Politike

Hetimi i Lefter Allës për videon e kokainës, Balla: Nëse SPAK ngre akuzë, reagimi ynë do të jetë i ashpër! (VD)

  • Felaj kërkon largimin e Lefter Allës: Çështja është nën hetim, aspak etike
  • Kryetari i grupit të Partisë Socialiste përshëndet SPAK për nisjen e hetimit për Lefter Allën dhe thotë se PS nuk merr në mbrojtje askënd, kushdoqoftë ai .
    Featured image of article: Hetimi i Lefter Allës për videon e kokainës, Balla: Nëse SPAK ngre akuzë, reagimi ynë do të jetë i ashpër! (VD)

    TIRANË- Partia Socialiste e lidh reagimin për videon ku shfaqet një person duke konsumuar kokainë, i cili pretendohet se është kryebashkiaku i Bulqizës, me akuzën e mundshme që do të ngrejë prokuroria. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka thënë se SPAK ka nisur hetimin dhe se nëse “video është e vërtetë, ndjejmë neveri”.

    “Ka nisur punë SPAK me hetimin, duhet ta kuptojmë të gjithë që standartet janë të tjera sot. Dua ta përshëndes SPAK për nisjen e një hetimi të plotë. Në asnjë rast PS nuk ka marrë në mbrojtje askënd për një çështje. Sapo SPAK të ngrejë akuza të caktuara, reagimi ynë do të jetë i ashpër. Cilido qytetar i Bulqizës, ndjejmë neveri në rast se vërtetohet, po ashtu bashkohemi me neveri për parti të caktuara përdorin video-montazhe. Megjithatë ndërpresim çdo koment.”-tha Balla. 

    Numri 2 i Partisë Socialiste tha se nëse do të ishte PD, do e kishte marrë në mbrojtje të “akuzuarin” e saj. “Di që kjo akuzë po bën vitin dhe nuk di që nga drejtësia të jetë konfirmuar një rast i tillë. Ju thatë 5, PD, mund të thotë edhe 55. Kemi vullnet t’i shkojmë hetimeve deri në fund. Po të ishte Xhelal Mziu në vend të Lefter Allës, kjo partia që kam nderin unë ta përfaqësoj, s’merr askënd në mbrojtje.”, -tha Balla.

    Deputeti socialist nuk pranoi të komentojë reagimin e Ervin Salianjit, i cili u distancua nga autorësia e publikimit të videos.  “Unë nuk komentoj deklarata të personave të dënuar me vendim gjykate, në mos gaboj me një vit, për çështje të ngjashme.“-tha ai.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    I pyetur nga gazetarët, nëse do të pranojnë propozimin e Partisë Demokratike për të futur në ligjin për dekriminalizimin edhe testin e drogës, Balla tha: Ne kemi ligj shumë të mirë për këto raste. Ligji për dekriminalizimin, i jep vendin kujtdo. Kushdo që thyen ligjin të përballet. 

    Ndërkohë që 5 bashki në vend janë pa kryetar, Balla bëri thirrje që presidenti Ilir Meta të reflektojë dhe të dekretojë një datë të re zgjedhjesh. “Kjo është një kompetencë e presidentit, që në mënyrë të pakuptimtë që prej fundgushtit të vitit 2019, i informuar nga prefekti i Shkodrës, sipas ligjit, të dekretonte datën e zgjedhjeve në Shkodër. E njëjta situatë edhe në rastet e tjera. Shpresoj që presidenti të reflektojë në bazë të Kodit Zgjedhor.”-u shpreh ai.

    Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka shkuar në SPAK, ku i është kërkuar që të dorëzojë një kampion gjaku dhe urine në mënyrë që t’i nënshtrohet testit të drogës.  Hetimet vijnë pas publikimit të pamjeve, ku ai pretendohet se konsumon kokainë. PD kërkon largimin e tij, ndërsa Alla akuzon PD si hartuese të montazhit për të.  Ai shtoi se do të padisë ish-deputetin Ervin Salianji, si njeriun që i ka montuar videon, në bashkëpunim me një televizion lokal. Socialistët nisën ta lëshonin njëri-pas tjetrit Allën, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, e pohoi se në video është kryebashkiaku i Bulqizës, ndërsa Ulsi Manja e Adnor Shameti u shmang. Në fakt, konsumimi i lëndëve narkotike nuk e pengon Allën të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut, por kjo duket se nuk ka bindur SPAK, që ka nisur hetimet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

    (f.g/dosja.al)

    Shto Koment