Dikur

Kujtimet e të birit për Edip Tërshanën/ Kur rritesh nga një hero tragjik

Teksa kalonte 40 vjeç, i rriteshin fëmijët, bëhej gjysh, Nehat Tërshanës nuk i bëhej më e lehtë dhimbja për humbjen e të atit. Madje, pesha e saj sikur rritet prej trishtimit të gurtë, që nuk mund të shpërbëhet: që babai i tij nuk mundi t’i jetojë këto vite, që jo vetëm nuk njohu nipër e mbesa, por as nuk e pa të rritej, atë, djalin e tij të vetëm
Featured image of article: Kujtimet e të birit për Edip Tërshanën/ Kur rritesh nga një hero tragjik

TIRANË- Jetoi vetëm 15 vite me të atin, por çdo fjalë e dëgjuar prej tij apo e mësuar më vonë nga dokumentet dhe respekti i njerëzve që e kishin njohur profesorin dhe që ia shfaqën edhe në vitet më të vështira, e kanë bindur për idealizmin e pashoq të  Edip Tërshanës, i cili pati guximin të kundërshtojë hapur Enver Hoxhën dhe komunistët dhe për këtë u dënua me pushkatim.

Teksa kalonte 40 vjeç, i rriteshin fëmijët, bëhej gjysh, Nehat Tërshanës nuk i bëhej më e lehtë dhimbja për humbjen e të atit. Madje, pesha e saj sikur rritet prej trishtimit të gurtë, që nuk mund të shpërbëhet: që babai i tij nuk mundi t’i jetojë këto vite, që jo vetëm nuk njohu nipër e mbesa, por as nuk e pa të rritej, atë, djalin e tij të vetëm. Vetëm për diçka është i qetë, që ia respektoi amanetin për të “mos ia shitur gjakun” edhe në vitet e vështira të diktaturës, kur të qëndroje nuk ishte e lehtë. Edhe sot, kur është 87 vjeç, Nehati nuk e mendon dy herë për të bërë çfarë mundet për të nderuar figurën e të atit, mësuesit që hapi me dhjetëra shkolla shqipe, nacionalistit që kërkonte bashkimin e Kosovës dhe Çamërisë me Shqipërinë dhe ngritjen e flamurit shqiptar në trojet shqipfolëse të Maqedonisë, intelektualit dhe idealistit që nuk ngurroi të akuzonte haptas Enver Hoxhën dhe komunistët për tradhti të idealit kombëtar dhe rrënim ekonomik të Shqipërisë. Duket sikur ky është një mision i natyrshëm i jetës së tij. Shfaqet me një tufë dokumentesh, krijime, disqe programesh dhe me një barrë kujtimesh, që teksa i tregon, të zbulojnë admirimin dhe pasionin e këtij burri të moshuar për figurën e të atit, që, ai vetë, e pa për herë të fundit kur ishte 15 vjeç.  Kujto.al sjell dëshminë e njeriut më të afërt të profesorit dhe atdhetarit të palëkundur, Edip Tërshana, këtij heroi tragjik të diktaturës shqiptare.

Si e kujtoni arrestimin e babait tuaj?

Baba u arrestua më 17 maj, 1947. Në atë kohë unë kam qenë në Shkollën Unike që hapi baba në Peshkopi. Duke qenë që e kishte mik të ngushtë Gjergj Kokoshin, që në vitin 1945 ishte ministër Arsimi, kërkoi që në Peshkopi, ku nuk kishte shkollë të mesme deri në atë kohë, të hapej Shkolla Unike. Në atë kohë, në shkolla, ishte zyrtarizuar gjuha serbo-kroate dhe baba i kërkoi Gjergj Kokoshit edhe që të futej gjuha frënge. Gjergj Kokoshi ia dha lejën dhe ne na jepte frëngjisht po baba, sepse ishte me 4-5 gjuhë të huaja. Turqishten e vjetër e kishte mësuar në medrese në Dibër. Të tjerat, italisht, frëngjisht, serbokroatisht… në Normalen e Elbasanit. Edhe mbaj mend si tani që, më 17 maj, e morën midis rrugës, mes nxënësve.

Cila ishte arsyeja e arrestimit?

E arrestuan sepse një javë më parë në Peshkopi ishte urdhëruar organizimi i një mitingu për dhënien e Triestes dhe disa trojeve të Italisë, Jugosllavisë. I kërkonte Titoja. Im atë ishte me Hysni Alimerkon, mësuesin që e kishte sjellë po Gjergj Kokoshi në Peshkopi dhe i tha: “Ore ne ç’flasim për Italinë me aq pak jugosllavë dhe i kemi nxjerrë nxënësit këtu dhe nuk kërkojmë Kosovën që është plot me shqiptarë”. Aq 20 nxënës ishim dhe dikush nga ata, unë i di emrat, i tha kujdestarit të konviktit. Ai e çoi te Sigurimi. Pas një jave, sepse kishin gati dy vjet, që në vitin 1945, që e ruanin, e arrestuan në mes të nxënësve.

Edip Tërshana, drejtor i Shkollës Nr.1, Durrës. Në mes, ulur

Përse e ruanin?

Marrëdhëniet me komunistët ishin prishur që në vitin 1943, kur baba doli kundër ngritjes së flamurit maqedonas në Dibër të Madhe. Më pas, në mars 1945, kur ishte krijuar qeveria maqedonase, babain vijnë ta kërkojnë, gjoja për të hapur katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Shkupit. Ata donin ta merrnin që ta hiqnin qafe lehtë në Shkup. Vijnë dy kushërinj të babës për ta kërkuar. “Unë vij, i tha baba, po të ngrini flamurin shqiptar në Shkup, në Dibër, në Tetovë, në Gostivar.” “Jo, ne nuk ndërhyjmë dot për atë, e rregullojnë qeveri me qeveri”, thanë ata. “E po tani, hani atë bukë dhe dilni prej shtëpie e mos më hajdeni më!” “Unë e di që do vritem, por edhe ju të dy do vriteni”, u tha atyre dhe ashtu ndodhi. I vranë në Maqedoni, në hetuesi, gjoja në tentativë për arratisje.  Baba e pa që maqedonasit po e ruanin për t’i bërë atentat dhe ikëm nga Dibra, erdhëm në Peshkopi, ku hapi shkollën.

Si ndodhi prishja me komunistët për çështjen e flamurit maqedonas?

Në ’40-ën, gjatë luftës, baba u zgjodh kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Dibrës së Madhe. Në nëntor të 1942-shit, me rastin e 30-vjetorit të Pavarësisë, nxënësit e shkollave shfaqën dramën e Foqion Postolit, “Lulja e kujtimit”, që bëri bujë në atë kohë. Motrat e mia u vinin fjongo me ngjyrat e flamurit shqiptar, në xhaketë njerëzve që morën pjesë. Kuestura arrestoi 20-30 vetë atë ditë. Baba, duke qenë që ishte kryeinspektor arsimi, i shkoi prefektit. Ai u tregua burrë i mirë, gjirokastrit ishte dhe shkuan t’i thoshin kryetarit të divizionit të Dibrës, një nga divizionet më të fortë që kishte Italia në zonën e Maqedonisë për t’i liruar dhe i liruan brenda ditës.

Kur kapitulloi Italia, në 43-shin, ngritën flamurin shqiptar në Dibër dhe, me gjithë çetën e Haxhi Lleshit, morën në dorëzim gjithë zonën ushtarake që kishte Italia. Që mos të bëheshin raprezalje, të vriteshin njerëz, ndërhynë që italianët të tërhiqeshin dhe i përcollën deri në Burrel. Në këtë kohë, vjen brigada e Svetozar Vukmanoviç Tempos, ai ishte dhe serb dhe grek dhe deshën të ngrinin flamurin maqedonas në Dibër të Madhe. Nuk i lanë. Ndërhyjnë komunistët, Haxhi Lleshi, Njazi Islami, Sulë Baholli, Zeqi Agolli, që ta ngrinin flamurin. “Jo, tha baba, këtu është tokë shqiptare, nuk lejojmë”. Ata thanë: “Do i vëmë”. “Kështu qenka puna? Mirë- tha baba- urdhëroni çelësat. Që sot heq dorë.” Dhe bashkë me një gjirokastrit, Myzafer Kallajxhiun, agronom, u tërhoq. Kam dëgjuar që desh i vrau atë ditë me Haxhi Lleshi, me të gjithë, por ndikoi nëna që nuk i dha automatikun. Në këtë kohë, në Dibër kishte ardhur Mustafa Gjinishi. Ai i thotë: “Po ç’ke ti? Të bëjnë çfarë të duan. Do mbarojë lufta, do kemi plebishit.” “Dëgjo- i tha baba- këta nuk kanë besë.”

Drejtoria Arsimore, Prefektura Dibër, 1942

Nga viti 1943 kur babai u nda me komunistët deri ditën kur e arrestuan, cilat kanë qenë lëvizjet e tij dhe familjes suaj? Ju kujtohen takime, biseda, personazhe nga ajo kohë?

Pasi erdhën gjermanët nga Bullgaria, partizanët u tërhoqën. Baba në atë kohë kishte ardhur në Tiranë, sepse e kërkonin për ta vrarë. E akuzonin si komunist. Këtu e ruajti daja e vet. Erdhëm të gjithë me kuaj. Në atë kohë u paraqit te Mit’hat Frashëri, te Këshilli i Lartë i Regjencës dhe te Rexhep Mitrovica dhe Mit’hat Frashëri ndërhyn, me Rexhep Mitrovicën, dhe e emëron inspektor Arsimi në Vlorë. Në maj të ‘44-ës, hap shkollat në Vlorë dhe në gazetat e kohës, shkruhej që ardhja e nëndrejtorit të Arsimit për Vlorën, solli hapjen e të gjithë shkollave dhe qytetarët e Vlorës, në mënyrë simbolike, dhuruan banka. Qëndroi atje deri në tetor, sa hynë partizanët dhe u kthye në Tiranë. Në atë kohë ishte vrarë dhe Mustafa Gjinishi. Ne, në fund të tetorit 1944, u larguam nga Tirana, me karvan kuajsh, unë, nana, motra dhe baba. Për dy ditë shkohej në Dibër. Në dalje të Tiranës, te kodrat, babën e thërret një partizan: “O profesor!”. Baba e njohu, ishte partizan dibran. “Çfarë bëni ju këtu?”-i thotë. “Kemi ardhur të sulmojmë Tiranën”,- thotë ai.

-Me kë je aty?

-Me Daliun.

Daliu Ndreu në atë kohë ishte komandant i Divizionit të Çlirimit të Tiranës, Mehmet Shehu ishte komandant i Brigadës së Parë. Me të ne kishim miqësi, dy kushërinj të tij, baba i kishte miq të ngushtë në Dibër, Islam Ndreun dhe Faik Ndreun. Dy nga ata u arratisën, një pjesë u dënuan këtej.

-Ku e ke Daliun?

E thërret Daliun ai. “Ore Dali- i tha- unë e bëra një fjalë para një muaji e gjysmë te shtëpia e Zeqi Agollit, shkova me e taku me Gogo Nushin dhe i kërkova llogari për Mustafa Gjinishin, i thashë: pse e vratë?”

-Jo, tha ai.

Të lutem shumë- i tha. Ti ishe me Mustafain? Liria ishte?

-Po.

-Po katër partizanë të tjerë?

-Po.

-Po dy oficera?

-Po.

E kam dëgju me veshët e mi. Unë isha 12 vjeç.

-Ore, keni vrarë kokën e shqiptarizmit, i tha.

Edhe atje në Dibër kur shkuam vetëm ca muaj kemi ndenjur. Erdhën maqedonasit që donin ta merrnin babën dhe ikëm në Peshkopi. Pak muaj e morën në Komitetin Ekzekutiv në Seksion të Kulturës dhe Propagandës. Hapi shkollën atje, por ia bënë varrin.

Babai, pas arrestimit, u mbajt në Peshkopi? Si ka qenë hetuesia për Edip Tërshanën?

Babai e ka bërë hetuesinë bashkë me disa miq të tij, Hysni AlimerkonJani Konomin. Vetëm babai kishte shtëpinë afër nga ata. Hysni Alimerko kur doli nga burgu, ka qenë rreth vitit ’63, pa shkuar në shtëpi të tij, ka zbritur në Kavajë. Kur erdha nga puna, nga ora 6 e ca pasdite, gjej ulur te këmbët e nënës një burrë duke qarë e duke i puthur duart. Motra ishte ulur në një minder duke qarë dhe ajo dhe kur më pa ma bëri me shenjë mos të flisja. Por sesi ktheu kokën Hysniu dhe pashë një lungë që kishte nën vesh. “Ou profesori!”- thashë. U ngrit, u përqafuam duke qarë. E mbajtëm atë natë. Edhe filloi po tregonte… “Unë një vit që kam qenë në birucat e hetuesisë në Peshkopi më ke ushqyer, më sillje sefertasen me bukë ditë për ditë, siç ia çoje babës, na i sillje dhe mua dhe Jani Konomit. Merrje rrobat e palara gjithë gjak, na i sillje të lara, çdo dy javë.” Ndërsa Hysniut nuk i vinte njeri me e pa sepse ishin komunistë. Unë kur shkoja në shkollë, lija sefertasin me ushqime dhe kafen e mëngjesit aty dhe kur dilja nga shkolla e merrja. Dhe pse lëre ç’i ushqenin ata!  I kanë mbajtur një muaj e gjysmë, në mes të borës, në fund të nëntorit, jashtë. Ngritën ca rrethime me purteka, në oborrin e hetuesisë, sa për të qëndruar një njeri në këmbë ose ulur. I mbanin të lidhur aty, një metër të ngritur nga toka, kur bora jashtë ishte një metër. Të mirën, të keqen aty.

E megjithatë babai nuk u dorëzua. Madje, janë të njohura letrat që shkroi ku e quante Enver Hoxhën tradhtar…

Baba shkruajti tri letra: Enverit, Haxhi Lleshit dhe familjes. Familjes i thoshte: “Po ju lë amanet: djalin mos ma lini pa shkollë. Plaçkat e shtëpisë shitini dhe ikni në Tiranë, mos rrini në Peshkopi.” Mirëpo, nuk e dinte që plaçkat i morën që atë ditë që e arrestuan, librat i dogjën. Ishte një faqe e tërë muri me libra…

U kapën letrat. Baba i kishte futur letrat te palat e pantallonave. Dhe u bë gjyqi i dytë. Fillimisht ishin dënuar me pushkatim babai, Hysni Alimerko dhe Jani Konomi. Në gjyqin e dytë u dënua me pushkatim vetëm babai. Unë e kam gjetur letrën e dënimit të dytë që kërkonte me insistim “ekzekutimin e kriminelit, armikut të popullit, partisë dhe Enverit, Edip Tërshanës”. Babai ishte plot 40 vjeç kur u ekzekutua. Ne e kemi parë dy javë para se të ekzekutohej.

Çfarë ju kujtohet nga ai takim? 

Nuk më harrohet ajo ditë, e kam parë tim atë në një qoshe te dera, i lidhur, i gjakosur, i rrahur, nga ish-shefi i Sigurimit, një farë Kopi Niko, me gjithë një tjetër nga fshatrat e Fierit, që kanë bërë namin në fshatrat e Peshkopisë, i kapnin të burgosurit në hetuesi nga gusha, i tërhiqnin e pastaj i lëshonin dhe ata binin pa jetë.

Si e mësuat pushkatimin e babait?

Kryetari i Degës së Brendshme, në atë kohë, ishte një burrë nga zona e Tropojës, Beqir Ndou, që rrinte te shtëpia e dajës sim, që i kishte lënë një pjesë të shtëpisë. Sigurimi ishte më vete në atë kohë, që bënte namin, ndërsa Dega e Brendshme më vete…Ai i tha së shoqes, të thërriste nusen e dajës tim dhe të kërkonte nënën për një kafe. Edhe ajo e thirri nusen e dajës dhe i tha të merrte dhe nënën time. Në këtë kohë ky e pa që erdhi kryetari i Këshillit. Baba ishte pushkatuar atë ditë. Ne nuk denim gjë. Unë isha në shkollë. Më thanë, që babanë po e nisin për në Tiranë. Ndërsa kafet ishin në sallon, ai i thotë nënës në kuzhinë: “Djali me gjithë gocën e takuan babanë 10 ditë para. Të tha gjë djali?”. Po unë vetëm qaja, isha i vogël.  “Po”, tha ajo. “Tani, a  je malësore?” sepse nana ishte nga Peshkopia, nga fisi Shehi, Gazidede, familje patriotësh. “Unë do të them një fjalë, po nuk do bësh gëk. Unë pashë një njeri që erdhi aty, por ti nuk dole me e taku”. “Jo, tha nëna, doli kushërira teme”. “Ta ka lënë amanet Edipi, djalin me e çu në shkollë”. “Au, tha nëna, ç’më thu?” “Këtë fjalë e dimë vetëm ne, mos i thuj njeriu. Derën mbylle, mos prit njëri, se i ke njerëzit brenda”. Pas dy vjetësh, Beqirin e futën në burg, e dënuan 17 vjet. Unë e kam takuar Beqir Ndoun, në vitin 1992, kur u bë rivarrimi i babës. Nëna ma ka thënë dy javë para se të ndërronte jetë, në 1987: Po të lë një amanet, për babën ma ka thënë Beqir Ndou. Kur i shkoj në shtëpi në 92-shin, më thotë: “Hajde o djali i profesorit dhe çuni i hallës. Ta paska thënë halla?”, sepse kështu i thoshin nanës sime dhe më nxjerr një gotë raki dhe një kafe. “Po unë nuk e pi rakinë”, i them. “Rakinë do e pish për babën,- më tha.- Ndërsa kafen do ta pish për nanën. Një gjë duhet ta dish, më tha pastaj, unë në Dibër, jo për Edipin, por për asnjë dibran nuk kam vu dorë. Jam kryelartë. Po një gjë duhet ta dish. Edipit iu bë një rivarrim. M’u bë qejfi që u kujtuan, por varret nuk i keni gjetur, as keni për të gjetur gjë, sepse pas 5 vjetëve, ato i kanë hedhur të gjitha në lumë. Mbaje atë kujtim atje, por kur të vesh te varri do vësh një dorë dhe nga Dibra te koka e babës”. Unë mora një dorë dhe te vendi i pushkatimi, madje bëra dhe fjalë, sepse kishin bërë një klub atje që shkonin njerëzit, pinin raki dhe e derdhnin atje. Varrin nuk e gjetëm, i hodhën të gjitha në Drin.

Hysni Alimerko, fjalimi gjatë rivarrimit të mikut të tij, Edipit

Po me ju çfarë ndodhi më pas?

Ne na hoqën nga Peshkopia, me rrobat e trupit. Plaçkat na i morën, nuk gjetëm asnjë dokument që na i morën: dhomë gjumi, dhomë pritjeje, kuzhinë. Në kohën e Zogut dhe të Italisë, të ishe arsimtar, paguheshe mirë, 20-25 napolona flori në muaj. Ne na lanë pa plaçka. Një një vit e gjysmë qëndruam në një barakë dhensh në një familje, në një fshat aty. Pastaj në 1949-ën, ikëm nga Peshkopia, erdhëm në Tiranë. Në Tiranë, kishim një shtëpi që e dinim që ishte jona. Na nxorën që aty, na futën në një barakë që e bëmë vetë me dërrasa, mbuluar me katrama. Unë mbarova Politeknikumin dhe më çuan ushtar në Pogradec. Mblidhja mbeturinat e luftës italo-greke. Në atë kohë vjen vendimi për dëbimin tonë në Kavajë. Nënën me gjithë motrën i çuan në Kavajë sepse ne kemi tre të pushkatuar në familje.

Kë ju kanë pushkatuar veç babait?

Në ’44-ën vranë vëllanë e babës që i hapi derën familjes së Enver Hoxhës dhe e mbrojti në atë kohë. Për të zhdukur gjurmët që kishte qëndruar atje, në bodrumet që I lëshoi xhaja, e vranë. Rifat Tërshana quhej, ish-oficer i Zogut. Është pushkatuar në fillim të nëntorit të ’44-ës kur hynë partizanët në Tiranë, ishin me dhjetëra oficerë që i pushkatuan në atë kohë.

Motra, Liria, u fejua me një student që kishte ardhur nga Italia, në Dibër, sepse ishte me origjinë nga Dibra. Kur baba i prishi marrëdhëniet me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, erdhi në Tiranë, ku punonte në Ministrinë e Punëve Botore. Duke qenë që u kishte kthyer kurrizin komunistëve, e pushkatuan me një gjyq special. Motra 21 vjeçe, i fejuari 27. Motra nuk u martua më. Kishte mbaruar Institutin “Nana Mbretneshë”, me Nexhmije Hoxhën, por askush nuk e ndihmoi. Nuk i dhanë as punë. Dhe kur u moshua, kishte hallin e vetëm “të vdes e të varrosem në Tiranë”, sepse këtu ishte lindur, ishte rritur dhe këtu ndërroi jetë, kur erdhëm pas 50 vjetësh.

Me çfarë jetuat gjatë kohës që ju ishit në shkollë dhe më pas ushtar?

Fillimisht na mbanin njerëzit, ne nuk kishim bukë të hanim. Në Tiranë, triskë buke kisha vetëm unë, që isha në shkollë, 600 gramë. Më kujtohet që  punonte një grua atje, unë i çoja triskën, ajo priste bukën dhe unë merrja dhe thërrimet, ta bënim përshesh. Nëna dhe vathët e veshit shkoi i dha te dyqani i valutës që ishte në Tiranë. Hoqi dhëmbët, katër i kishte floriri, i shiti. Motra gjithë pajën e shiti te dyqani i sovjetikëve. Këtu në Tiranë, para se të iknin në Kavajë, punoi nja gjashtë muaj në fidanishte, nuk i jepnin punë, unë isha ushtar. Më pas edhe në një ndërmarrje që u hap për qepjen e uniformave të grave sepse dinte të punonte në makinë. Ia kishte blerë babai. Në Kavajë shkuam vetëm me një karrocë me një kalë. Kavajasit na njihnin. Dajat e nënës, kushërinjtë që kishim në Durrës, kishin punuar me tregti në kohën e Zogut. Na sollën kush një qilim, kush një batanije. Kur fillova unë punë, fillova t’i ndihmoja. Vetë jetoja me dietat, rrogën ia çoja nënës dhe motrës. Atëherë blemë ndonjë plaçkë, një dhomë gjumi.

Ku ju emëruan me punë?

Pas u lirova nga ushtria, më çuan në Lushnjë. Punova 10 vjet në Tërbuf. Në Drejtorinë e  Bonifikimeve të Ministrisë së Arsimit, ishte zv.ministër për kuadrin, Rrahman Anku, dibran. Duke qenë që xhaxhai i Rrahmanit njihej me babën, kishin qenë të dy në Dibër drejtora, i kishte thënë Rrahmanit: “Kije kujdes djalin e Edipit” dhe më çoi në Tërbuf. Po më mirë që më çuan në Tërbuf sesa të më linin në Tiranë, ku do më kishin futur në burg. Në Tërbuf kam qenë i izoluar, një herë në tre muaj shkoja në shtëpi, kur më jepte leje drejtori i kantierit. Punova në Fier-Shegan, pesë vjet, kam bërë rezervuarin e Thanës, që është 4 km i gjatë, punova në rikonstruksionin e Urës së Kuçit, pastaj fillova në zonën e Roskovecit. Nënën dhe motrën e kishin çuar në Kavajë. Pastaj më çuan dhe mua atje, te hidrovoret, punonim për dy rezervuare të mëdha..

Ku jetonit në Kavajë?

Në një barakë. Një dhomë kishim, 4 e ca me 2 e gjysmë. Aty jam martuar, aty më kanë lindur dhe vajzat. Bëra dhe ndarje me një dysheme me dërrasa të ngritur pak nga toka, për fëmijët. Dhe banjën e kishim në oborr. Kemi jetuar në atë barakë deri në 72-shin.

E keni ndjerë përndjekjen në Kavajë?

Në Kavajë kemi jetuar 50 vjet, por kavajasit na kanë respektuar sikur të kishim qenë fëmijët e vet, nuk na tha njeri gjë. Dhe sot më shumë miq kam në Kavajë, por ndarja ekzistonte. Kur punoja në Lushnjë, në Fier-Shegan, një herë në tre muaj shkoja në shtëpi, rrija dy-tri ditë. Nuk kisha as shokë, as miq, kërkënd. Edhe në kafe kur shkoja në Lushnjë, të haja mëngjes, ulesha fillikat vetëm, sepse e dija kë kisha prapa. Nuk shkoja kurrë në shfaqje, në sport.

Në një farë mënyre u vetizoluat?

Po. Kishte edhe presione, edhe provokime. “Kujdes se ke fillu me llap”, më thoshin, për të bërë presion, që të flisja ndonjë fjalë. Unë bëja sikur nuk i dëgjoja. Ose kamerieri më thoshte “O çun, nga Tirana je ti? Punon në bonifikim? Po ai, çfarë thotë?” “Ku di unë çfarë thotë”, thosha. Shikoja punën.

Po vajza me të cilën u martuat i përkiste një familjeje që shihej me sy të keq nga regjimi?

Jo. Pata fat që u martova me time shoqe. Ndërhynë edhe miqtë. Ajo ishte me origjinë nga Shkodra. Vëllezërit ishin gjeometra, punonin në NSHN-në e Kavajës, më njohën dhe ndërhynë për të motrën e cila po mbaronte shkollën pedagogjike në Shkodër. Dhe u fejuam. Kemi tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.

Çfarë ndodhi që morët shtëpi në ’72-shin? Pati një farë zbutjeje të qëndrimit ndaj të dëbuarve?

Pata fatin e madh që pata drejtor ndërmarrjeje, Miço Veshin. Ai kishte mbaruar studimet në Itali, u njoh me një sovjetike atje, u martua me atë, erdhën këtu. Më pas e futën në burg me gjithë të shoqen si agjente sovjetike. Bënë nja 17 vjet burg, lanë djalin rrugëve. E kam takuar në ’87-ën a ’88-ën kur interesohesha për shkollën e vajzës. Kishte mbaruar shkollën e mesme. I kishte të gjitha 10, vetëm Marksizëm- Leninizmin kishte 7 dhe Rusishten 8 dhe nuk i jepnin të drejtë studimi. Filloi shkollë në vitin 1990.

