Aktualitet

Alvin Berisha mbërrin në Itali, lot dhe emocione në takimin me babain dhe motrat, 11-vjeçari vetëm buzëqesh (VD)

Alvin Berisha mbërrin në Itali. Nuk kanë munguar lotët dhe emocionet në takimin me motrat dhe babain. Edhe 11-vjeçari shfaqet shumë i lumtur pranë tyre.
Përditësuar:

Itali-Alvin Berisha 11-vjeçari, i cili kishte ngelur në kampin Al-Hol ka mbërritur në Itali, ku është takuar me  babain e tij dhe motrat. Alvin ka fluturuar me linjën Alitalias (AZ 827) dhe mbërriti, pak pas orës 7:00 në aeroportin e Romës, Fiumicino nga Bejruti.

Siç shihet edhe në videot e mëposhtme, në këtë takim nuk kanë munguar lotët dhe përqafimet por edhe gëzimi në fytyrat e tyre.  Tashmë 11-vjeçari është në duar të sigurt, pranë babait dhe motrave, që nuk reshtën kurrë së e kërkuari.  Edhe Alvin Berisha shfaqet shumë i lumtur, pasi gjithë kohës buzëqesh.

I veshur  me xhinse, një xhaketë blu dhe një kapelë të kuqe, ai gjeti babanë e tij dhe dy motrat duke e mirëpritur në aeroportin e Romës. Shteti italain po vazhdon me procedurat për t’i besuar fëmijën prindit Afrim.

Foto nga mbërritja në Romë të Italisë: 

Një ditë më parë falë një operacioni të realizuar në bashkëpunim me Forcat Amerikane, Gjysmë Hënën, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Inteligjencën Italine, 11-vjeçari u transportua nga Damasku në Liban dhe më pas u dërgua në ambasadën Italiane në Bejrut, ku dhe më pas u nis drejt Romës.

Historia e Alvin Berishës

Historia e 11-vjeçarit u bë publike nga emisioni investigativ italian “Le Ienne”, ku me ndihmën e gazetarëve, pas pesë vitesh kërkimeve në fund, i ati i dëshpëruar Afrim Berisha, arriti të depërtonte ne kampet e Sirisë dhe takoi të birin, në 25 shtator të këtij viti.

Tre ditë pas publikimit të investigimit të “Le Iene” për rastin e fëmijët 11 vjeç dha dorëheqjen edhe Genti Gazheli, ambasadori i Shqipërisë në Turqi, por të prekurit nga historia e të voglit shqiptar nuk u  dorëzuan.

Italianë, shqiptarë dhe njerëz anëmbanë botës bashkë me median ushtruan presion mbi qeverinë shqiptare dhe organet kompetente në mënyrë që 11-vjeçari të hidhej sërish në krahët e të atiti dhe këtë herë për të mos u larguar më kurrë.

J/V/Dosja.al

  • 12:04

    Doktoresha e Kryqit të Kuq flet për gjendjen e Alvinit: Nuk donte të flinte, donte të luante

    Alvin Berisha tashmë është në Itali, dhe është takuar me babanë e tij. Nga aeroporti i Romës autoritetet italine kanë dhënë një konferencë për mediat, ku kanë sqaruar disa detaje rreth shpëtimit të 11-vjeçarit.

    Mes të pranishmëve ka qenë dhe doktroesha e Kryqit të Kuq, duke thënë se Alvini nuk flet italisht, por vetëm pak shqip. “Alvini nuk donte të flinte, donte të luante. Sot mbajtëm premtimin, që babai i tij i tha se do ta sillnim në shtëpi”, u shpreh doktoresha.

    Ai është një kamp për jetimët, por Alvini nuk është ashtu, pasi ai ka babanë. Më në fund Alvini u largua nga kampi, arriti në Damask dhe Bejrut. Alvini ishte i buzëqeshur megjithë atë që ka kaluar. Nuk flet më italisht, pak shqip, por mendoj se do ta rikuperojë, pasi familja e tij jeton në Itali. Qëndruam në hotel, ka ngrënë patatina, ka luajtur me telefon, ka qenë shumë i lëvizshëm, tani fillon jeta e tij e re, nuk mendoj se do të jetë e thjeshtë. Alvini nuk donte të flinte, donte të luante. Sot mbajtëm premtimin, që babai i tij i tha se do ta sillnim në shtëpi” – tha ajo.

