Aktualitet

Kush duhet t’i paguajë naftëtarët e Ballshit? Qeveria përcjell me ‘lugë bosh’, zv.ministri: Lekët kërkojini tek privati dhe jo tek shteti

Pasi kanë fituar shumë gjyqe në vitet e fundit, Zv/Ministri Bejtja thotë se naftëtarët duhet të vazhdojnë betejën ligjore pasi qeveria nga ana e saj ka krijuar të gjitha lehtësirat për kompaninë.
Featured image of article: Kush duhet t’i paguajë naftëtarët e Ballshit? Qeveria përcjell me ‘lugë bosh’, zv.ministri: Lekët kërkojini tek privati dhe jo tek shteti Pamje nga protesta

Transferimi i protestave të naftëtarëve të Ballshit në kryeqytet, ka detyruar përfaqësuesit e qeverisë të sqarojnë pozicionin e tyre. Në një intervistë për Televizionin Klan, Zv/Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja thotë se rafineria është 100% private dhe se pagat e prapambetura të naftëtarëve duhet t’i paguajë kompania që e administron.

Pasi kanë fituar shumë gjyqe në vitet e fundit, Zv/Ministri Bejtja thotë se naftëtarët duhet të vazhdojnë betejën ligjore pasi qeveria nga ana e saj ka krijuar të gjitha lehtësirat për kompaninë.

Protestat e naftëtarëve të Ballshit për të përfituar pagat e prapambetura kanë qenë të vazhdueshme vitet e fundit. Ata kërkojnë rreth 17 paga të akumuluara në vitet e fundit. Rafineria ka ndërprerë punën nga Janari i këtij viti për shkak se dilte me humbje.

I pyetur se përse naftëtarët i drejtohen qeverisë t’i paguajë pagat, Bejtja tha se këtë “e dinë ata”.

Intervista:

Rafineria është biznes privat apo shtetëror? Pronë e kujt është?

Zv/ministri i Financave Ilir Bejtja: Aktualisht është 100% biznes privat dhe është në pronësi të ALLUM Energy.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pagat e prapambetura të cilës periudhë janë?

Zv/ministri i Financave Ilir Bejtja: Të periudhës së vitit 2015, 11 paga dhe nja 6 paga në total, shkojnë diku tek rreth 15 deri në 17 paga i takojnë 2016-ës (Janar-Korrik). Në total pretendohet 15 deri në 17 paga për të cilat punonjësit në përgjithësi kanë bërë edhe procese gjyqësore për t’i marrë ato ndaj kompanisë ARMO dhe një pjesë e mirë e tyre, në dijeninë time nga informacionet që kemi marrë nga sindikata në këtë periudhë i kanë fituar mbi 500 gjyqe. Tani duhet vetëm të ndjekin ortakët e ARMO-s që t’i marrin ato para.

Po përse naftëtarët paratë ndërkohë i kërkojnë nga qeveria?

Zv/ministri i Financave Ilir Bejtja: E dinë ata, qeveria në çdo lloj rasti që në momentin e privatizimit në 2008-ën ka qenë aksionere minoritare, vetëm 15%. Kompania ka qenë në pronësi mbi 85% të AMRA Group dhe TEXAS Refinery të cilët përbëjnë edhe konsorciumin kryesor në momentin e privatizimit. Ky grup e ka operuar uzinën në forma të ndryshme. Nje farë periudhe deri në 2012 vetë, pastaj ia dha një kompanie të krijuar po prej tyre Deveron deri ne 2014, pastaj rifilloi përsëri ARMO dhe në 2015 bankat ndërhynë që morën asetet nën sekuestro me zyrat e përmbarimit se ato ishin të pamundura të paguanin kreditë. Nga ky moment ARMO nuk u paraqit më në vendin tonë, as juridikisht as fizikisht, ne nuk e dimë ç’bëhet me ta. Dimë që nga ky proces përmbarimi për ekzkutimin e pronave, bankat përfituan pothuajse të gjitha asetet, një pjesë e aseteve u shit për pagesat e detyrimeve që kanë pasur ndaj palëve të treta, Albpetrol a ku di unë dhe tani gjithë aseti që po flasim, pra ish-kombinati i përpunimit të naftës nga 2017 është në duart e Allum Energy, që nga shtatori ka blerë ka blerë aksionet nga shoqëritë përmbarimore duke likujduar bankat dhe nga 2017 është pronë e tyre. Në janar të 2018, ata filluan tratativat dhe në prill të 2018, uzina filloi punën me një nënkontraktor, me qira, Tosk Energji bashkë me Bylis, të cilët kanë vazhduar deri në fund të 2019, në 31 dhjetor ta kenë uzinën nën qira, nën administrim. Uzina ka ndaluar në 17 shtator të 2019, pasi Tosk pretendonte se nuk mund ta punonte me atë sasi që furnizonte Bankers, pra 30 ose 35 mijë ton naftë bruto, nuk dilte fitimprurës biznesi dhe nga janari 2020 nuk ka rifilluar më. Në dijeninë tonë Allum e prishi kontratën në shkurt të 2020 me Tosk edhe Bylis dhe kanë të drejtën të operojnë, kanë liçensën, shteti ka bërë gjithçka që të nisin të operojnë.

Kjo është një situatë që do zgjidhje. A mundet që shteti t’ia paguajë paratë?

Jo në asnjë rast. Në vendin tonë falimentojnë dhe ngrihen biznese çdo ditë dhe unë nuk di ndonjë rast që shteti të ketë marrë përsipër të paguajë pagat e punonjësve. Ata duhet të ndjekin rrugën ligjore. Pronari që e ka duhet ta ndezi, nëse nuk e ndezin ka edhe falimentim, ka edhe mbyllje, por nuk është shteti që i merr këto vendime.

Marrë nga Tv Klan

Shto Koment