
TIRANË- Policia e Tiranës ka arrestuar sot Afrim Kurtin dhe ka shpallur në kërkim kushëririn e tij Dëfrim Kurti pasi akuzohen se kanë shantazhuar dhe kanosur nëpërmjet disa fotove intime një grua për t’i marrë një shumë parash. Dosja.al mësoi se Dëfrim Kurti ka shantazhuar të ish-të dashurën e tij me foto intime, në mënyrë që kjo e fundit t’i jepte një shumë parash. Kurti në këtë plan është ndihmuar edhe nga kushëriri i tij, Afrim Kurti, tashmë i arrestuar.
Por kush është Dëfrim Kurti?
Dëfrim Kurti është një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2019 ai u arrestua dhe më pas u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për vrasjen e shoferit të furgonit Arben Gjeci. Kjo ngjarje e rëndë ndodhi pasi Gjeci kishte lidhje me bashkëshorten e Kurtit, Elida Cani.
Ky i fundit, pas dyshimeve se gruaja e tij e tradhëtonte lajmëroi vëllain e saj, Esat Cani. Të dy bashkë e ruajtën viktimën për disa ditë dhe pasi e kapën në takim me Elida Canin filluan ta rrihnin. Pasi Esat Cani goditi me sende të forca Arben Gjecin ky i fundit ndërroi jetë. Po kështu, pas hetimeve policia zbuloi se vrasjen e kishte kryer vëllai i Elidës, Esat Cani dhe se Kurti vetëm e kishte ndihmuar për të kryer vrasjen.
Dëfrim Kurti dhe Elida Cani








J.V/Dosja.al