  • 10:47

    Shpëtimi i Alvin Berishës, ‘lajthit’ Lleshaj: Po! Po e përdorim politikisht për të dhënë mesazhe të rëndësishme

    Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur sot nga Roma për operacionin e shpëtimit të Alvin Berishës. Në një deklaratë për mediat Lleshaj falenderoi të gjithë ata që ndihmuan në këtë operacion, ndërsa tha se operacioni u ndoq drejtpërdrejt nga kryeministri italian Giussepe Conte dhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Më tej në deklaratën e tij ministri Leshaj, u shpreh se ai dhe qeveria po e përdorin këtë ngjarje politikisht, për të dhënë mesazhe të rëndësishme. 

    Sot është një ditë e rëndësishme, e cila fillon me Alvin Berishën, i cili vërtet ka arritur që t’i largohet ferrit ku ka jetuar, ose ku ka humbur një pjesë të fëmijërisë së tij. Falë angazhimit të të gjithë këtyre aktorëve ai është rikthyer në botën që i përket. Ka qenë një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar ku janë përfshirë disa aspekte të rëndësishme.

    Së pari, kemi një aspekt politik, të cilin unë duhet ta përmend se askush tjetër me sa shoh këtu, nuk mund ta përmendë. Operacioni ka marrë vëmendjen e të dy kryeministrave, kryeministrit Conte dhe kryeministrit Rama dhe është ndjekur nga afër nga të dy ata pas takimit që kanë zhvilluar në Romë. Pastaj ka pasur një dimension shumë të rëndësishëm diplomatik ku janë përfshirë ambasadat tona, ambasada e Shqipërisë…. konsullata e Shqipërisë në Bejrut .. ambasada e Italisë në Bejrut.

    Ka pasur një aspekt shumë të rëndësishëm policor ku janë angazhuar në një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe të shkëlqyer policitë e të dy vendeve tona. Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe. Unë nuk dua të hyj në detajet e operacionit për arsye se u përmendën nga gjeneral Spina dhe u përmendën edhe nga kolegët e tjerë të pranishëm në tryezë.

    Unë dua vetëm, dhe për këtë punë kam ardhur sot në Romë, vetëm për të shprehur mirënjohjen dhe për të shprehur falënderimet e qeverisë shqiptare në adresë të të gjithë autoriteteve dhe aktorëve që u përfshinë në këtë operacion. Së pari, për autoritet policore të Shqipërisë dhe të Italisë, për autoritetet e Kryqit të Kuq, pra për Presidentin e Kryqit të Kuq italian dhe ndërkombëtar dhe për Presidentin e Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë, respektivisht zotin Rocca dhe zotin Hboubati. Po ashtu dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë në këtë operacion. Por dua të përmend një aspekt të veçantë: – ishin autoritetet libaneze të cilat mbështetën me gjithë kapacitetet e tyre realizimin e operacionit në terren.

    Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe automatikisht shtrohet pyetja: “Nëse ne po e përdorim politikisht këtë apo jo?” Dhe unë po them – Po! Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme, të cilat duhet të na vlejnë të gjithëve ne për pas këtij operacioni. Alvin Berisha është një rast i trishtuar, i cili duhet të na tregojë të gjithëve që terrorizmi, radikalizmi, dhuna, ekstremizmi nuk janë opsione, të cilat mund të jetojnë në shoqërinë tonë. Dhe gjithë sfida e politikës, e shoqërisë, e autoriteteve është që raste si ky i Alvin Berishës të mos përsëriten më në shoqëritë tona dhe terrorizmi, ekstremizmi, radikalizmi, çdo formë e dhunës, të mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë europiane”, shtoi ndër të tjera Lleshaj.

Shto Koment