Editorial

Ku po gabon Ditmir Bushati

I kapur për herë të disatë në shkelje të ligjit, Kryeministri nëpërmjet mediave të tij, jo vetëm që nuk ndjek këshillën e ish-ministrit të jashtëm, jo vetëm që nuk ua vë veshin kritikave të tij, por i shkarkon atij fajin, e eskpozon si shkaktar të vendosjes së Valdrin Pjetrit, apo si inkoherent.
Featured image of article: Ku po gabon Ditmir Bushati

TIRANË- Ditmir Bushati ka nisur një betejë të pabarabartë me Edi Ramën. Është i vetëm përballë një organizmi sektar, është parimor përballë një grupi pa kod moral, është pa pushtet përballë një klike të gjithëpushtetshme, kërkon reflektim përballë delirit që ka kapluar Rilindjen, kërkon përgjegjësi përballë një grupi keqbërësish me maska politikanësh, kërkon demokraci në një subjekt ku nuk bëhen zgjedhje prej 10 vjetësh.

Përtej këtyre disavantazheve, beteja e tij kujdeset të jetë e moderuar. Me një gjuhë diplomatike që duket si pasojë e një sëmundjeje profesionale, Bushati kërkon të korrigjojë Edi Ramën, pa e dëmtuar Partinë Socialiste, pa shkaktuar dëme kolaterale që mund ta çojnë në opozitë. Ndërsa Rama përballë tij, ka nisur një sulm të pamoralshëm që nuk kursen as atë personalisht dhe as Partinë Socialiste. Ai e ka transferuar konfliktin në mediat që kontrollon, në mercenarët e mirëpaguar, për ta sulmuar me të gjitha mjetet, pavarësisht dëmeve.

Ndërsa Bushati kujdeset të mos flasë ashpër në media dhe merr përgjegjësinë edhe mbi vete kur flet për Valdrin Pjetrin, Edi Rama që është përgjegjësi i vërtetë për emërimin e tij në krye të Bashkisë së Shkodrës, fajëson ish-ministrin e Jashtëm, që në një miting paska thënë fjalë të mira për kandidatin.

I kapur për herë të disatë në shkelje të ligjit, Kryeministri nëpërmjet mediave të tij, jo vetëm që nuk ndjek këshillën e ish-ministrit të Jashtëm, jo vetëm që nuk ua vë veshin kritikave të tij, por i shkarkon atij fajin, e eskpozon si shkaktar të vendosjes së Valdrin Pjetrit, apo si inkoherent.

Kishte një mundësi, që Rama, pasi e shkarkoi Bushatin si të deleguar të Shkodrës për ta zëvendësuar pikërisht me Valdrin Pjetrin (dhe për këtë me siguri nuk është fajtor Bushati) dhe, pasi mëkëmbësi i Tom Doshit doli me njollë, të reflektonte. Të thërriste edhe një herë Bushatin në krye, të pranontë atë fajësi që ish-ministri ia ofroi me bujari si bashkëfajësi, të pranonte atë reflektim minimal që u detyrohet atyre shkodranëve që dolën në 30 qershor për të votuar. Të pranonte kështu, pa e deklaruar, përgjegjësinë e tij, ta kthente degën e Shkodrës tek PS dhe ta përdorte imazhin e Bushatit për të pastruar imazhin e prishur. Në të vërtetë bëri të kundërtën. I shkarkoi gjithë drejtorët socialistë, i ndërseu zagarët ish- bashkëpunëtorit të tij, ia fali partinë plotësisht Tom Doshit dhe e mori Bashkinë e Shkodrës me puç.

Pas kësaj, shkodranët nuk mund të vazhdojnë të reagojnë me mjete politike, as t’i bëjnë thirrje për reflektim. Ditmir Bushati, më shumë si shkodran se sa si socialist, duhet të ashpërsojë gjuhën dhe veprimin, pasi Rama i përdhosi bashkinë e qytetit.

Nëse kryetari i PS nuk pyet për dëmet kolaterale, duke shkatërruar degën e Shkodrës dhe duke e sulmuar personalisht dhe tek stafi politik, anëtari i kryesisë së PS nuk mund të vazhdojë të kujdeset për dëmet. Ato gjithsesi janë bërë tashmë, për t’i lënë vendin një beteje për jetën apo vdekjen e partisë më të madhe në vend. Kjo nuk bëhet më me gjuhë diplomatike.

(Dosja.al)

Shto Koment