Aktualitet

2.6 ton kanabis në Mal të Zi, shkon në katër numri i personave të arrestuar, kapet 32-vjeçari nga Yrsheku

Konkretisht 32-vjeçari akuzohet se ka ndihmuar Ervis Çallikun, drejtuesin e kamionit që u kap me 2.6 ton kanabis në Mal të Zi, mbrëmjen e 3 nëntorit të këtij viti. Në kuadër të operacionit “Bozhaj” janë vënë në pranga edhe dy personat që akuzohen se ndihmuan të mbushej kamioni me kanabis në Lushnje. 
Featured image of article: 2.6 ton kanabis në Mal të Zi, shkon në katër numri i personave të arrestuar, kapet 32-vjeçari nga Yrsheku Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku dhe foto ilustruese
Përditësuar:

TIRANË– Numri i personave të arrestuar për 2.6 ton kanabis që u kapën në Mal të Zi ka shkuar në katër. Dosja.al mëson se është vënë në pranga edhe një 32-vjeçar, banues në Yrshek Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim. 32-vjeçari me inicialet E.P., është kapur në Shkodër, pasi akuzohet si bashkëpunëtor në trafikimin e sasisë së kanabisit drejt Malit të Zi.

Konkretisht 32-vjeçari akuzohet se ka ndihmuar Ervis Çallikun, drejtuesin e kamionit që u kap me 2.6 ton kanabis në Mal të Zi, mbrëmjen e 3 nëntorit të këtij viti. Në kuadër të operacionit “Bozhaj” janë vënë në pranga edhe dy personat që akuzohen se ndihmuan të mbushej kamioni me kanabis në Lushnje. Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi kanë bashkëpunuar me Çallikun në mbushjen e kamionit me kanabis. Pikërisht Tabaku akuzohet se është pronari i magazinës nga ku doli dhe lënda narkotike, për tu dërguar në kamion.

Të dy, Shurdhi dhe Tabaku kanë pranuar të bashkëpunojnë me drejtësinë për të zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tjerë, dëshmi në të cilën mendohet të ketë dalë edhe emri i 32-vjeçarit që u arrestua sot. Çalliku ishte një nga aksionerët e kompanisë “Joel Trans”, me kamionët e të cilës është bërë edhe transporti i lëndës narkotike. Ndërkohë, personi që priste të merrte lëndën narkotike në Mal të Zi, nuk është zbuluar ende.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Njoftimi i plotë i policisë: Vijon operacioni policor i koduar “Bozhaj”, shkon në 4 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në ngjarjen e datës 03.11.2020, ku disa persona tentuan të trafikojnë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së. Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë punës së mirorganizuar, u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim: E. P., 32 vjeç, banues në lagjen Yrshek, Katund i Ri, Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet si një nga bashkëpunëtorët në ngjarjen e datës 03.11.2020, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ku ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë automjeti kamion me drejtues shtetasin shqiptar E. C., 40 vjeç dhe në afërsi të qytetit të Tuzit, Mal i Zi, strukturat e antikontrabandës malazeze gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, kanë gjetur një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa. Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 07.12.2020, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment