Politike

“Kush do ta hajë i pari”, Bushati: Politika ka nisur lojën e presionit

Sipas Bushatit, me këtë sistem shtetëror që ka ngritur kryeministri Edi Rama, roli i presidentit të Republikës është kthyer në një rol të pakuptimtë.  Ai pohoi se lëvizja më e mirë e Metës do të ishte ajo e largimit nga drejtimi i Presidencës.
Featured image of article: “Kush do ta hajë i pari”, Bushati: Politika ka nisur lojën e presionit Andi Bushati, analist

TIRANË- Analisti Andi Bushati i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 analizoi me detaje situatën politike në vend, ndërsa u ndal edhe tek përplasja mes qeverisë, opozitës dhe Presidentit të vendit pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, proces ky shumë i kontestuar nga fronti opozitar.

Sipas Bushatit, me këtë sistem shtetëror që ka ngritur kryeministri Edi Rama, roli i presidentit të Republikës është kthyer në një rol të pakuptimtë.  Ai pohoi se lëvizja më e mirë e Metës do të ishte ajo e largimit nga drejtimi i Presidencës.

“Nuk do të ishte mëkat që Meta të jepte edhe dorëheqjen dhe të ikte vetë. Presidenti në këtë lloj arkitekture shteti del një kukull e pakuptimtë. Duket sikur Meta është i pavend atje dhe mund të ishte e udhës një lëvizje politike si dorëheqja dhe më pas largimi. Presidenti çfarëdo veprimi që të bëjë, këto bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ka një optikë tjetër, e cila ka zgjedhur ndoshta Ilir Meta dhe ajo ka të bëjë me rezistencën deri në fund me deklarata publike dhe me dekrete. Meta është një barrikadë për Rilindjen shumë më e madhe sa e gjithë opozita e marrë së bashku”-tha Bushati.

I pyetur se a mund të ekzistojë një plan për komplot ndaj Presidentit të Republikës nga dy partitë kryesore në vend, PD dhe PS, analisti thotë se politika aktualisht është në një lojë të fortë shantazhesh dhe presionesh dhe palët po presin me padurim se cili do të tërhiqet i pari nga “beteja” e nisur.

“Po përflitet shumë, por për të kuptuar vërtetësinë e thash e themit unë kam gjithmonë një strategji pasi analizoj gojët që përhapin këtë thash e them. Po të shohim, gojët që e kanë publikuar këtë konspiracion në publik janë të njëjtat gojë që kanë mbështetur Edi Ramën në kohën e tij më të keqe. Politika bën shantazh me lojën e dhunës e të forcës se kush do ta hajë  presionin dhe kush do të tërhiqet i pari”-u shpreh Bushati.

Në fund Bushati u ndal edhe tek përgjimet e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të kryer me dy komedianë rusë ku mes tjerash bisedohej për çështjen e kufijve Kosovë-Serbi. Ai tha se përgjimet treguan  se kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel ka qenë e shqetësuar për këtë aventurë të rrezikshme mes Thaçit-Vucicit dhe Ramës.

“Na treguan shumë gjëra të reja. Së pari vërtetuan atë shprehjen tonë “kur të vjen e keqja hapi derën”. Thelbi i saj na tregon një gjë: Merkel ka qenë e shqetësuar për aventurën Thaci-Vucic-Rama për aventurën e kufijve në Ballkan. Liderët kryesorë të rajonit janë të trembur me këtë aventurë, e cila mund të çonte në luftra të reja në Ballkan”-shtoi ai.

(Marrë nga Balkanweb)

Shto Koment