
TIRANË– Komisioni i Ligjeve ka marrë sot nën shqyrtim dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin në Kuvend, ku nga 17 anëtarë prezentë, 15 votuan kundër dekretit kurse vetëm 2 pro, Adriatik Alimadhi dhe Korab Lita.
Ulsi Manja gjatë fjalës së tij në komision tha se Venecia thotë që ndryshimet nuk mund të bëhen 1 vit para zgjedhjeve dhe të cënojnë ligjin zgjedhor.
‘Venecia thotë që ndryshimet nuk mund të bëhen 1 vit para zgjedhjeve dhe të cënojnë ligjin zgjedhor. Kam një pyetje për presidencën, kë konsideroni element thelbësor të një kodi zgjedhor, pavarësisht se kodi zgjedhor është miratuar me një shumicë votash në parlament?’- u shpreh Manja.
Në seancë ka qenë dhe këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj që ka kërkuar pranimin e dekretit për kthim të Presidentit si dhe një pritje të opinionin të Komisionit të Venecias që do u përgjigjet 8 pyetjeve të ngritura. Me 17 anëtarë të pranishëm, ku 2 prej tyre ishin pro e 15 të tjerë kundër, Kodi Zgjedhor i risjellë nga Meta për shqyrtim u rrëzua nga ‘Ligjet’ për të shkuar kështu ditën e enjte në Kuvend për votim.
Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe raporteri për Shqipërinë në PE, David Lega, i bënë thirrje maxhorancës që të mos i votonte ndryshimet por të prisnin opinionin e ‘Venecias’ mirëpo thirrjet e tyre nuk u morën për bazë pasi tashmë ai u votua.
Presidenti Meta dekretoi kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për Kodin Zgjedhor” pasi sipas tij ishte një mundësi e fundit që “mazhoranca qeverisëse e Partisë Socialiste, të reflektojë e të tërhiqet nga sjellja dhe veprimet antidemokratike që mund të favorizojnë Partinë Socialiste në procesin zgjedhor të 25 prillit 2021. Ai dërgoi një ditë më parë në Komisionin e Venecias, ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor. Sipas presidentit, Komisioni do të japë opinionin e vetë për ndryshimet që bëri mazhoranca në Kodin Zgjedhor, pasi ato, sipas tij, janë bërë jo me rekomandimin e OSBE.
Presidenti Meta nuk do ketë më mundësi që ta rikthejë kodin për rishqyrtim pasi ka të drejtë vetëm 1 herë. Mbetet për tu parë se çfarë vendimi do të marrë Komisioni i Venecias.
(a.b.k.m/dosja.al)