Kulture

Kryeveprën “Lëkura e Qenit” nga Fatos Kongoli së shpejti do e shihni si film!

Regjisori Spartak Pecani bëri me dije dhe një tjetër bashkëpunim për një vepër filmike, pas suksesit të filmit “Bolero në vilën e pleqve”. Ai tha se do të luhet në film romani “Lëkura e qenit”, që është një ndër veprat më të spikatura të Kongolit.
Featured image of article: Kryeveprën “Lëkura e Qenit” nga Fatos Kongoli së shpejti do e shihni si film! Regjisori Spartak Pecani dhe Fatos Kongoli

TIRANË– Shkrimtari i “tranzicionit”, Fatos Kongoli, feston ditën e djeshme ditëlindjen e 77-të.  Ceremonia e ditëlindjes së tij u shënua me aktivitetin “Nën lëkurën e qenit”, pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për të vlerësuar kontributin e shkrimtarit.

Shkrimtari Fatos Kongoli u vlerësua me një certifikatë mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ndërsa në aktivitet morën pjesë autorë, studiues të veprës së tij, botues, përkthyes si dhe kineastë.

Kongoli i shprehu mirënjohjen e tij për njerëzit, që i kanë qëndruar pranë dhe tha se nuk e priste këtë vlerësim dhe ceremoni në këtë kohë pandemie. “Ju falënderoj të gjithëve. Unë mendoj që mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Këtë e kupton, pasi ngjitesh deri sipër. Troket tek Shën Pjetri të mbyllet dera dhe kthehesh pas, atëherë e kupton se çfarë është mirënjohja. Faleminderit të gjithëve”, u shpreh ndër të tjera Kongoli.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe regjisori Spartak Pecani, i cili bëri me dije dhe një tjetër bashkëpunim për një vepër filmike, pas suksesit të filmit “Bolero në vilën e pleqve”. Ai tha se do të luhet në film romani “Lëkura e qenit”, që është një ndër veprat më të spikatura të Kongolit.

Kongoli është si një labirint që ka brenda të bukurën, të papriturën dhe ka qenë një ndihmë e madhe për skenarin. Veprat e tij jetën time ma kanë bërë shumë më të bukur. Unë kam sërish në duar romanin “Lëkura e qenit”, që ka fituar të drejtën për zhvillim dhe së shpejti do të hidhet në prodhim. Jam i lumtur, që veprën më të mirë do ta kem në duar në fund të krijimtarisë sime”, u shpreh ndër të tjera kineasti Spartak Pecani.

Mbi librin ‘Lëkura e qenit’

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Lëkura e Qenit” është një roman i shkruar nga Fatos Kongoli, i publikuar në 2003. Libri ka në thelb një histori dashurie e rishfaqur në tri breza, një takim plot pikëpyetje e të panjohura me mijëvjeçarin e ri, një përpjekje për t’u çliruar nga dhembjet e së kaluarës.

Krijimtaria e Fatos Kongolit

Deri në vitin 1990 ka botuar vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990). Në tregimet dhe novelat e tij të para Kongoli përzgjedh “jetët e vogla” njerëzore, duke paraqitur bashkë virtyte dhe cene të individualiteteve të botës shqiptare. Në 1992 boton romanin “I humburi” , “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë”(1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007), “Bolero në vilën e pleqve” (2009). “Iluzione në sirtar”(2010), “Si-do-re-la” (2011), “Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj.

Vepra e tij më e re është “Stinë Pandemie” që u botua në tetor të 2020-s, ku rrëfen pandeminë e shoqërisë shqiptare.

(kle.mu./dosja.al)

Shto Koment