
PRISHTINË– Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka folur në lidhje me çështjen e zgjedhjes së kandidatit të ri për president. Sipas mediave të Kosovës, ai ka thënë se të vetmin kandidat që ata do votojnë për president duhet të jetë nga partia e tyre.
“S’kemi vota për asnjë kandidat që vjen prej partive në pushtet. Nëse kërkohen votat e PDK-së atëherë edhe kandidati duhet të jetë i Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja është në opozitë, mbetet në opozitë, por janë katër ose pesë tema të karakterit nacional ku kërkohet konsensus,”-ka thënë ai.
Në Kosovë brenda disa muajsh duhet të emërohet presidenti i ri, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje në fillim të muajit nëntor, dhe u dërgua në Hagë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ana e Prokurorisë së Specializuar. Presidentit aktuale është kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, por në bazë të Kushtetutës ajo nuk mund të ushtrojë këtë detyrë më shumë se gjashtë muaj.
Partnerët e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat) kanë edhe pesë muaj kohë për arritjen e një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe në rast se nuk zgjedhet vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
(k.a/dosja.al)