Rajoni

Kushtetuesja i dha të drejtë, Thaçi: Kam qenë i bindur për çdo veprim që kam ndërmarr

Thaçi shprehet se ka qenë i bindur për çdo hapë që ka marrë dhe i vjen mirë që është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese për veprimet e tij.
Featured image of article: Kushtetuesja i dha të drejtë, Thaçi: Kam qenë i bindur për çdo veprim që kam ndërmarr Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës

TIRANË- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i ka dhënë të drejtë për mandatimin e Abdullah Hotit për të formuar qeverinë e re. Në një reagim në mediat sociale, Thaçi shprehet se ka qenë i bindur për çdo hapë që ka marrë dhe i vjen mirë që është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese për veprimet e tij.

Më tej ai shton se partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkruan Thaçi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Sipas vendimit të bërë publik, gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër. Me këtë vendim gjykata i ka dhënë të drejtë presidentit Hashim Thaçi për dekretin e tij që ka mandatuar Abdullah Hotin për të formuar qeverinë e re. 

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment