Rajoni

Kufijtë/ Mediet serbe zbulojnë “pazaret” që Trump ka përgatitur në këmbim të njohjes së Kosovës

Në takimin mes Trump dhe Vuçiç është biseduar për një marrëveshje finale ndërmjet dy shteteve që duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërkohë thuhet se Pompeo i ka bërë presion të madh Vuçiç që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Featured image of article: Kufijtë/ Mediet serbe zbulojnë “pazaret” që Trump ka përgatitur në këmbim të njohjes së Kosovës Donald Trump dhe Aleksander Vuçiç

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, pak ditë më parë ka zhvilluar një vizitë në Washington, ku është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, me të cilin ka diskutuar, në lidhje me dialogun për normalizim të raporteve Prishtinë-Beograd dhe një marrëveshje finale mes dy vendeve.

Raportohet se në takim është biseduar për një marrëveshje finale ndërmjet dy shteteve që duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërkohë thuhet se Pompeo i ka bërë presion të madh Vuçiç që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë Vuçiç pas kthimit nga Washington, duke paralajmëruar se Serbinë e pret një vjeshtë e dimër i vështirë.

Ndërkohë sot në mediet serbe po qarkullon një shkrim i pa konfirmuar ku flitet për disa ‘dhurata’ që presidenti amerikan, Donald Trump, i ka premtuar Serbisë në këmbim të njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, raporton gazeta Ekspres. 

Në një shkrim të gazetës “Informer”, thuhet se Trump do t’i dhurojë Serbisë një shumë prej 10 miliardë dollarëve, 14 aeroplan luftarak të llojit F-16 dhe anëtarësimin ne Bashkimin Evropian deri në vitin 2024.

Gazeta i referohet burimeve, i cili pretendon se Trump është i vendosur që të zgjidh problemin Kosovë-Serbi deri në mesin e 2020-ës.

“Trump ka dalë me këtë ide për t’i ofruar Serbisë një plan të ngjashëm sikurse “Plani Marashall” që i ishte ofruar Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo do të përfshinte investime deri në 10 miliardë dollarë në projekte të infrastrukturës, të paktën 14 avionë luftarak të tipit F-16, dhe gjithashtu do të përshpejtonte integrimin në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë që Serbia do të futet në BE më së largu deri në 2024”, ka thënë ky burim në kushtet anonimiteti për Informer.

Sipas kësaj gazetë një ofertë e tillë e SHBA’së do të sillet në Serbi përmes përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor, të sapoemëruarit, Mattheë Palmer.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment