Politike

Kushtetuta e re/ Opozita kërkon të mos preken koalicionet. Si rrezikon të prishet marrëveshja e 5 Qershorit në Këshillin Politik, për çfarë do të vendoset sot

Këtë të hënë opozita e bashkuar pritet që të shprehet zyrtarisht për vijimin e mëtejshëm të Këshillit Politik.
Featured image of article: Kushtetuta e re/ Opozita kërkon të mos preken koalicionet. Si rrezikon të prishet marrëveshja e 5 Qershorit në Këshillin Politik, për çfarë do të vendoset sot Lulzim Basha dhe aleatët

TIRANË: Në kushtet kur ndryshimi i Kushtetutës u bë fakt nga Parlamenti në seancën e fundit për këtë sesion, opozita e bashkuar pritet që të shprehet zyrtarisht për vijimin e mëtejshëm të Këshillit Politik këtë të hënë.

Kryeministri Rama ftoi opozitën menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese të enjten e shkuar më 30 korrik, që të rimblidhen në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore për të bërë ndryshimet e nevojshme që imponon ndryshimi i Kushtetutës. Riformulimi i dy neneve në ligjin themeltar të shtetit në nenin 64 dhe nenin 68 vendos prag kombëtar, të cilin partitë duhet ta arrijnë për t’u futur në formulën e shpërndarjes së mandateve. Po ashtu, në Kushtetutë u sanksionua që të hapen listat, ndërsa çështjet teknike se sa do të hapen do të përcaktohen në Kodin Zgjedhor. Po ashtu, për herë të parë që nga viti 1992, nga Kushtetuta u hoq mundësia që koalicionet të jenë subjekte zgjedhore, pra, që të kenë mundësi propozimi të deputetëve.

KUNDËRSHTITË E OPOZITËS

PD-LSI dhe aleatët ishin kundër këtyre ndryshimeve. Në tryezën e Këshillit Politik, opozita e bashkuar kërkoi që listat të hapen 100% dhe jo vetëm 70% sa është vendosur dyshemeja nga ana e maxhorancës. Po ashtu, opozita e bashkuar kërkon që të mos preket formula e koalicioneve parazgjedhore. Ata kanë kërkuar që formula e koalicioneve të mos ndryshojë dhe të mbes siç ka qenë deri në zgjedhjet e fundit. Ndërsa nga ana tjetër, maxhoranca shprehet se koalicionet parazgjedhore me të njëjtën formulë siç është tani, nuk mund të qëndrojë me listat e hapura.

Për t’iu përgjigjur këtyre qëndrimeve, PD dhe aleatët hartuan një fletë-tip, ku bëhej e mundur edhe hapja e listave dhe koalicionet parazgjedhore. Por, megjithatë, përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri, tha se kërkesa e tyre është e pamundur dhe fleta e votimit është vetëm një detaj teknik i sistemit, por problemi qëndron edhe më thellë në sistem. Ndërsa opozita ndërkohë i kujton maxhorancës që më 5 qershor, në marrëveshjen për Kodin Zgjedhor, e cila tashmë është miratuar dhe shpallur nga Presidenti ka pranuar ekzistencën e koalicioneve parazgjedhore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

MARRËVESHJA E 5 QERSHORIT

Por çfarë dakordësoi maxhoranca dhe opozita politike në Këshillin Politik më 5 qershor? Në marrëveshjen e shkruar në anglisht, në prani edhe të ndërkombëtarëve, palët nënshkruan parimet, ku ndër të tjera thuhej se drafti që do prodhojë Këshilli Politik për amendimin e Kodit Zgjedhor do miratohet në Parlament pa ndryshuar. Pas shumë diskutimesh, që nga 5 qershori më 23 korrik, Parlamenti miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por çfarë përmban drafti i amendimeve në Kodin Zgjedhor? Në dy prej neneve të draftit të dakordësuar nga Këshilli Politik, të miratuar tashmë, flitet për koalicione parazgjedhore. Konkretisht, neni 19 i draftit që amendon nenin 67 të Kodit Zgjedhor. Ai flet për numrin e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore.

“Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy”, shkruhet ndër të tjera në nenin 19 të draftit të dakordësuar nga marrëveshja e 5 qershorit. Ndërkohë, neni tjetër i 5 qershorit, që flet për koalicionet, është ai 36, që sanksionon se çfarë ndodh lista e kandidatëve të një partie në koalicion. “Në rastin kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë”, sanksionohet në draftin e dakordësuar, të miratuar tashmë në Parlament.

Marrë nga Panorama.com 

Shto Koment