Dhe në vitin 1972, 1973 po ndërtoheshin pallate për punëtorët në Kavajë. U vendos që ndërmarrja jonë nuk do të merrte, por Miço ndërhyri në Komitet dhe Ministria i dha paratë për një pallat, ku mora shtëpi unë. Kishin parë më në fund punën time, unë kisha bërë punuar për vepra shumë të mëdha në Lushnjë, në Kavajë. Mirëpo lart më vunë vëllanë e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Shefqet Peçit dhe një tjetër ma sollën përballë, vetëm për të parë kush hynte e kush dilte. Pas 50 vjetësh kam ardhur në Tiranë. Kur kam hyrë këtu kam qarë me lot. Baba nuk mundi me më pa me u rrit. Nuk pa as fëmijët e mi.

Nuk ju ka mbetur asnjë objekt, kujtim nga babai?

Të gjitha i morën ose i dogjën, por unë kam gjetur tre libra të babës tani që mesa duket i ka shpëtuar ndonjë oficer. Një enciklopedi botërore e vitit 1932 botuar në Oksford, Gramatikën e Gjuhës Italiane të botuar në vitin 1935 në Korçë dhe një fjalor Italisht-Shqip botuar në Firenze. Këta tre libra i ruaj. Ua tregoj nipërve. Gjithë jetën, i kam pasur kujdes librat, iu bëja kapakë të fortë kartoni që të rezistonin dhe ua kam trashëguar edhe fëmijëve dashurinë për librin që më ka dhënë babi.

Si ndiheni sot për vendin që zë figura e babait tuaj në historinë e arsimit dhe kujtesën kolektive? Mendoni se është bërë sa duhet për vënien në pah të punës dhe emrit të tij pas përmbysjes së regjimit komunist?

Babai ka bërë shumë për shkollat në Shqipëri dhe jo gjithçka dihet. Kur hynë italianët në ‘39-ën ka qenë drejtor i shkollës nr.1 në Durrës. Në Tiranë ka qenë nëndrejtor i shkollës “Hasan Vogli”. Kishte shokë të ngushtë Mithat Frashërin, Safet Butkën… Kur Ernest Koliqi u emërua ministër i Arsimit në kohën e Italisë e thirri babën dhe i tha: “Edip, do hapim shkolla në Maqedoni, Dibër, Kosovë dhe në trevat e Malit të Zi. Mendoj, duke qenë që ti je dibran, të shkosh ti”. Dhe baba, në fund të ’39-ës, fillim i ’40-ës, nuk e mbaj mend mirë, por e di që ka qenë dimër kur kemi shkuar, një metër dëborë, u emërua drejtor didaktik, kryeinspektor mësimor në Dibër dhe hapi shkollat në gjithë trevat e Maqedonisë, në Dibër të Madhe, në Strugë…Kemi gjetur dokumentin e shkollës që hapi në një zonë në kufi me Maqedoninë, ku emrat i kanë maqedonas, flasin maqedonisht, por po shkove në shtëpi të tyre, në krye të oxhakut gjen flamurin shqiptar me gjithë qeleshe dhe aty e kanë prit me 20-30 kuaj, me gjithë mësuesit, që shkuan të hapnin shkollën. Sot nuk ka asgjë në përkujtim të tij. I dhanë emrin Edip Tërshana një shkolle pedagogjike në Peshkopi, më pas ia dhanë universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. U bë rivarrimi, unë e falënderova Bashkinë e Peshkopisë që e bënë, por një kashtun me dhe është aty sepse eshtrat nuk i gjetëm. Mirëpo këtu sllavokomunizmi ka bërë vend edhe sot e kësaj dite.

Nga A. Çano

(Marrë nga Kujto.al)

Shto Koment