Politike

Kuvendi rivoton të enjten ligjet e medias, argumentat pro dhe kundër

Projektligji më shumë se sa të mbyllë median online, duket se synon të krijojë një klimë tensioni të paqenë, duke i dhënë mundësi qeverisë të etiketojë sipas dëshirës kritikët e vet si shpifës.
Featured image of article: Kuvendi rivoton të enjten ligjet e medias, argumentat pro dhe kundër Foto ilustruese

Të enjten e 30 janarit Kuvendi pritet të votojë dy ligjet kundër shpifjes të kthyera nga Presidenti Meta, dy akte normative për tatimin mbi të ardhurat dhe ndryshimin e buxhetit 2019, ligjin për disiplinimin e punimeve në ndërtim etj.

Në diskutimin e dekretit të Presidentit për kthimin e ndryshimeve në legjislacionin e medias, relatorja, Kryetare e Komisionit, Fatjona Dhimitri, u shpreh se në mënyrë të pa precedent në Europë projektligji vendos një regjim kontrolli administrative mbi internetin, me fuqi për të kontrolluar përmbajtjen, gjobitur dhe etiketuar këto faqe si shpifëse, bazuar në një vendim të thjeshtë administrativ nga një organ që teorikisht është i pavarur dhe praktikisht është i varur nga struktura e pushtetit parlamentar.

Sipas deputetes së opozitës parlamentare, projektligji synon në mënyrë të pavërtetë të fshihet pas argumentit të: a) mbrojtjes së fëmijëve ; b) mbrojtjes nga terrorizmi apo c) lufta kundër pedofilisë, kur në fakt synimi kryesor në frymë dhe në përmbajtje është informacioni i publikuar në mediat onlaine. Projektligji më shumë se sa të mbyllë median online, duket se synon të krijojë një klimë tensioni të paqenë, duke i dhënë mundësi qeverisë të etiketojë sipas dëshirës kritikët e vet si shpifës, si dhe të përçojë propogandën e vet në çdo faqe interneti përmes teknikës së quajtur pop up, përmes së cilës, supozohet se AKEP-i do të urdhërojë shpërndarësit e internetit që sa here një qytetar të aksesojë një faqe interneti kritike, atij t`i hapet automatikisht një dritare që thotë se kjo faqe ka shpifur.

Në diskutimin e saj, znj. Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë, duke kundërshtuar Dekretin e Presidentit, ritheksoi argumentat lidhur me domosdoshmërinë e ligjit nr.91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013”Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë “, të ndryshuar”. Znj. Gjonaj theksoi se kemi paraqitur në këtë Komision nevojën, qëllimin dhe pasojat, që në fakt një pjesë e tregut të parregulluar ka sjell deri tani, duke shkelur një sërë të drejtash edhe të njerëzve, ndaj duhet t`i shikojmë të drejtat e njeriut në mënyrë komplekse. “Ne e kemi bërë mjaft të qartë se pse ka qenë e nevojshme miratimi i këtyre ndryshimeve, që ka të bëjë me pjesën e paketës antishpifje; e kemi qartësuar edhe se cili ka qenë qëllimi, por pa dyshim edhe nga nevoja për shkak edhe të zhvillimeve teknologjike”, u shpreh ministrja Gjonaj.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Qeveria thotë se ka patur si për të vendosur disa rregulla te qarta, substanciale dhe proceduriale për ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike, për të parandaluar cenimin e dinjitetit dhe reputacionit të individëve, parandalimin e ekspozimit të të miturve nga përmbajtjet e dëmshme, si dhe parandalimin e ekspozimit të gjithë qytetarëve nga gjuha e urrejtjes apo dhunës, por njëkohësisht rregulla të qarta proceduriale për sigurimin e një mbrojtje efikase të të drejtave të personave fizikë dhe juridikë, publikë dhe privat, dhe nëpërmjet një mjeti procedurial administrativ të shpejt dhe efikas, i cili pa dyshim synon ndalimin e përhapjes së informacionit të rremë, të pasaktë, tendencioz, ashtu edhe marrjen e masave të shpejta në favor të mbrotjes së të drejtave të njeriut. Por njëkohësisht edhe një sërë qëllimesh të tjera, që kjo paketë ka pasur edhe për t`u përafruar me legjislacionin dhe me standarte ndërkombëtare. E kemi paraqitur qartë këtu se një sërë vendesh demokratike, një sërë vendesh europiane kanë miratuar paketa shumë herë më strikte për sa i përket paketës antishpifje, si Gjermania, Franca, Kroacia.

Opozita parlamentare thotë se projektligji i hap rrugë falimentit paraprak të medias online, për shkak se gjobat e vendosura nga një organ administrativ, si Këshilli i Ankesave, konsiderohen titull ekzekutiv. Të tilla gjoba mjaftojnë për të shtyrë median drejt vetëcensurës, duke krijuar një klimë të favorshme për lirinë e shpifjes.

Për opozitën, projektligjet i japin AMA-s kompetenca të tilla, që e shndërrojnë atë pikërisht në një organ të censurës mbi mediat onlaine. AMA me kompetenca të zgjeruara përveçse në fushën e mediave audiovizive, edhe në fushën e mediave elektronike fiton kompetenca të tilla, që praktikisht në mënyrë arbitrare mund të mbyllë media apo të vendosë gjoba të tilla që janë të papërballueshme për mediat. Sipas kreut të komisionit të Medias, projektligjet sjellin pasoja të rënda për lirinë e mediave dhe demokracinë shqiptare.

Marrë nga Monitor 

Shto Koment