulzim Basha ishte i sinkronizuar me qendrimin e presidencës pas takimit që zgjati 90 minuta. Kryetari i PD mbështeti qëndrimin e Metës në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtuese, dhe tha se qeveria po kap këtë organ. “U njohëm me provat për ndërhyrjen flagrante të kryeministrit në Reformën Zgjedhore, si dhe në emërimin e gjyqtarëve të GJK. Provohet se qëllimi s’është zbatimi, por kapja e gjykatës Kushtetuese. PD dhe aleatët e kanë konsideruar që prej fillimit këtë një grusht kushtetues. Përtej kësaj, është edhe një provë më shumë se Reforma në Drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur, mbetet një iluzion.”-tha Basha.

Ai solli për krahasim dënimin e Saimir Tahirit me 3.4 vite shërbim prove, dhe tha se PD mbështet një reformë që bazohet në Kushtetutë.

“E pamë në rastin e Saimir Tahirit, në dosjet 184 dhe 339, e pamë edhe në varrosjen e aferave. PD dhe opozita janë për një Reformë në Drejtësi sipas Kushtetutës. Sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve të qeverisjes aktuale. Prej më shumë se tre muajsh kjo detyrë është shtruar nga Gjermania, përmes mocionit të përbashkët të Bundestagut.”-tha Basha.

Më tej, ai përmendi kërkesat e opozitës dhe gatishmërinë e saj për të hartuar një Reformë Zgjedhore siç e kërkon Bundestagu gjerman. Basha tha se PD ka gati propozimet që do të bëhen publike para muajit dhjetor. “Është shtruar prej më shumë se 2 muajsh. Opozita ka 2 muaj që ka shprehur gatishmërinë për Reformën Zgjedhore. Prej 4 muajsh, Edi Rama ka refuzuar dialogun e ofruar nga ndërkombëtarët. Opozita nuk ofron dhe mbështet për kalendat greke, të Reformës Zgjedhore. Javën e ardhshme, opozita do të paraqesë të gjitha propozimet për këtë Reformë. Kemi patur vetëm refuzim dhe kushtëzim të dialogut. Ky është një film i parë e i stërparë. Qeveria përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës. Propozimet do të jenë gati para gjysmës së dhjetorit.”

Kryedemokrati foli edhe për kërkesën e palëkundur të opozitës që prej momentit të parë që nisi protestat, gati një vit më parë. Basha foli për zgjedhje të parakohshme dhe qeveri kujdestare, që siç tha, ashtu si në Maqedoninë e Veriut, edhe në Shqipëri do të garantojnë votën.

“S’ka asnjë shtyrje për zgjedhjet e parakohshme dhe qeveri kujdestare. S’i mungon Shqipërisë asgjë në krahasim me Maqedoninë e Veriut. Lidershipi atje, mori përgjegjësinë përsipër për të garantuar votën. Do të insistojmë në këtë kërkesë të pandryshuar të opozitës. Do të marrim të gjitha hapat, do t’ju drejtohemi edhe shqiptarëve që janë shumicë pro zgjedhjeve të parakohshme, për të marrë të gjitha hapat përballë një qeverie autokrate.”-u shpreh Basha.

Presidenti Ilir Meta dhe kryedemokrati Lulzim Basha i shoqëruar nga aleatët, u takuan sot për 90 minuta. Takimi prodhoi një qëndrim të unifikuar të presidentit me opozitën. Meta mbështet kërkesën e PD për zgjedhje të parakohshme, e Basha tha se opozita e ka thënë që prej momentit të parë se qeveria po kap reformën në Drejtësi.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment