Rajoni

Kuvendi mblidhet më 23 korrik, hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare dhe rezolutat për pandeminë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, në të cilën është vendosur që të enjten e 23 korrikut Kuvendi të mblidhet për mbajtjen e seancës plenare. Në këtë seancë, pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe rezolutat për pandeminë
Featured image of article: Kuvendi mblidhet më 23 korrik, hidhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare dhe rezolutat për pandeminë Foto ilustruese

KOSOVË– Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media, nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovës.

“Në orën 10:30, Kuvendi do të vazhdojë seancat me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, përkatësisht votimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten 80 vota për, si dhe dy propozim-rezolutat nga debati i fundit i Kuvendit lidhur me menaxhimin e pandemisë Covid 19 nga ana e qeverisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq në orën 11:00, do të fillojë seanca e rregullt plenare, me pikat e rëndomta të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
“Seanca pritet të vazhdojë me debatin parlamentar lidhur me situatën financiare në Telekomin e Kosovës, të kërkuar nga GP i Vetëvendosjes, si dhe debatin parlamentar sipas kërkesës së deputetes Teuta Haxhiu, mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës”, thekson njoftimi.

Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se nëse Komisioni për Buxhet dhe Transfere arrin të kryejë punën e tij, pikë e fundit e rendit të ditës së kësaj seance pritet të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

“Kështu, komisionet përkatëse u ngarkuan me shqyrtimin e tri projektligjeve: Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19”, Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, si dhe Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, për të cilat qeveria ka dhënë opinion negativ, duke i konsideruar të panevojshme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se për shqyrtim në komisionin përkatës parlamentar u procedua edhe Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i mbështetur edhe nga qeveria.

Marrë nga GazetaExpress

Shto Koment