Editorial

Kush përfiton nga trazimi i Tiranës

Pak arritje të Moskës në Ballkan mund të ishin më të mëdha sesa kthimi i Shqipërisë nga një aleat i besueshëm i Amerikës në një komb të paqëndrueshëm me konflikte të brendshme, në të cilin NATO nuk mund të ketë më besim dhe të cilin BE nuk e do.
Featured image of article: Kush përfiton nga trazimi i Tiranës

Rusia do të jetë përfituesi kryesor ndërkombëtar nëse Shqipëria do të përfshihej nga konfliktet e brendshme dhe paqëndrueshmëria. Krizat politike të cilitdo shtet evropian e bëjnë Moskën të ‘lulëzojë’. Sepse kur institucionet dobësohen, ligji dhe rendi prishen, fraksionet politike në konflikt bëhen më të hapura ndaj ndihmës të të huajve, dhe fuqitë perëndimore janë të përfshira në menaxhimin e konfliktit, Rusisw ka mundësinë të rrisë ndikimin e saj.

Nga pikëpamja propagandistike dhe e dezinformimit, Rusia do ta përshkruajë dhunën politike ose rënien institucionale në Shqipëri, si një dështim tjetër të Perëndimit. Një skenar i tillë shkatërrues do të përdoret nga Kremlini për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi në NATO nuk mund të garantojë siguri dhe se Bashkimi Evropian nuk mund të promovojë zhvillim.

Mediat në pronësi të Rusisë, vizitorët në shtetet perëndimore dhe influencuesit pro-Moskë në një numër të madh rrjetesh sociale do të hedhin dyshime duke nënvlerësuar nevojën e vetë vazhdimit të ekzistencës së NATO-s. Ata gjithashtu do të hedhin baltë mbi logjikën e mbajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Nëse një Shqipëri vendosmërisht pro-amerikane nuk mund të garantojë sigurinë dhe stabilitetin e saj me ndihmën amerikane, atëherë mund të thuhet se asnjë vend nuk mund të mbështetet te Uashington si te një mik dhe aleat i ngushtë.

Në nivel rajonal, një Shqipëri e paqëndrueshme do të ndihmojë Moskën në fushatën e saj për të destabilizuar dhe delegjitimizuar Kosovën si një shtet të pavarur. Zyrtarët e Kremlinit do të inkurajojnë nacionalizmin serb dhe pretendimet e Beogradit për territorin kosovar me pretekstin e parandalimit të përsëritjes të një skenari si ai i Shqipërisë në Kosovë. Për më tepër, bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin bilateral mund të qëndrojnë pafundësisht ‘të ngrira’.

Kriza në Shqipëri do të përdorej nga Moska edhe për të destabilizuar Maqedoninë e Veriut dhe për të parandaluar hyrjen e saj në NATO. Si mediat ashtu edhe zyrtarët e shtetit rus do të inkurajojnë nacionalizmin maqedonas si një vetëmbrojtje ndaj radikalizimit të supozuar shqiptar dhe do të përpiqen të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike si dhe të prishin qeverinë e koalicionit në Shkup. Ata do ta quajnë hyrjen në NATO një recetë për konflikt edhe më të madh, i cili nuk mund të parandalojë një sulm potencial mbi kufijtë shtetërorë.

Destabiliteti i Shqipërisë mund të ‘eksportohet’ edhe në Mal të Zi, pasi Putini mund të kërkojë të hakmerret për grushtin e dështuar të shtetit të orkestruar nga ai kundër qeverisë pro-perëndimore në tetor 2016. Militantizmi mund të nxitet brenda të gjithë grupeve etnike si një mënyrë për të dobësuar shtetin malazez dhe suporti ndaj nacionalistëve serbë pro-rusë mund intensifikohet.

Që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, Rusia e ka rritur në mënyrë domethënë sesi praninë e saj diplomatike edhe atë të spiunëve në Shqipëri. Ashtu si në shtetet e tjera evropiane, Moska ndjek rrugën e depërtimit në shërbimet lokale të inteligjencës, shoqatave të biznesit, qarqeve politike, organizatave mediatike, rrjeteve akademike dhe grupeve të shoqërisë civile.

Me ose pa një konflikt të mirëfilltë në Shqipëri, Moska po kërkon të intensifikojë lidhjet e saj me aktorë të ndryshëm politik, ekonomik dhe social, në mënyrë që të ulë mbështetjen për NATO-n dhe BE-në. Në rast krize institucionale apo të kërcënimit të demokracisë në shtetet më pak të mbrojtura të Evropës, Rusia shfrytëzon ato figura politike që kanë më shumë për zemër metodat autoritare të qeverisjes ose sponsorizon grupe të armatosura të vetë-mbrojtjes në pjesë të ndryshme të vendit, me qëllim minimin e qeverisë. Nëse autoriteti shtetëror (i vendit në fjalë) dëmtohet, Moska, madje, mund të interferojë si forcë ndërmjetëse ose paqeruajtëse.

Shqipëria sigurisht që nuk ka imunitet ndaj parave të korrupsionit apo depërtimit të organizatave kriminale të lidhura me shërbimet e inteligjencës ruse. Ata do të përdorin shansin e pasigurisë politike, trazirave sociale dhe të një sistemi të dobët ligjor për të zgjeruar shtrirjen e tyre, dhe për t’i dhënë ryshfet ose për t’i shantazhuar shënjestrat e tyre politike.

Një objektiv i rëndësishëm i ndërhyrjes ruse në Ballkan janë të rinjtë që kanë pak ose aspak kujtime të komunizmit apo sovjetizmit. Ata janë më të prirur sesa gjeneratat më të vjetra ndaj dezinformimit të Moskës nëpërmjet stimujve financiarë dhe turizmit politik. Kjo është një metodë si e predikuesve selefistë që i futin muslimanët e rinj fetarë në rrjetet e tyre të propagandës anti-perëndimore dhe aktivizmit të dhunshëm.

Për shembull, ambasada ruse në Tiranë kultivon lidhje sociale dhe kulturore me të rinjtë e talentuar shqiptarë dhe po i ushqen ata si mbështetës të ardhshëm të politikave të Kremlinit. Kjo është e dukshme në programin e “Forumit Ndërkombëtar të Rinisë” të sponsorizuar nga shteti rus. Ky program dërgon të rinj të mirë-arsimuar shqiptarë dhe nga vendet e tjera të Ballkani në Soçi të Rusisë, ku ata marrin një dozë të fortë indoktrinimi, të ngjashme me atë të kohëve sovjetike.

Moska, gjithashtu, do të vazhdojë të kërkoje rrugë ndërhyrjeje në mediet shqiptare, duke llogaritur se ajo mund të ulë pro-amerikanizmin e popullit dhe angazhimet politike dhe ushtarake në NATO (të vendit). Pak arritje të Moskës në Ballkan mund të ishin më të mëdha sesa kthimi i Shqipërisë nga një aleat i besueshëm i Amerikës në një komb të paqëndrueshëm me konflikte të brendshme, në të cilin NATO nuk mund të ketë më besim dhe të cilin BE nuk e do.

Shto Koment